Shaip Kamberi merr mandat të ri në Kuvendin e Serbisë - Ja rezultatet edhe për kandidatët e tjerë shqiptarë

Lajme

Shaip Kamberi merr mandat të ri në Kuvendin e Serbisë - Ja rezultatet edhe për kandidatët e tjerë shqiptarë

Nga: Bota sot Më: 17 dhjetor 2023 Në ora: 07:22 Përditësuar në ora: 23:25 më 17.12.2023
Shaip Kamberi me anëtarët e Partisë për Veprim Demokratik

Shaip Kamberi merr mandat të ri në Kuvendin e Serbisë

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi do të jetë sërish zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë.

Gazetari i RTK-së, Alban Selimi sapo ka bërë të ditura rezultatet e votimeve në Luginë, ku Shaip Kamberi me listën “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon” ka fituar 11.500 vota, e të cilat janë të mjaftueshme për mandatin e ri në Kuvendin e Serbisë.

Në një deklaratë ekskluzive për RTK-në, Shaip Kamberi ka konfirmuar se kanë votat e mjaftueshme për mandatin e ri në parlamentin serb.

“Me rezultatet që disponojmë tani, i kemi diku 11.500 vota të koalicionit tonë. 6 mijë vota i kemi në Bujanoc dhe 5 mijë vota në Preshevë. Faktikisht koalicioni ynë ka arritur të sigurojë një mandat, pasi me nivelin e daljes që e kemi në tërë territorin e Serbisë, që do të duhej të ishin të mjaftueshme mbi 10 mijë vota, por në rastin e listave të pakicave kjo tani shumëzohet me plus 35 përqind, që do të thotë se ne i kemi mbi 13 mijë vota e që janë të mjaftueshme për një mandat”, ka theksuar Kamberi.  

Ai më tej ka folur edhe për garën zgjedhore, ku shqiptarët janë paraqitur të ndarë në dy lista zgjedhore.

“Gara ka qenë e vështirë për faktin se ne edhe vitin e kaluar kishim zgjedhje, e të cilat u desht të përsëriten 5 herë në një vendvotim sepse kemi të bëjmë me një shtet që nuk pranon që pakicave t’u jape vendin që e meritojnë. Në anën tjetër kishim një garë të brendshme, një konkurrencë jo lojale, me sharje me shpifje ndaj nesh. Por bashkë me partnerët e koalicionit ne ishim të orientuar që të bindim votuesit shqiptarë që të dalin në zgjedhje dhe të zgjedhin përfaqësuesin e vet në parlament”, ka shtuar Kamberi.

Në fund, zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në parlamentin e Serbisë ka falënderuar të gjithë shqiptarët që sot shfrytëzuan të drejtën e tyre në këto zgjedhje.

“Shfrytëzoj momentin të falënderoj secilin votues që ka harxhuar kohën e vet për të dalë në votime në këtë ditë dimri. Të gjithë ata që kanë ardhur nga Kosova që ta ndihmojnë vatanin e vet dhe të gjithë ata të tjerët që kanë ndihmuar procesin tonë për ta siguruar një mandat”, ka nënvizuar Kamberi.

Ndërkohë, Alternativa Demokratike Shqiptare e udhëhqur nga Shqiprim Arifit në këto zgjedhje ka marrë vetëm 1,250 vota.

Rezultatet e CeSID/IPSOS në bazë të 80 % të votave të numëruara – Shaip Kamberi hyn në Parlament

Bazuar në 80,2 për qind të mostrës së Qendra për zgjedhje të lira dhe demokraci, partia e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq – “Serbia nuk duhet të qëndrojë në vend” ka fituar 46,4 për qind të votave, ose 129 mandate. Ndërkaq sipas kësaj edhe Shaip Kamberi do të jetë pjesë e Parlamentit të Serbisë.

Në vend të dytë është “Serbia kundër dhunës” me 23.3 për qind ose 64 mandate.

Vendin e tretë e zë koalicioni SPS me 6.7 për qind ose 18 mandate.

Koalicioni NADA fitoi 4.8 për qind ose 13 mandate.

Sipas këtyre parashikimeve, edhe lista “Dr. Branimir Nestoroviq – ne – zëri i popullit” e kalon regjistrimin me 4,8 për qind të votave, pra 13 mandate.

Nga listat e pakicave, Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës pritet të ketë 6 mandate, koalicioni i Partisë për Drejtësi dhe Pajtim dhe Bashkimi Demokratik i Kroatëve në Vojvodinë tre mandate, SDA Sulejman Ugljanin dy mandate dhe nga një mandat Lista e Shaip Kamberit dhe Partia Ruse.

Kandidati shqiptar për deputet, Shaip Kamberi, ka thënë për Gazetën Express se do të jetë deputet edhe një mandat në Kuvendin e Serbisë.

​Sondazhet e CeSID/IPSOS tregojnë për fitoren e Vuçiqit

Lista e Partisë Përparimtare Serbe “Aleksandar Vuçiq - Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar 46.4 për qind të votave që nënkupton 129 ulëse në Parlament, sipas sondazheve të CeSID/IPSOS nga 80.02 për qind e votave të numëruara.

Në vendin e dytë renditet koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, me 23.3 për qind ose 64 ulëse. Në vendin e tretë Partia Socialiste e Serbisë, me 6.7 për qind ose 18 ulëse, pasuar nga koalicioni “Nada” (Shpresa) me 4.8 për qind ose 13 ulëse.

Gjithsej 18 parti dhe lista kanë garuar për të fituar mbështetjen e 6.5 milionë banorëve me të drejtë vote për përfaqësim në Parlamentin me 250 ulëse. Pragu për hyrje në Parlament është 3 për qind.

Serbia ka mbajtur sot zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ku të drejtë vote kanë pasur rreth 6.5 milionë banorë. Deri në orën 19:00 kanë votuar 55.5 për qind e qytetarëve.

​Në Preshevë udhëheq “Koalicioni Beteja politike e shqiptarëve vazhdon- Shaip Kamberi”

Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Preshevë, Alban Mehmeti, ka bërë të ditur për media, se nga numërimi deritanishëm i votave në këtë komunë po udhëheq “Koalicioni Beteja politike e shqiptarëve vazhdon- Shaip Kamberi” me 4.600 vota.

Ndërsa lista tjetër “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, deri më tash nga numërimi i votave, ka marrë gjithsej 900 sosh.

Mehmeti nuk ka bërë të ditur përqindjen e votave të numëruara deri më tash për Preshevë.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në zgjedhjet e sotme parlamentare në Serbi garuan të ndarë me dy lista: “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”. 

Kamberi thotë me votat që ka marrë deri tani ia sigurojnë ulësen në Parlamentin e Serbisë

Shaip Kamberi ka siguruar deri më tani 11.278 vota në zgjedhjet nacionale që janë mbajtur sot në Serbi.

Kamberi ka thënë që këto vota do t’ia sigurojnë ulësen në parlamentin serb, njofton Klankosova.tv.

Përndryshe në garë për postin e deputetit është edhe një shqiptar nga Presheva, Visar Memeti.

Ndërkohë, deri në mbylljen e vendvotimeve në orën 20:00, në Bujanoc kanë dalë të votojnë 40 për qind, ndërsa në Preshevë, dalja ka qenë përgjysmë, mbi 20 për qind.

Shaip Kamberi: Jemi shumë afër sigurimit të një mandati

Nga: M.L.

Udhëheqësi i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, pak orë para se të dihet numri i votave, ka deklaruar se janë afër sigurimit të një mandati tjetër të përfaqësimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë.

"Jemi shumë afër sigurimit të një mandati, kjo nuk përcaktohet vetëm nga votat që marrim, por nga dalja e përgjithshme, nga fakti se a do të digjet ndonjë listë e partive qendrore të cilat s'arrijnë të marrin 3% të votave të domosdoshme, sa është kuota ajo që ligji e përcakton si pragu natyror për një mandat", ka deklaruar Kamberi.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Bujanoci, ai ka shprehur mirënjohjen e tij për votuesit nga Kosova, duke i quajtur si ndihmues të betejës. 

"Keni parë një mori qytetarësh nga Kosova që kanë ardhur dha kanë votuar, janë njerëz që kanë dashur të na ndihmojnë në betejën tonë politike në një shtet diskriminues", ka thënë ai. 

Ndërkaq, për gazetën "Bota sot" Kamberi ka treguar se nga rezultatet e mbledhura ka fituar 10632 vota.

Të drejtë vote kishin 112 mijë votues nga Kosova, përfshirë shqiptarët e Luginës që jetojnë këtu dhe serbët e Kosovës. 

Mbyllen qendrat e votimit

Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.

Të drejtë vote kanë pasur rreth 6.5 milionë banorë.

Qendrat e votimit kanë qenë të hapura prej orës 07:00 deri në orën 20:00.

Deri në orën 18:00 kanë votuar 51.93 për qind e qytetarëve.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Serbisë, Vlladimir Dimitrijeviq, ka thënë se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë - gjithsej 8.273.

Këto janë zgjedhjet e pesta që janë organizuar në Serbi prej vitit 2012, dhe janë mbajtur vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.

Zgjedhjet e së dielës janë monitoruar nga 5.587 vëzhgues vendas dhe të huaj - numër rekord i vëzhguesve, në krahasim me zgjedhjet paraprake.

Zgjedhjet janë nxitur prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive të këtij viti dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor.

Dy sulmet me të shtëna masive të majit maj, që kanë lënë të vdekur 18 persona, përfshirë nëntë nxënës dhe adoleshentë, kanë rezultuar me protesta në rrugë me javë të tëra.

Partitë opozitare, dhe vëzhguesit për të drejta të njeriut, e akuzojnë partinë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, për kufizim të lirisë së mediave, mbështetje të dhunës kundër kundërshtarëve, për korrupsion, dhe lidhje me krim të organizuar.

Vuçiq, dhe aleatët, hedhin poshtë këto akuza.

Disa sondazhe publike e nxjerrin partinë e Vuçiqit si fituese të zgjedhjeve, në rendin e dytë koalicionin e partive opozitare, dhe të tretën, Partinë Socialiste të ish-ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, që është partnere në koalicion me SNS-në.

`​Deri në orën 18:00 votuan 15 për qind e qytetarëve në Preshevë

Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor, Alban Mehmeti, ka bërë të ditur se deri në orën 18:00 kanë votuar 15 për qind e qytetarëve në Preshevë.

Ai ka thënë se 6.462 qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës deri në këtë periudhë kohore.

Qendrat e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi do të mbyllen në orën 20:00.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit kanë garuar në këto zgjedhje me dy lista të ndara.

Dalje e ulët votuesve në Preshevë e Bujanoc deri në 16:00

Mbi pesë mijë qytetarë e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në Preshevë deri në orën 16:00.

“Dalja e votuesve deri në orën 16:00 është 5.077 apo 11.71 për qind”, tha për KosovaPress kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Preshevë, Alban Mehmeti.

Ndërsa, në Bujanoc deri në këtë orë kanë votuar 27.46 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, sipas kryesuesit të KKZ-së në këtë komunë, Fejzi Beqiri.

Ndryshe, shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në zgjedhjet e sotme parlamentare në Serbi garojnë me listat “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”.

​Deri në ora 14:00 në Preshevë votuan tetë për qind e qytetarëve

Deri në orën 14:00 në Preshevë kanë votuar vetëm tetë për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ), Alban Mehmeti ka thënë për KP, se numri i qytetarëve që e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës është mbi 3 mijë e 500.

"Në Preshevë, deri në orën 14:00, kanë votuar 3.587 qytetarë ose 8 për qind", tha ai.

Të drejtën e votës në Preshevë e kanë 43 mijë e 500 qytetarë, në gjithsej 38 qendra votimi.

Sot në Serbi po mbahen zgjedhjet parlamentare ku shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit po garojnë me dy lista zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon - Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare - Lugina e Bashkuar”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat