​Intervistimi i Martin Berishajt, flasin nga Prokuroria Speciale - japin këto detaje

Lajme

​Intervistimi i Martin Berishajt, flasin nga Prokuroria Speciale - japin këto detaje

Më: 29 mars 2024 Në ora: 12:03 Përditësuar në ora: 19:16 më 29.03.2024
Tomë Gashi dhe Martin Berishaj

Prokuroria tregon veprat për të cilat dyshohet Martin Berishaj

Prokuroria Speciale e Kosovës ka reaguar pas raportimeve se është intervistuar sot ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Nga PRSK thonë se Berishaj është intervistuar për dyshimet për veprat penale ‘’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’’.

“Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale ‘’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’”, thuhet në njoftim.

Më tutje, nga PRSK deklarojnë se Berishaj ka pasur edhe më herët ftesë për intervistim por se ka kërkuar që për shkak të angazhimeve i njëjti të shtyhet.

“Po ashtu, ju njoftojmë se ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, për shkak të angazhimit të tij si ambasador”, thuhet tutje në njoftim.

​Intervistimi i Martin Berishajt, flasin nga Prokuroria Speciale

Ambasadori i Kosovës në Zagreb Martin Berishaj ka dhënë sot deklaratën e tij në Prokurorinë Speciale të Kosovës (PSRK) pas pretendimeve për përfshirje në një aferë financiare.

Pas tetë orë intervistimi, për të cilin nuk dihet ende nëse ka përfunduar, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu ka folur para mediave, duke thënë se nuk ka informacione mbi intervistimin e ambasadorit Berishaj nga Prokuroria Speciale.

Lutfiu: Nuk jam i informuar, nuk e di çka po ndodh

“Kërkoj ndjesë për shkak të mos ofrimit të informatave. As unë nuk jam i informuar, nuk e di çka po ndodh. Nuk kam informata, të cilat mund t’i ndaj me ju. Kërkoj ndjesë, nuk mund të them asgjë. Prokurorët të gjithë janë në zyrat e tyre. Sikur të kishte aktakuzë ju kishim informuar si gjithmonë, përderisa nuk ka - nuk ju kemi informuar," tha Lutfiu.

Gjatë ditës, avokati mbrojtës Tomë Gashi shkroi në Facebook se Martin Berishaj kishte paraqitur kërkesën për të dhënë deklaratë sqaruese pas disa pretendimeve që kishin dalë në media.

“Martini tashmë ka dhënë deklaratë në PSRK. Deklarata e tij është konfidenciale”, ka thënë Gashi, duke shtuar se nuk mund të deklarohet më shumë për përmbajtjen e kësaj deklarate.

Ndryshe, më herët ishte raportuar për një aferë financiare të ambasadorit Martin Berishaj në Slloveni. Berishaj shërben si ambasador i Kosovës në Kroaci që nga viti 2021. Ai ka shtetësi sllovene dhe para dekretimit si ambasador në Kroaci atij i është dhënë shtetësia e Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani. 

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale: Nëse do të kishte aktakuzë për Martin Berishajn do të kishim njoftuar

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu, në një paraqitje para gazetarëve është pyetur për intervistimin e ambasorit, Martin Berishaj, megjithatë ai është shfaqur tejet i rezervuar për të dhënë përgjigje në pyetjet e gazetarëve.

“Kërkoj ndjese për mos ofrimin e informatave. As unë nuk jam i informuar dhe nuk e di se çfarë është t’u ndodhë dhe nuk e di a është duke u intervistuar dikush”, ka thënë Lutfiu, i cili për rol primar ka dhënien e informacioneve për mediat.

Në insistimin e gazetarëve, nëse ambasadori Berishaj është liruar, Lutfiu ka thënë se s’ka informacione që mund t’i ndajë me mediat.

“Nuk kam informata, kërkoj ndjesë, por s’kam informata që mund t’i ndajë me ju”, ka shtuar tutje ai.

Sa i përket asaj nëse është ngritur aktakuzë, Lutfi ka thënë se përdërisa s’kanë njoftuar, i bie që s’ka aktakuzë.

“Nëse do të kishte aktakuzë, do t’iu kishim informuar, si zakonisht që informojmë, përderisa s’ka , s’e kemi informu”, ka përfunduar ai.

Ambasadori Martin Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj tashmë ka dhënë deklaratën e tij para Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar avokati i tij, Tomë Gashi nëpërmjet një njoftimi në Facebook.

Gashi ka thënë se Berishaj ka dhënë deklaratën e tij, e cila është konfidenciale.

Postimi i plotë:

Të dashura gazetare

Të dashur gazetar

Martin Berishaj qysh më 27.01.2023 ka paraqitur kërkesë për të dhënë deklaratë sqaruese në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me pretendimet që kanë dalë në media

Martini tashme ka dhënë deklaratë në PSRK

Deklarata e tij është konfidenciale

Unë për shkak të kësaj situate si avokat i Martinit nuk mund të ju them asgjë për përmbajtjen e kësaj deklarate

Shoke e shoqe ju uroj gëzuar Pashkët e vikend te mire

--------

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, po intervistohet nga Prokuroria e Speciale në Prishtinë.

Berishaj ndodhej në Prokurorinë Speciale që nga ora 8:30 e mëngjesit.

Ndërkaq mediave u është kërkuar që për informacione shtesë të pritet avokati i tij.

Ky intervistim vjen pas dyshimeve për një aferë financiare të Berishajt në Slloveni, për të cilën është raportuar në media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat