Dita e Flamurit Kombëtar shënohet edhe në Luginë të Preshevës

Lajme

Dita e Flamurit Kombëtar shënohet edhe në Luginë të Preshevës

Sevdail Hyseni Nga Sevdail Hyseni Më 29 nëntor 2018 Në ora: 08:12
Luginë e Preshevës

Nën patronatin e Komunës së Bujanocit, Këshillit Kombëtar dhe Pallatit të Kulturës, në mënyrë tradicionale është shënuar dita e flamurit kombëtar, duke u ngritur solemnisht nëpër institucionet komunale, pavarësisht pengesave ligjore, që vijnë nga Beogradi, për moslejimin e përdorimit të simboleve kombëtare.

Ngjashëm është vepruar edhe në Komunën e Preshevës e cila, më 28 nëntor u vesh kuq e zi, duke kremtuar Ditën e Flamurit Kombëtar dhe 106 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, me një program festiv, të pasur me valle e këngë të ndryshme popullore.

Ndërkaq, Këshilli Kombëtar Shqiptar, me rastin e festës së Flamurit Kombëtar, ka zhvilluar një seancë solemne dhe njëkohësisht ka aprovuar një deklaratë politike drejtuar institucioneve në Beograd.

Mesazhi politik i kësaj deklarate bënë të qartë se Serbia është sot e vetmja republikë ish-jugosllave ku banon një pakicë kombëtare shqiptare që i ndalon me ligj simbolet kombëtare shqiptare.Po të njëjtat simbole që lejoheshin në sistemin monist jugosllav para rreth tridhjetë vitesh, ndalohen sot në Serbinë e cila pretendon vlera demokratike evropiane.

Më tej thuhet në deklaratë se “Qeveritë respektive të Serbisë vazhdojnë të trumbetojnë se po respektojnë të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Serbi. Por, pikërisht ndalimi ligjor i përdorimit të simbolit kombëtar nga autoritetet shtetërore dëshmon diskriminimin dhe shtypjen e shtetit ndaj diversitetit, të ndryshmes, asaj që nuk është serbe. Edhe sot, jo pak shqiptarë të Luginës nuk mund të jetojnë në vendlindje për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar. Shumë të tjerë përballen me procese gjyqësore. Kjo politikë në emër të shtetit ligjor është në fakt politikë e dëbimit të tjetrit.

Fakti se në asnjë 28 nëntor nuk ka pasur tensione midis qytetarëve të përkatësive të ndryshme etnike reflekton se simbolet kombëtare shqiptare ju pengojnë mbi gjithash autoriteteve shtetërore, e jo qytetarëve serbë.

“Qeverisja e re e Këshillit Kombëtar Shqiptar, do ta vazhdojë betejën politike dhe juridike për legalizimin e simboleve kombëtare shqiptare. Simbolet tona. Pa ndryshime. Pa dallime. Simbolet kombëtare nuk duhen ndryshuar! Ligjet diskriminuese duhen ndryshuar! Flamuri kombëtar shqiptar do të valojë në Luginën e Preshevës! Gjithnjë, gjithmonë, përgjithmonë!”, thuhet në tekstin e Deklaratës Politike, të nënshkruar nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa.

Reagimet e spektrit politik serb

Deputeti republikan në Parlamentin e Serbisë nga Bujanoci, Nenad Mitroviq, nga radhët e partisë së presidentit Vuçiq, konsideron se ngritja e flamurit shqiptar në ndërtesën e Komunës në Bujanoc, nuk do të kontribuojë për qetësimin e tensioneve edhe ashtu të rënduara në rajon.

Ndërkaq, zëvendës kryetari i Komunës së Bujanocit Stojança Arsiq, ka reaguar lidhur me vendosjen e flamurit shqiptar në ndërtesën e komunës, që sipas tij është një veprim i paligjshëm dhe se organet shtetërore duhet të merren në mënyrë adekuate më këtë rast.

 “Flamuri i ndërtesës së bashkisë me siguri nuk do të përmirësojë marrëdhëniet as përmirësimin e gjendjes së pakicës kombëtare shqiptare në Bujanoc”, u shpreh Arsiq.

Më i zëshëm në këtë drejtim, ka qenë këshilltari komunal Nenad Tasiq, i cili vendosjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar, në ndërtesën e Komunës së Bujanocit e ka cilësuar si “Okupim, që do të mbetet pa përgjigje nga shteti serb", deklarata këto që i ka bërë publike portali “Bujanovaçke”.

Simboli historik

Dita e Flamurit Kombëtar, simboli historik i shqiptarëve, nuk shënohet, njësoj, në të gjitha hapësirat e etnikumit shqiptar.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, janë të fundit në viset etnike, që nuk e kanë të rregulluar me ligj përdorimin e simboleve kombëtare.

Image

Derisa shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë, me kënaqësi e presin 28 nëntorin, ditën më të dashur të popullit shqiptar, për ta shënuar e kremtuar me dinjitet, ata të Luginës së Preshevës, festojnë e protestojnë njëkohësisht, për moslejimin e përdorimit të simboleve kombëtare në mënyrë institucionale.

Pavarësisht nga këto probleme të natyrës politike, shqiptarët e Luginës së Preshevës, gjejnë mënyrën, në stilin e vet, për ta shënuar 106 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, kur në Vlorën heroike, më 28 nëntor 1912, u ngrit Flamuri Kombëtar.

Po mbushen 106 vjet e populli shqiptar, vazhdon të jetë i ndarë në dy shtete e disa krahina dhe i shpërndarë në shumë vende të botës.

Aspirata kombëtare

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, pa dëshirën e tyre vazhdojnë të jetojnë të ndarë me kufij shtetërorë, ndonëse asnjëherë nuk e kanë humbur durimin në luftën shekullore për realizimin e aspiratave kombëtare për bashkim me Kosovën e drejtë, kjo, historike dhe politike e shprehur edhe me Referendumin e vitit 1992, pastaj me luftën çlirimtare të ish UÇPMB-së dhe Marrëveshjen Paqësore të Konçulit 2001, si dhe një varg platformash të tjera politike të këshilltarëve shqiptarë të këtij rajoni.

Lugina e Preshevës vazhdon të jetë e tensionuar, si pasojë e vijimit te politikës së injorimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut nga politika zyrtare e Beogradit dhe nga mungesa e duhur e vëmendjes së faktorit ndërkombëtar për këtë rajon.

- Mospërfillja e  kërkesave për realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës,

- Arrestimet në vazhdimësi të shqiptarëve,

- Moslejimi i përdorimit të gjuhës dhe shkrimit shqip dhe simboleve kombëtare,

- Militarizimi i Luginës, jashtë suazave të paqes, parqet një pengesë serioze në qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve, mes dy shteteve sovrane: Kosova dhe Serbia.

Spektri politik shqiptar dhe ai institucional e  konsideron veten si pjesë të zgjidhjes së këtyre problemeve në dobi të të drejtës legjitime të popullit të Luginës së Preshevës për mirëqenie në favor të paqes, stabilitetit, demokracisë, prosperitetit dhe integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në strukturat Euro-atlantike.

Mesazhe urimi

Festa e Dirës së Flamurit Kombëtar, në Luginë të Preshevës, përshkohet edhe nga një fond i pasur urimesh me gojë dhe me shkrim: Gëzuar 28 Nëntori Dita e Pavarësisë së Shqipërisë! Gëzuar Dita e Flamurit Kombëtar! Gëzuar festat kombëtare!

Këto urime të përzgjedhura adresohen në drejtime të ndryshme individuale, familjare, shoqërore, institucionale etj. pa ngjyrime politike, çka parqet kulturën tradicionale të shqiptarëve, si shenjë e unitetit të tyre “Rreth Flamurit, të përbashkuar, me një qëllim me një ide.....”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat