Harroni perfeksionin, shijoni jetën - Bota Sot
Harroni perfeksionin, shijoni jetën

Life style

Harroni perfeksionin, shijoni jetën

Më: 16 nëntor 2019 Në ora: 13:23
Ilustrim

Në një shoqëri moderne, e zotëruar nga kulti i përsosmërisë, të kërkosh më tepër nga vetja është normale. Dështimet që mund të kemi në përditshmëri dhe që shpesh janë burim vuajtjeje, na çojnë drejt dëshpërimit. A mos ndoshta do të ishte më mirë të mësojmë ta pranojmë faktin se nuk jemi perfektë dhe ta shijojmë jetën?

Identikiti i perfeksionistit

Çfarëdolloj gjëje të bëjë, gjithmonë pyet veten a është mjaftueshëm. Perfeksionistët janë gjithmonë të angazhuar për të qenë më të mirë dhe për t’u dukur më të besueshëm. Nuk ka rëndësi mënyrat dhe çfarë bën, e vetmja gjë që ka rëndësi është rezultati. Ai refuzon gjithçka që është larg vizionit që ka idealizuar në mendje, nga i cili përjashtohen defektet, humbjet apo dobësitë. Tendenca për të kontrolluar gjithçka gjeneron tek ai ndjenjën se është i plotfuqishëm, e cila në të vërtetë është vetëm një iluzion. Edhe pse nuk e pranon, vuan sa herë që nuk arrin të jetë në nivelin e pritshmërive të tij shumë të larta.

Rreziku i përsosmërisë me çdo kusht

Të vendosësh objektiva të pamundur për t’u arritur, nuk jep aspak lumturi. Përkundrazi, kjo sjellje mund të na bëjë shumë të palumtur. Problemi është që perfeksionisti nuk merr asnjë kënaqësi nga arritjet e veta. Me të arritur objektivin, menjëherë ka nevojë të përballet me një sfidë të re, duke grumbulluar një pakënaqësi kronike dhe një ndjenjë të përhershme frustrimi. Nga ana tjetër, fakti që jeton në një botë imagjinare ku mendimet e dhimbshme nuk ekzistojnë, përcakton një lloj refuzimi të realitetit me pasoja të rënda si për shembull gjendja e vazhdueshme e ankthit. Frika se mos dështon është një kërcënim i vazhdueshëm, i ngjashëm me një spektër apo me hijen e vet, të cilën e ka të pamundur ta dëbojë. Në disa raste, pas një dështimi ndiejnë sikur e gjithë bota e tyre po përmbyset.

Mësoni të jeni jo perfekt

Dëshira për t’u përmirësuar bën pjesë në natyrën njerëzore dhe shpesh kjo gjë na vlen, por nëse shtyhemi drejt teprimeve, është më tepër e dëmshme sesa e vlefshme. Bota në të cilën projektojmë dëshirat tona të perfeksionit, na bën të verbër dhe duhet të punojmë më tepër me veten për të larguar bindjet që kemi. Në vend që të kemi dëshirën e madhe për të qenë perfekt me çdo kusht, është e nevojshme të kërkojmë të bëjmë më të mirën dhe të pranojmë limitet. Në vizionin e një bote “jo perfekte” ndjenjat e dhimbshme pranohen si pjesë e jetës. Nëse na ndodh të dështojmë ndonjëherë, gjithsesi do të nxjerrim një mësim: në fund të fundit, më tepër rëndësi ka rruga që po ndjekim sesa ku po shkojmë apo rezultati.

Vlerësoni më shumë jetën

Për të pranuar se jeni jo të përsosur nevojitet një qëllim thelbësor: mësoni të vlerësoni jetën në vend që ta zhvlerësoni vazhdimisht. Nga studimi i bërë nga psikologët Robert Emmons dhe Michael McCullough ka dalë se personat e mësuar të shënojnë çdo ditë pesë gjëra, të vogla apo të mëdha, për të cilat ndihen mirënjohës, ndihen më mirë sesa ata që nuk e bëjnë këtë. Përse? Sepse me t’u mësuar vlera e mirënjohjes, nuk kemi më nevojë për ngjarje të jashtëzakonshme që të ndihemi të lumtur. Janë gjëra të vogla, por që kanë efekt mbi ne, i cili këshillon të shënojmë çdo ditë tri ose pesë gjëra për të cilat duhet të jemi mirënjohës.

As të tjerët nuk janë perfektë

Shpesh të zënë në ngërç mes frikës së dështimit dhe detyrimit për të arritur rezultatet e duhura, perfeksionisti ka tendencën të jetë aspak tolerant përkundrejt të tjerëve: kontrasti më i vogël mund të çojë drejt prishjes së një miqësie apo marrëdhënieje. Të mësosh se përsosmëria nuk ekziston kërkohet nga njëra anë të pranosh konfliktin që përfaqëson hapi i parë drejt një ndryshimi real dhe, nga ana tjetër, të braktisësh pritshmërinë aspak realiste përkundrejt të tjerëve për të qenë më në sintoni me nevojat vetjake. Nga disa këndvështrime, të mësosh vlerën e papërsosmërisë mund të jetë një mënyrë shumë e mirë për të kuptuar se jemi vetëm qenie njerëzore.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat