Ji vetvetja, që të tjerët t’ju duan!

Life style

Ji vetvetja, që të tjerët t’ju duan!

Më: 25 nëntor 2019 Në ora: 23:45
Ilustrim

Në botën e sotme është gjithnjë dhe më e vështirë të jemi vërtetë vetvetja, të zbulojmë esencën tonë më të thellë. Ka nga ata që thonë se kjo është një e drejtë e jona, por në fakt, të jesh vetvetja është një detyrë. Sepse jemi të vetmit në botë që jemi ekzaktësisht këta që jemi, me talentet tona, pasionet, dobësitë, dështimet, të qeshurën dhe dritëhijet. Kur ndalim së qeni vetvetja, jemi duke privuar diçka që nuk mund të përsëritet më.

Ai që është gjithmonë në gjendje të jetë vetvetja, nuk do të përfshihet asnjëherë nga problemet apo vështirësitë. Do të ruajë qetësinë në çdo situatë, do të jetë më pak i stresuar, do t’i duhet të përballet me më pak grindje dhe do ta gjejë më lehtësisht një zgjidhje ndaj problemeve. Të gjithë kemi vërtetuar se problemet duken të pamundura për t’u zgjidhur kur ndihemi të lodhur ose të stresuar. Por ditën tjetër, pas një gjumi të mirë, një problemi mund t’i kemi dhënë një zgjidhje relativisht të thjeshtë. Stresi bllokon kreativitetin, ndërsa të jesh vetvetja hap kanalet e tij.

Të jesh vetvetja lidhet me një siguri më të madhe për veten. Kjo përkthehet në më pak brishtësi dhe në një përplasje më të vogël konfliktuale me të tjerët. Gjithashtu, lidhet edhe me besimin në vete, me pranimin e vetvetes, me një autokritikë më të ulët dhe e gjitha kjo ka një ndikim pozitiv te marrëdhëniet. Dhjetëra studime shkencore mbi meditimin kanë konfirmuar se marrëdhëniet personale dhe profesionale përmirësohen kur njerëzit praktikojnë rregullisht rregullin e të qenit vetvetja.

Nëse ia kushtoni ekzistencën tuaj sforcove për t’u pëlqyer të tjerëve dhe krijoni një imazh sa më të zbukuruar për t’ia dalë, askush nuk do t’ju dojë për atë që jeni në të vërtetë. Dhe nëse ia dilni t’u pëlqeni të tjerëve vetëm duke krijuar një imazh të rremë për veten, më vonë ata do të ndjejnë një lloj përçmimi pse i keni mashtruar. Hidheni pas krahëve nevojën për t’u pëlqyer të gjithëve, dëshirën për të qenë të përsosur, sepse nuk do të jeni asnjëherë më shumë nga sa jeni, por ama do të jeni të vërtetë dhe autentikë.

Braktisini maskat sociale dhe gjithçka që ju kanë mësuar deri tani. Çmësojini leksionet që jeta ju ka kujtuar. Lironi zinxhirët që, ditë pas dite, ju kanë bërë të besoni se jeni të gabuar, që duhet të jeni më ekstrovertë, më të barabartë, që të flisni me zë shumë të lartë ose të ulët nuk është mirë, që duhet të jeni me patjetër në modë ose jashtë mode për të shprehur se kush jeni.

Harroni të bëni rrugëtimin tuaj në jetë me duke pasur si qëllim që t’u pëlqeni të tjerëve dhe mos u bazoni te bindjet e familjes suaj, të miqve, të eprorit. Jeta është shumë e bukur dhe bota shumë e gjerë për të ndjekur rrugëtime që nuk ju përkasin. Jo vetëm nuk është e nevojshme të tregoheni ashtu siç të tjerët do të donin të ishit, por është detyrë e juaja të mos e bëni. Ia detyroni çdo çasti të jetës suaj, që nuk do të kthehet më. Ia detyroni mundësisë për të kontribuuar në këtë botë me unicitetin tuaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat