Mëmësia, si mund ta kuptojmë nëse jemi gati?

Life style

Mëmësia, si mund ta kuptojmë nëse jemi gati?

Më: 19 mars 2020 Në ora: 21:37
Foto ilustrim

Cilado grua mund t’i drejtojë vetes disa pyetje për të qartësuar një dilemë të madhe: Dëshirën për të pasur një fëmijë. Jemi gati, apo akoma jo? A përfaqësojmë një çift të mirë për lindjen e një fëmije? A jemi me partnerin e duhur? A është momenti më i mirë?… Ja disa pyetje të cilat na ndihmojnë për të zgjidhur këtë dilemë njerëzore.

A do mundem t’i dhuroj fëmijës gjithçka që do të ketë nevojë?

Ajo që është e rëndësishme në thelb, ka të bëjë me perceptimin tonë vetjak. Në këtë botë nuk ka nënë apo baba ideal. Ajo që një fëmijë ka vërtet nevojë është një nënë dhe një baba. Prezenca e tyre është më e rëndësishmja, por ajo që ka më tepër vlerë është fakti se këta prindër e kanë pritur me dëshirë ardhjen në jetë të një fëmije dhe se të dy janë gati për një projekt të përbashkët. Esenca për çdo qenie njerëzore është që të përfaqësojë vetveten si një fryt i dy dëshirave të përbashkëta. Rrënja jonë kryesore është të kuptojmë se nga cila dëshirë kemi ardhur në këtë jetë, edhe pse ajo dëshirë ishte e shkurtër, edhe pse ka pasur ndarje më pas….

Ëndërr apo projekt?

Një ëndërr që nuk ka përmbajtje. Ajo lind në imagjinatën tonë dhe nuk ka marrëdhënie të drejtpërdrejtë me realitetin. Të ëndërrosh një fëmijë, është si të mendosh ashtu si mendojmë për një kukull që do e veshim, do e nxjerrim shëtitje… Është të imagjinosh veten si një grua shtatzënë, apo si një baba që del nga shkolla e vajzës… Sigurisht, një projekt është gjithnjë pasojë e një ëndrre. Por projekti tashmë na bën të përballemi me realitetin. Sërish, përpara dilemës: “A e dua me të vërtetë këtë shtatzëni? Lindjen, edukimin e fëmijës, duke e ditur që ky proces do të zgjasë gjatë gjithë jetës, në përditshmëri, të paktën 20 vitet e para?”.

A jam me partnerin e duhur?

Të dëshirosh një fëmijë, në vetvete nuk do të thotë asgjë. E rëndësishme është të duash një fëmijë nga një njeri që ti e dashuron. Është të dëshirosh fëmijën që ky person dëshiron ta ketë bashkë me ju”. Fëmija lind nga bashkimi i dy njerëzve. A është i duhuri ky mashkull apo ajo femër me të cilën dëshirojmë të kemi një fëmijë? A kam me të vërtetë dëshirë të kem një fëmijë për veten time, për të mbushur një boshllëk e për të qenë prind? Apo kam me të vërtetë dëshirë të tentoj drejt një aventure të tillë fantastike, sepse jam me personin e duhur? Pikërisht, kjo është dilema që duhet zgjidhur. Të kuptojmë nëse jemi me partnerin e duhur për të ndërmarrë këtë vendim për t’u bërë prind.

Nga vjen frika e njerëzve për ndryshim?

Ashtu si çdo aventurë e panjohur, frika është një gjë normale. Por duhet të bëjmë një bilanc të gjërave midis shqetësimeve të lidhura me historinë tonë, frikës që nuk jemi në lartësinë e duhur dhe vërtetësisë së ekzistencës sonë. Një mashkull apo një femër ka të drejtë të thotë: “E vërteta dhe e drejta ime, së pari, nuk është të kem fëmijë, por të kem një karrierë dhe të zhvilloj veten në çdo sferë të jetës… Këto janë disa prej arsyeve që u shtojnë frikërat njerëzve të shekullit që po jetojmë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat