Kush gjykon të tjerët nuk ka kohë të dashurojë! - Bota Sot
Kush gjykon të tjerët nuk ka kohë të dashurojë!

Life style

Kush gjykon të tjerët nuk ka kohë të dashurojë!

Më: 11 korrik 2020 Në ora: 09:33
Ilustrim

SHARE

 

TWEET

 

SHPERNDAJ

 

EMAIL

 

COMMENTS

Jemi njerëz, secili prej nesh i ndryshëm dhe unik. Për këtë arsye, bëjmë disa sjellje të caktuara, kemi një personalitet dhe një mënyrë të sjelluri unike, e cila tregon se cilët jemi. Kjo veçanti na bën të gjykojmë lehtësisht të tjerët dhe i bën të tjerët të na gjykojnë ne. E megjithatë, gjëja e sigurt është se ata që gjykojnë thonë shumë më tepër për veten e tyre se sa për personin që gjykojnë.

Gjykimet tona ndërhyjnë në shumë prej marrëdhënieve tona. Na japin ndjesinë se kemi të drejtë, por ndonjëherë ajo që ndodh është se nuk jemi duke marrë çfarë dëshirojmë nga njerëzit e tjerë apo ata nuk janë duke bërë atë që ne mendojmë se është më e mira për ta. Në fakt, të gjykosh dikë, është shumë e thjeshtë. Është më e vështirë të duam, të pranojmë e të jemi të mirë kur personi që kemi përballë nuk është duke vepruar ashtu si ne duam. Akti i dashurisë shkon përtej “pëlqimeve e mospëlqimeve”, në mënyrë që të ndihemi më të lirë për ta ndarë dashurinë me dikë tjetër, për të shijuar madhështinë dhe jo dështimet e tij.

Respektoj mënyrën se si sillesh dhe nuk të gjykoj

Të gjykosh të tjerët është mjaft e thjeshtë, por është edhe një grackë, nga e cila është e vështirë të lirohesh. Gama e njerëzve që takojmë është aq e madhe, po aq sa edhe dëmi që mund të shkaktojmë, duke folur për ta pa i njohur mirë apo kur mendojmë se i njohim, por nuk i dëgjojmë me të vërtetë. Pa dyshim, shijet e mia nuk janë të njëjta me tuajat, nuk veproj si do të vepronit ju në vendin tim dhe me shumë gjasa, efekti që gjërat kanë mbi mua është i ndryshëm nga ai që ka mbi secilin prej jush.

Për këtë arsye, një marrëdhënie e shëndetshme, duhet të bazohet te respekti dhe toleranca, edhe kur bëhet fjalë për një marrëdhënie thjesht kordiale. Ne e ndajmë jetën me njerëz që na pëlqejnë, ashtu siç janë në të vërtetë, dhe na pëlqen që askush të mos ndryshojë në jetën e tij.

Nëse dikush ju ka thënë se jeni të veçantë, nuk ka gabuar. Jeni të tillë, për mënyrën personale se si e shihni botën dhe si e jetoni atë. Të dini këtë gjë, do të thotë të jeni të vetëdijshëm për faktin se të gjykoni dikë është e barabartë të mos kuptoni se përse një person sillet në një mënyrë të caktuar. Nuk e dimë se çfarë ka kaluar ai njeri, çfarë e ka bërë të bëhet kështu, as se sa shumë mund të lëndohet kur e kritikojmë pa pasur asnjë arsye të vlefshme.

E dua veten për atë çka jam dhe nuk dua të më gjykojnë

Të gjykosh është njësoj si të hedhësh një monedhë në ajër për të parë se çfarë do të bjerë: mund të jetë një person tjetër që gjykohet, por mund të jeni edhe ju. E nëse jeni ju, pa dyshim nuk do t’ju pëlqente t’ju gjykonin pa asnjë arsye. Në këto raste nevojitet gjithmonë të mendoni që, për të kuptuar personin tjetër, është e nevojshme ta vini veten në vendin e tij. Ndihemi të pakuptuar, të frustruar dhe, ndonjëherë kjo gjë ndikon negativisht edhe në vetëbesimin tonë. 

Na pëlqen që njerëzit të flasin pozitivisht për ne, që të shqetësohen për ne dhe të na pranojnë. Nuk kanë rëndësi defektet, ose ajo që të tjerët shohin nga një tjetër këndvështrim. E vetmja gjë e sigurt është se të qenit kështu, sjellja që bëjmë dhe veprimet tona të na bëjnë të lumtur. Dhe kemi nevojë që njerëzit që na duan ta konsiderojnë këtë si gjëja më e rëndësishme.

Sidoqoftë, njerëzit që sot ju gjykojnë, me shumë gjasa po tregojnë më tepër gjëra për veten e tyre se sa për ju, ndaj duhet të jeni të fortë dhe të udhëhiqeni vetëm nga këshillat e të tjerëve dhe asnjëherë nga gjykimet e tyre. Sigurisht, që nuk po ju sugjeroj të injoroni të vërtetën mbi mënyrën se si ndiheni kur dikush sillet në një situatë të veçantë. Po ashtu, edhe gjykimet tuaja duhet të jenë konstruktive dhe asnjëherë të tepruara. Shpesh do të shohim se gjërat janë më të bukura kur jemi më pak gjykues dhe më shumë të dashur. Mund të shijojmë esencën e një personi tjetër dhe momentet që ndajmë me të. 

Ndaj, edhe nëse vjehrra është tip i vështirë, nëse shoqja ju jep këshilla pa fund apo fëmijët nuk ju dëgjojnë dhe nuk shkojnë dhe aq mirë me mësime, përpiquni të shijoni më të mirën me secilin prej tyre. Ç’mund të jetë më e rëndësishme se sa të falim ngrohtësinë dhe dashurinë që kemi në zemër?!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat