​5 gabime në rrjete sociale që duhet shmangur gjatë aplikimeve për punë

Life style

​5 gabime në rrjete sociale që duhet shmangur gjatë aplikimeve për punë

Më: 8 prill 2021 Në ora: 07:49
Foto ilustrim

Sot rrjetet sociale janë më shumë se sa rrjetëzim. Kjo është duke u kuptuar, sidomos nga ata që kërkojnë punë, sepse kujdesi i tyre në mënyrën se si duken dhe çfarë postojnë është rritur. Një sondazh i vitit 2019 i kryer nga firma e shqyrtimit të shërbimeve të punësimit “JDP”, raporton se 84 për qind e respodentëve kanë thënë se besojnë që rrjetet sociale kanë ndikim në vendimet për punësim. Si rezultat i kësaj, 50 për qind thanë që kanë larguar profile ose postime të vjetra në mënyrë që ta krijojnë një reputacion ndryshe për rrugëtimin profesional.

Ndërsa, sondazhi i CareerBuilder, me rekruterët dhe profesionistët e burimeve njerëzore nxorri në dritë, se 70 për qind e punëdhënësve kërkojnë kandidatë për punë në rrjete sociale. 57 për qind e tyre thanë që nuk kishin vazhduar të merreshin me një kandidat për shkak të ndonjë përmbajtjeje që ai/ajo kishte. 22 për qind thanë se i shikuan rrjetet sociale të dikujt për të gjetur arsye për të mos i punësuar. E 58 për qind deklaruan që i shikonin rrjetet sociale të kandidatëve për të kërkuar përmbajtje që i mbështesin kualifikimet e aplikantëve për punë.

Në këtë mënyrë, mos i përdorni ato vetëm për të qenë aty, por për t’i përdorur në avantazhin tuaj profesional, duke qenë pozitiv dhe proaktiv.

5 gabime në rrjete sociale që mund ta prishin karrierën tuaj

Rrjetet sociale sot ndihmojnë shumë që të lidheni me rekruterët, të gjeni mundësi të mira punësimi, si dhe të zhvilloni imazh të mirë profesional. Por, të gjitha këto vetëm nëse arrini t’i bëni mirë disa gjëra e disa të tjera t’i shmangni.

Të mos jesh në rrjete sociale

Sipas matjeve të CareerBuilder pothuajse gjysma e punëdhënësve thanë se nuk do ta punësonin një kandidat, të cilin nuk do të mund ta gjenin në internet. Një në pesë të anketuar thanë që presin që çdo kandidat të ketë prani në internet. Pra, në ditët e sotme për të pasë mundësi të mira në karrierë duhet të jesh “aty”.

Të kesh një imazh profesional të paqëndrueshme

Çfarë paraqitje keni? Ekziston një mënyrë e mirë për ta kontrolluar se çfarë imazhi po i tregoni të tjerëve. Kërkoni emrin tuaj në internet dhe shihni se çfarë do të shfaqet, pas kësaj tentoni që objektivisht ta analizoni atë!

Një nga aspektet më sfiduese të ndërtimit të imazhit profesional në internet është ta kuptosh se cilat pjesë të personalitetit, aftësive dhe përvojës duhet t’i theksoni në kuptimin profesional. Nuk ka nevojë ta ndani çdo pjesë të jetës tuaj me një punëdhënës të ardhshëm!

Të jesh i pasinqertë

Kur kaloni kohë në Instagram, YouTube ose ndonjë rrjet tjetër social, është e pamundur të mos ndesheni me fenomenin e ndikuesve (influencers). E gjithë e përbashkëta e tyre është aftësia për të ndikuar në zakonet e shikuesve, varësisht se me çka ata merren. Kur bëhet fjalë për të marrë të mirën prej tyre, është paraqitja ajo që shpesh e bëjnë me pasion për diçka. “Vërtetësia e përceptuar” arrin që ta marrë vëmendjen e audiencës, që në shumicën e rasteve reuzlton në miliona dollarë. Pra, sipas kësaj rrjedhe ju jeni shitësi dhe produkti dhe gjithçka që postoni u tregon punëdhënësve të ardhshëm çfarë mund të “blejnë”. Kështu që, është mirë të jesh i mirëfilltë dhe i apasionuar në atë që ndan.

Postimi shumë shpesh (sidomos gjatë orëve të punës)

12 ishte përqindja e punëdhënësve që thanë se nuk dëshironin të vazhdonin mëtutje me një kandidat, për shkak se postonte shumë shpesh. Kjo përgjigje erdhi sepse punëdhënës të tillë mendojnë që jeni aq të lidhur me botën virtuale sa nuk ju pelqen të bëni asgjë tjetër. E sidomos, problem më i madh qëndron nëse aktualisht jeni të punësuar dhe postoni shumë gjatë orarit të punës.

Të ndani informacione të cilat mund t’ju pushojnë

Të gjithë punonjësit e dinë që nëse postojnë sekrete tregtare, thonë gjëra negative për shefin dhe kolegët, rezulton në humbje të punës. Po ashtu, të gjithë e dinë që punëdhënësi “mund" t’i pushojë nga puna kur të dojë, mjaft që ajo arsye të mos jetë diskriminuese. Punonjës në mbarë botën kanë humbë vendet e tyre të punës, vetëm për shkak se kanë qenë përkrahës të zëshëm të ndonjë partie politike, që nuk ka përkuar me interesat e kompanisë.

Kështu që, nëse jeni duke kërkuar punë dhe jeni të pasionuar pas ndonjë kauze, të cilën nuk mund ta “kontrolloni”, më mirë hulumtoni që të punoni për ndonjë punëdhënës i cili nuk e hedhë poshtë aplikimin tuaj duke u bazuar në bindjet tuaja. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat