Vetëvlerësim prej hekuri, kjo na nevojitet!

Life style

Vetëvlerësim prej hekuri, kjo na nevojitet!

Më: 12 prill 2021 Në ora: 09:53
Ilustrim

Të rrisni vetëvlerësimin dhe besimin te vetja nuk ju bën automatikisht superheronj, por përfaqëson hapin e parë për të përballuar sa më mirë sfidat e çdo dite dhe objektivat tuaja më ambicioze…

Çfarë është dhe për çfarë shërben vetëvlerësimi?

Vetëvlerësimi është një themel thelbësor i jetës sonë. Falë tij jemi në gjendje të përballemi me vështirësitë, të besojmë te vetja, të dimë se do të jemi në gjendje të krijojmë dhe realizojmë projekte të reja dhe të vështira. Vetëvlerësimi lind nga gjykimi që i japim vetes. Nga sa besojmë ose jo se jemi njerëz të vlefshëm, të rëndësishëm, të aftë të jetojmë në harmoni brenda e jashtë vetes. Vetëvlerësimi bazohet në faktin se sa aftësi kemi që të jemi koherentë me atë që ndjejmë, të jemi thellësisht të drejtë dhe se çfarë efekti ka kjo koherencë në jetën tonë.

Duke vepruar “mirë” në koherencë me vlerat tona bazë, vetëvlerësimi rritet, sepse përmirësohet imazhi që kemi për veten. Jemi gjithnjë e më shumë të bindur se jemi me të vërtetë aj që ndjejmë se mund dhe duhet të jemi.

Nga lind vetëvlerësimi?

Vetëvlerësimi zhvillohet sidomos në marrëdhëniet primare të jetës sonë. Është falë marrëdhënieve me njerëzit që kujdesen për ne që bëhemi të aftë të besojmë ose jo te vetja, të kemi (ose jo) besim tek ajo që jemi dhe se si do t’ia dalim të jetojmë në botë.

Studime të ndryshme kanë treguar se si dashuria e pakushtëzuar e prindërve është një nga faktorët më të rëndësishëm në përcaktimin nëse fëmijët do të zhvillohen dhe do të ruajnë një vetëvlerësim të mirë. Nëse një fëmijë ndjen se e pranojnë dhe e duan për atë që është dhe jo për atë që duket ose për atë që bën, kjo gjë do të kontribuojë dukshëm në rritjen e besimit të tij te vetja. Do të mësojë se është një njeri i denjë për dashuri.

Sigurisht, kur flitet për dashuri të pakushtëzuar, nuk duhet të nënkuptohet se fëmija duhet lënë të bëjë çdo gjë që dëshiron. Kjo nuk ka të bëjë fare me dashurinë. Dashuri e pakushtëzuar do të thotë të jeni pranë fëmijës, të përkushtoheni, t’i jepni vëmendje dhe pjesëmarrje atij. Do të thotë të kujtoheni për të dhe ta udhëhiqni me dashuri drejt plotësimit të fuqisë së tij maksimale.

Mungesa e vetëvlerësimit

Një vetëvlerësim i ulët mund të përfaqësojë një pengesë të madhe në rrugën drejt ëndrrave dhe objektivave tuaja. Kur ndaloni së besuari te vetja, te fuqitë tuaja dhe tek aftësitë që keni, bota e jashtme dhe ata që ju rrethojnë fillojnë të marrin vendime që do t’ju takonin vetëm juve t’i merrnit.

Lajmi i mirë është se niveli i vetëvlerësimit nuk është i shkruar në gjenet tuaja. Nuk mund të zgjidhni se në çfarë ngjyre janë sytë apo flokët tuaj, por gjithmonë mund të mësoni të respektoni më shumë veten, të njihni kufijtë tuaj dhe të vlerësoni cilësitë që keni. Pikërisht kështu, vetëvlerësimi mund të mësohet dhe mund ta shtoni atë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat