Ndjenjat janë private dhe jo publike

Life style

Ndjenjat janë private dhe jo publike

Më: 22 prill 2021 Në ora: 13:07
Foto ilustrim

Tek lexoja librin e John Gotman me bashkautor Joan Declaire “Inteligenza Emotiva per un figlio”  hasa në shprehjen “ndjenjat janë private dhe jo publike”. Kjo shprehje më  bëri të mendoj për sjelljen tonë si të rritur dhe fëmijët që na kanë model se cilat janë vlerat dhe etika e të sjellurit.

Kur sheh një prind, një mësues apo një të rritur tjetër të nervozuar, që bërtet më shumë se sa fëmija, thjeshtë për ta dominuar atë, kjo sjellje e të rriturit përveçse është e shëmtuar, shkatërron pikërisht këtë princip të ndjenjave te fëmija “privaten dhe publiken”. Ky model të rrituri që nuk e njeh diferencën ndërmjet “privates dhe publikes” bën shumë dëm, pasi është në lojë respekti për veten dhe tjetrin.

Sjellje të tilla tregojnë që i rrituri nuk e di dhe nuk ka respekt për veten edhe fëmija kur të rritet, do të jetë i paaftë të dallojë e njohë diferencën ndërmjet privates dhe publikes, pra nuk do të dijë të ketë respekt për veten. I rritur është  ai person që ka arritur atë nivel pjekurie sjellje që di ti menaxhojë emocionet e tij dhe të mos reagojë shëmtuar, dhunshëm, vend e pavend, siç shpesh jemi dëshmitarë të të rriturve, që keqtrajtojnë fëmijët e tyre apo të të tjerëve. Shajnë duke përdorur një fjalor të pahijshëm, madje të palejueshëm për një të rritur dhe këtë fjalor e përdorin kudo dhe për më shumë edhe kundër një fëmije, në vend që të ruajnë qetësinë siç e kanë për detyrë si të rritur që janë. 

Marrëdhënia e të rriturit me të parriturin duhet të transmetojë respektin për njëri-tjetrin dhe të zhvillojë te fëmija “respektin për veten”, por kur të rriturit përfshi prindërit, gjyshërit, mësuesit e të rritur të tjerë nuk dinë të menaxhojnë veten dhe nuk pyesin se ku janë dhe shpërthejnë pa patur ndjenjë përgjegjësie dhe turpi, fëmija nuk ka asnjë mundësi për të mësuar privaten dhe publiken dhe as respektin për veten.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat