Gjashtë muaj për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, OBRM-PDUKM fton institucionet të bojkotojnë

Maqedonia

Gjashtë muaj për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, OBRM-PDUKM fton institucionet të bojkotojnë

Më: 16 janar 2019 Në ora: 22:53
Shkup

“Përveç gjuhës maqedonase, me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, të gjitha institucionet si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor në Maqedoni, tani janë të obliguara ta përdorin gjuhën shqipe si zyrtare që e flasin 20 përqind e qytetarëve të Maqedonisë. Te të gjitha institucionet tani duhet të formohen kushte për përdorimin e gjuhës shqipe për komunikim”, thotë zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha. Por, se sa kanë institucionet tona kapacitet për realizimin e këtij ligji?

“Secili institucion duhet të bëj analizë në kapacitet që ka, dhe varësisht nga analizat duhet të ndërmerren edhe hapat për përmirësimin e kapaciteteve, resurse njerëzore, me qëllim që të zbatohet edhe në praktikë ky ligj. Siç e dini me akt të veçantë në ligj është paraparë formimi i inspektoratit i cili do ta ndjek dhe monitorojë zbatimin në praktikë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve nga ana e të gjitha institucioneve”, deklaroi Muhamed Hoxha.

Nga Qeveria thonë se ende nuk dinë se sa do të kushtojë zbatimi i ligjit. Institucionet duhet që në afat prej 6 muajsh të fillojnë me zbatimin dhe t’i realizojnë ndryshimet. Për zbatimin e ligjit, neni 18 parasheh formim të Agjencisë për zbatimin e gjuhës që e flasin mbi 20 përqind e qytetarëve, dhe për mbikëqyrjen parashihen formimi i Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve. Por, opozita maqedonase OBRM-PDUKM ligjin e konsideron si kundërkushtetuese dhe i inkurajon institucionet ta bojkotojnë zbatimin e këtij ligjit.

Nga OBRM-PDUKM thonë se ligji do ta bllokojë punën e institucioneve me përkthime dhe me arkiva, por nga Qeveria rikujtojnë se ligji parasheh dënime për mos zbatimin e ligjit.

“Ligji vlen për të gjithë, në këtë rast për të gjitha institucionet. Ato institucione që s’do ta praktikojnë përdorimin e gjuhëve sipas ligjit që hyni në fuqi, parashikohen dënime me nen të veçantë nga ai ligj”, shtoi Hoxha.

Neni 22 i Ligjit për përdorimin e gjuhëve parasheh dënime prej 4000 deri 5000 euro në kundërvlerë të denarit për të gjitha institucionet që nuk do ta respektojnë ligjin. Sipas këtij ligjit, 30 përqindëshin e dënimit është për personin përgjegjës në institucion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat