Vazhdon fushata presidenciale, kandidatët kërkojnë mbështetje nga qytetarët

Maqedonia

Vazhdon fushata presidenciale, kandidatët kërkojnë mbështetje nga qytetarët

Më: 13 prill 2019 Në ora: 12:00
Blerim Reka

Fushata parazgjedhore për kryetar shteti ka filluar më 1 prill, ndërsa kandidatët të cilët synojnë të udhëheqin me shtetin edhe gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aktivitetet e tyre.

Blerim Reka, Gordana Siljanovska dhe Stevo Pendarovski dje kanë realizuar takime me qytetarët nëpër vende të ndryshme.

Kandidati i cili ka mbështetjen e partive opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, Blerim Reka, dje ka mbajtur takim me qytetarët e Kërçovës ku foli për konceptin e tij për republikën dhe për sundimin e së drejtës.

“Vetëm me një republikë ku sundon ligji do të lejojmë politikan me duart e pastërta dhe assesi me duart të përlyera. Ligji do të jetë ai i cili do t’i dënojë por jo vetëm penalisht, ligji do t’i dërgojë në histori partitë politike të cilat, që 18 vite shkelën ligjin, ushtruan korrupsion dhe vazhdojnë me nepotizëm, si dhe nuk e përfillin gjyqin. Ka përfunduar koha e politikanëve të korruptuar, nepotizuar e të kapur, dhe kjo përfundon me 21 prill. Shoqëri për të gjithë sepse ne si shoqëri ekzistojmë, jemi pjesë dhe kemi qenë pjesë e kësaj shoqërie mirëpo ajo që i ka munguar këtij shteti ka qenë që shqiptarë të jenë edhe pjesë e shtetit të përbashkët. Pa qenë pjesë e strukturave më të larta shtetërore ne nuk jemi të barabartë”, argumentoi Reka.

Kandidatja e partisë opozitare maqedonase Gordana Siljanovska Davkova, dje kishte takim në Prilep ku foli edhe për vrasjen në Liqenin e Smilkovës dhe që gjithë ngjarjen e quajti terroriste dhe se ende nuk ka epilog nga gjyqësia.

“Të rikujtoj çfarë thoshte kryeministri atëherë se ka incizime, se askush s’do të mbesë i pa dënuar, por duhet se e drejta dhe drejtësia nuk vinë”, tha Siljanovska Dakova duke shtuar se do të punojë sipas ligjeve dhe Kushtetutës dhe se nuk do të ndërhyjë tek pushteti gjyqësor.

Ndërsa kandidati i partive në pushtet Stevo Pendarovski, dje ka qenë në tubime para qytetarëve të Ilindenit, Zelenikovës, Petrovecit dhe Haraçinës ku foli për zgjedhjet presidenciale dhe përparimin në procesin eurointegrues.

“NATO na dha ftesë për anëtarësim, është siguruar e tashmja dhe e ardhmja jonë. 29 shtete më të fuqishme janë me ne, s’jemi vetëm”, tha Pendarovski duke shtuar se hapja e dyerve nga BE dhe NATO ështv e rëndësisë historike për shkak se mund ta përforocojmë ekonominë dhe t’i risim pagat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat