Reagime të bujshme në opinion pas pamjeve të publikuar nga “La Verita” për rastin “Haraçi”

Maqedonia

Reagime të bujshme në opinion pas pamjeve të publikuar nga “La Verita” për rastin “Haraçi”

Më: 9 gusht 2019 Në ora: 09:28
Haraçi

Video incizimi i publikuar dje në edicionin online të gazetës italiane “La Verita” lidhur me rastin “Haraçi” e ashpërsoi opinionin edhe ashtu të trazuar në Maqedoni, fokusi i të cilit me javë është në punën e Prokurorisë publike dhe PSP-së, ndërkaq dha mundësi të re që pushteti dhe opozita, për të satën herë të këmbejnë akuza të ndërsjellta për atë se kush qëndron prapa rastit që siç duket po merr përmasa ndërkombëtare.

VIdeoja nga takimi i të dyshuarve në rastin “Haraçi”, Bojan Jovanovski (Boki 13) dhe Zoran Mileski (Kiçeec) me biznesmenin Jordan “Orce” Kamçev, ndërkaq ishte xhiruar në shkurt të këtij viti. Në xhirim shihen banknota të paketuara me specifikime të shkruara me dorë në fleta të letrës, ndërkaq siç cekë gazeta, dëgjohet edhe biseda e Jovanovskit dhe Kamçevit për lëndën e PSP-së në të cilën e përmendin edhe prokuroren speciale publike, Katica Janeva.

Nga Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion e cila e udhëheq lëndën “Haraçi”, nuk precizojnë se a e kanë si dëshmi materiale videoincizimin të cilin e publikoi sot gazeta italiane “La Verita”.

“Të gjitha dëshmitë të cilat Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion i posedon në lëndën për të cilën tregoni interes do t’i prezantojë para gjykatës kompetente gjatë procedurës eventuale gjyqësore. Lënda është në fazën e hetimit në të cilën në vazhdimësi po punohet në sigurimin e të gjitha dëshmive”, deklaruan nga Prokuroria.

Më vonë, prokurori publik, Ljubomir Joveski, për AIM deklaroi se video xhirimi i publikuar në gazetën italiane “La Verita” lidhur me lëndën “Haraçi”, nuk është nga burime të Prokurorisë dhe se ai nuk mund ta rrezikojë hetimin për rastin “Haraçi”. Nëse vjen deri te procedura gjyqësore, sqaron Joveski, dëshmitë, mes të cilave edhe materialet e xhiruara, Prokuroria do t’i prezantojë si dëshmi.

Në pyetjen nëse prokurorja publike speciale Katica Janeva, e cila përmendet në incizimin e publikuar, do të thirret për bisedë, ai potencon se në prokurorinë thirren dhe do të thirren të gjthë personat e domosdoshëm për hetimin.

Prokuroria Speciale Publike (PSP), ndërkaq, lidhur me video incizimi e publikuar, kumtoi se me të “pa dyshim konfirmohet se nuk ka lidhje mes të thënave në xhirim dhe propozimeve të cilat janë sjellë nga ana e tyre”.

Në kumtesën e publikuar në ueb faqen e PSP-së, më 6 shkurt të vitit 2019 kjo Prokurori publike deri tek Gjykata e Apelit Shkup ka parashtruar propozime për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak për tre persona të dyshuar. Duke vepruar për këto propozime, Gjykata e Apelit Shkup më 7 shkurt të vitit 2019 solli vendim për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditëve.

Më pas, siç thekson, kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Shkup, tre personat e dyshuar kanë dhënë ankesa deri tek Gjykata supreme.

“Me rastin e ankesave të deklaruara, kjo Prokurori publike më 21 shkurt të vitit 2019 deri tek Gjykata supreme ka dorëzuar propozime, që ankesat të refuzohen si të pabaza dhe të konfirmohen vendimet e Gjykatës së Apelit për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak. Gjykata supreme edhe krahas propozimeve të tilla të kësaj Prokurorie, më 4 mars të vitit 2019 solli vendime me të cilat janë marrë parasysh ankesat e tre personave, vendimet e Gjykatës së Apelit Shkup janë modifikuar dhe është shfuqizuar masa e arrestit shtëpiak”, theksohet në kumtesën e PSP-së.

Prej atje potencojnë se “kundrejt të gjitha mendimeve të dhëna nga ana e kësaj Prokurorie Publike të mos shfuqizohen masat e paraburgimit për këta persona, Gjykata supreme vendosi në kundërshtim me këto mendime”.

“Shpresojmë se ky sqarim do t’i pengojë të gjitha spekulimet për lidhjen e kësaj Prokurorie Publike me rastin “Haraçi”, thuhet në kumtesën e PSP-së.

Prokurorja, Lile Stefanova e cila e ka zhvilluar hetimin për lëndën “Perandoria” të PSP-së, në të cilën i dyshuar është Jordan Kamçev, sot deklaroi se pret që Prokuroria për krim të organizuar tërësisht ta zbardhë tërë rastin “Haraçi” dhe se ajo do të bashkëpunojë dhe do t’i ndajë të gjitha punës që i din.

Stefanova tha se nuk ka pasur njohuri për incizimin që e publikoi gazeta “La Verita” dhe se sot për herë të parë e ka parë.

“Jo vetëm që nuk kam pasur njohur se ekziston një incizim i tillë, por jam edhe e neveritur. Pres që Prokuroria për krim të organizuar ta zbardhë tërë rastin. Unë do të bashkëpunoj dhe do t’i ndajë të gjitha punët të cilat i di”, ka thënë Stefanova.

Sipas prokurores, hetimi për rastin “Perandoria” është vendosur në këmbë të shëndosha, por se me muaj është penguar për shkak të mendimit parimor të cilin e ka sjell Gjykata supreme.

Nga LSDM-ja në pushtet dolën me vlerësim se gjithçka që ndodhë, përfshirë edhe publikimin e xhirimit, është pjesë e skenarit të përgatitur paraprakisht për asgjësimin e shtetit juridik dhe integrimeve në BE dhe në NATO dhe shprehin bindje se kjo në të vërtetë vetëm do ta përshpejtojë hetimin për rastin “Haraçi”.

Ndërkaq nga OBRM-PDUKM-ja opozitare, me qëndrim se xhirimi të cilin e emituan mediumet italiane është dëshmi se Janeva është ekzekutuesja institucionale e zhvatjes milionëshe, por edhe se Boki 13 dhe Kiçeec janë vetëm tentakulat e oktapodit kriminel të pushtetit.

Sipas shkrimeve të mediumeve. gazeta italiane “La Verita”, e cila e publikoi xhirimin me Jovanovskin, Mileskin dhe Kamçevin, gjatë disa viteve të fundit konsiderohet si medium i afërt me opozitën e tnaishme në vend, përkatësisht partisë ekstra djathtiste italiane Liga, të cilën e udhëheqë ministri aktual i Punëve të Brendshme të Italisë, Mateo Salvini.

“‘La Verita’ ishte mediumi i parë i huaj, i cili para një muaji informoi për ‘Bombën’ publikuar në rrjetet ruse, e ku sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, gjoja e ka kurdisur fituesin e tenderit për furnizimin e pajisjes për M-NAV. Atëherë ‘La Verita’ publikoi tekst me titull “Skandal në Shkup – ‘Tender për Leonardon: Ciganët si ne’, ndërsa teksti e ka ilustruar me fotografi të kryeministrit Zaev. Në atë gazetë vend kanë pasur qëndrimet e OBRM-PDUKM-së gjatë krizës politike, por edhe pas zgjedhjeve në dhjetor 2016. Në janar 2017 gazeta ka publikuar intervistë me ministrin e atëhershëm të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, me titull “Soros të ndalet ta destabilizojë Shkupin”. Lajmin se gazeta italiane ka publikuar incizim nga aktivitete kriminele të të dyshuarve në “Haraçi”, në mëngjes të parët e publikuan mediumet e afërta me opozitën. Nuk përjashtohen edhe dyshimet se rruga e incizimeve nga Shkupi deri te gazeta italiane ka kaluar përmes Budapestit”, njofton Deutsche Welle.

“La Verita”, siç transmeton “360 shkallë” vlen si e afërt me partinë ekstreme të djathtë italiane Liga, të cilën e udhëheq ministri aktual i Punëve të Jashtme të Italisë, Mateo Salvini. Në të në vazhdimësi publikohen informata me të cilët bëhet sulm ndaj të gjithëve që mendojnë ndryshe nga Salvini, Orban, Le Pen dhe përfaqësuesit e tjerë të së djathtës radikale.

Ndryshe, autori i tekstit në “La Verita”, Laris Gajser është slloven me pasaportë italiane. Ai është kryetar i Lëvizjes panevropiane të Sllovenisë, pjesë e kryesisë së Unionit Panevropian ndërkombëtar. Së bashku me të, në kryesinë e kësaj organizate është edhe ambasadori i deritanishëm i Maqedonisë në Bruksel dhe këshilltar i ish kryeministrit Nikolla Gruevski, Andrej Lepavcov. Në zgjedhjet parlamentare në vitin 2011, Gaiser ka qenë kandidat në zgjedhjet për Partinë e djathtë Popullore sllovene (SLS).

Gaiser tani për tani nuk dëshiron të zbulojë asgjë për materialet që i posedon dhe paralajmëroi se në ditët në vijim do të vazhdojë t’i publikojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat