Zbatim i ngadaltë i rekomandimeve të UNESCO-s për Ohrin - Bota Sot
Zbatim i ngadaltë i rekomandimeve të UNESCO-s për Ohrin

Maqedonia

Zbatim i ngadaltë i rekomandimeve të UNESCO-s për Ohrin

Më: 14 shtator 2019 Në ora: 13:09
Disa pulëbardha fluturojnë mbi liqenin e Ohrit. Fotografi nga arkivi.

Organizatat për mbrojtjen e ambientit në Maqedoninë e Veriut, thonë se autoritetet kompetente po veprojnë shumë ngadalë në drejtim të përmbushjes së rekomandimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim Shkencë e Kulturë (UNESCO), për mbrojtjen e rajonit të Ohrit si trashëgimi natyrore dhe kulturore botërore .

Nga sektori civil pyesin se si është e mundur që “para syve të institucioneve” të ngriten objekte të paligjshme në Ohër, në zonën e cila me ligj është e mbrojtur si trashëgimi kulturore.

UNESCO, gjatë mbledhjes në Baku të Azerbajxhanit, i dha afat autoriteteve në Shkup, që deri në shkurt të vitit të ardhshëm të evitojë të gjitha vërejtjet e prezantuara nga ky trup më 2017.

Ndër rekomandimet kryesore të UNESCO-s janë: finalizimi i planit për menaxhimin e rajonit të Ohrit, moratorium për legalizimin e ndërtimeve pa leje, rrënimin e ndërtimeve pa leje në rajonin e mbrojtur ku janë mbi 400 sosh si dhe miratimi i një ligji për pengimin e mëtejmë të ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur nga UNESCO në rajonin e Ohrit.

Zoran Pavllov nga Drejtoria për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, thotë se po punohet në rekomandimet e UNESCO-s, por nuk tregoi se deri në çfarë mase janë përmbushur këto rekomandime nga ministritë përkatëse.

Megjithatë, ai thotë se ende nuk është bërë një studim se cilat janë objektet e ndërtuara pa leje në qendër të Ohrit dhe cilat janë të mbrojtura nga UNESCO dhe cilat objekte do të rrënonin vlerat universale të këtij qyteti.

“Këshilli i Komunës së Ohrit dhe ai Strugës, tanimë kanë vendim për moratorium për të gjithat ndërtimet urbane. Ky është një nga aktivitetet që jemi koncentruar. Nuk mund të presim që brenda natës të zgjidhen të gjitha problemet që janë shtresuar me dekada. Me rëndësi është se po bëhen hapa në këtë drejtim dhe angazhimi i qeverisë për të shpëtuar Ohrin është evident”, thotë Pavllov.

Image
Liqeni i Ohrit.

Por, Alksandra Bujarovska nga organizata joqeveritare “Front 21/42”, që monitoron zbatimin e rekomandimeve të UNESCO-s, thotë për Radion Evropa e Lirë se pushteti lokal nuk ka qartësuar se çfarë veprime duhet ndërmarrë që të plotësohen rekomandimet e UNESCO-s, veçanërisht për rrënimin e objekteve pa leje, që në masë të madhe kanë prishur pamjen autentike të qytetit të Ohrit.

“Kjo çështje nuk duhet të jetë debat nëse duhet dhe kur duhet të rrënohen objektet pa leje.Këto objekte kanë vendime të plotfuqishme nga gjykatat dhe të njëjtat menjëherë duhet të rrënohen. Është e dhimbshme t’i dëmtohet dikujt kapitali, por më e dhimbshme është që ne si shtet të humbasim këtë perlë që kemi si trashëgimi”, thotë Bujarovska, duke shtuar se duhet respektuar rekomandimi që ka dhënë UNESCO për moratorium të të gjitha ndërtimeve, madje edhe për ato që kanë leje ndërtimi.

Nga ana tjetër, Agron Biba aktivist për mbrojtjen e qytetit të Ohrit, thotë se duhet kushtuar kujdes që Ohri ta ruajë edhe elementin e vlerave shumetnike të qytetit, që sipas tij, për dekada të tëra këto gjurmë janë synuar të shlyhen “nga ana e autoriteteve maqedonase”.

Biba shton se në kuadër të plotësimit të rekomandimeve të UNESCO-s, vëmendje të veçantë duhet kushtuar ruajtjes së karakterit shumetnik të Ohrit.

“Mendoj se në këtë moment, Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtëror i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut duhet të kyçet në zbardhjen e të vërtetës mbi Ohrin”.

“Ka historian që kanë përmendur rëndësinë e kulturës shqiptare dhe trashëgimin e shumë vlera të Ohrit, që në këtë situatë, mendoj se duhet të angazhohen për të bërë një studim, meqë Ohri ndodhet në një situatë të këtij, ku sytë e botës janë orientuar këndej”, thotë Biba.

Image
Sipas të dhënave, janë mbi 400 ndërtime pa leje në qytetin e Ohrit.

Ndryshe, gjatë kësaj jave, një grup qeveritar, i kryesuar nga ministri pa resor, i angazhuar për diasporën, Edmond Ademi, ka takuar përfaqësuesit e Komunës së Ohrit dhe Strugës, ku kanë biseduar për zbatimin e rekomandimeve të UNESCO-s.

Nga qeveria kanë njoftuar se “nga ekspertët e jashtëm të cilët e përpunojnë Vlerësimin strategjik të mjedisit jetësor, është porositur qëllimet e planit të fokusohen drejt urbanizimit të kontrolluar, përforcimin e kapaciteteve drejtuese të institucioneve kompetente, mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, ngritjen e vetëdijes dhe edukimit si edhe funksionalitetin e rritur ekologjik në bregun e liqenit” të Ohrit./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...