Ndërtimi i shkollës në Bardh të Bllacës, në pritje të projektit

Maqedonia

Ndërtimi i shkollës në Bardh të Bllacës, në pritje të projektit

Më: 7 tetor 2019 Në ora: 22:39
Ilustrim

Nisja e punimeve për ndërtimin e shkollës fillore në lagjen Bardhi, të fshatit Bllacë të Shkupit duket se është çështje ditësh. Kreu i komunës Çuçer Sandevë, Jovan Pejkovski tha për Alsat se kanë përmbyllur të gjithë procesin që ka të bëj me ndërtimin e një objekti të ri shkollor. Megjithatë ai shtoi se hedhja e gurthemelit do të bëhet sapo Ministria e Arsimit do të marr miratimin pozitiv për cilësinë e projektit të shkollës nga institucionet përkatëse. Madje, Pejkovski kujtoi se është në kontakt të vazhdueshëm me udhëheqësinë e Ministrisë së Arsimit për të rrumbullakuar dokumentacionin e duhur për këtë objekt të ri shkollor.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, herën e fundit kemi kontaktuar para 1 muaji ose një muaj e gjysmë dhe e di që projekti ishte gati, vetëm duhej që aplikacionin e projektuesit ta dorëzojë për miratim për ndërtim dhe miratimin për ndërtim duhet ta lirojmë nga shpenzimet e taksave komunale. Ky vendim do të kalojë në këshill dhe menjëherë mund të fillojnë punimet për ndërtim, unë e di që janë siguruar paratë dhe gjitha nevojat tjera”-tha Jovan Pejkovski, kryetar i komunës Çuçer Sandevë.

Një ditë më parë, ministri i Arsimit, Arbër Ademi tha për Alsat se këtë vit parashihen mjete për ndërtimin e shkollës në lagjen Bardhi. Madje, sipas Ademit këtyre ditëve pritet të përfundojnë procedurat që kanë të bëjnë me revizionin e dokumentacionit teknik dhe të njëjtat ti kalohen komunës Çuçer Sandevë për të dhënë lejen për fillimin e punimeve ndërtimore.

Pavarësisht premtimeve të institucioneve të lartpërmendura, banorët e Bardhit shprehen skeptik se një objekt shkollor do të ngrihet në fshatin e tyre. Madje, banorët kujtojnë se Jovan Pejkovski tashmë ka mandatin e tretë si kryetar i komunës Çuçer Sandevë dhe për gjithë këto vite asnjëherë nuk e ka marr seriozisht kërkesën e banorëve për ndërtimin e një objekti të ri shkollor në lagjen Bardhi.

Në mungesë të shkollës, nxënësit e Bardhit edhe këtë vit shkollor e kanë nisur në shkollën fillore “Ilaz Thaçi” të Hanit të Elezit, ku dekada me radhë kanë mësuar edhe prindërit e tyre. Ndërkohë, si rezultat i vështirësive të mëdha me të cilat për çdo ditë përballen fëmijët e Bardhit mes dy kufijve, Maqedoni-Kosovë, shumë nxënës tashmë kanë nisur të transferohen në shkollat e Shkupit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat