Maqedoni, nëntë milionë euro për ta pastruar ujin e Vardarit - Bota Sot
Maqedoni, nëntë milionë euro për ta pastruar ujin e Vardarit

Maqedonia

Maqedoni, nëntë milionë euro për ta pastruar ujin e Vardarit

Më: 25 janar 2020 Në ora: 19:48
Foto ilustrim

Mbi 9 milionë euro do të ndajë Bashkimi Evropian për ndërtimin e kolektorëve për ujërat e zeza në lumin Vardar në komunën Aerodrom, kurse pas kësaj, do të fillojë edhe ndërtimi i stacionit filtrues për qytetin e Shkupit.

“Ky është projekt për mjedisin jetësor, i cili do ta bëjë realitet vizionin tonë të përbashkët që Vardari sërish të jetë i pastër. Kolektorët do t’i çojnë ujërat e zeza jashtë qytetit deri në vendin i cili në të ardhmen do të jetë stacion filtrues. Ky është vetëm një nga projektet”, tha euroambasadori, Samuel Zhbogar.

Paralajmëroi ndërtimin e stacioneve filtruese edhe në Tetovë dhe Manastir, si dhe fazën e dytë në Kërçovë. Ministri i Mjedisit Jetësor, Naser Nuredini, deklaroi se ky është investimi më i madh sa i takon ambientit në vendin tonë bashkë me BE-në dhe institucionet e ndryshme.

“Presim që sistemi i kolektorëve të përfundojë deri në fund të vitit dhe të fillojë procesi i ndërtimit të stacionit filtrues gjithashtu këtë vit. Ky projekt është garanci se lumenjtë në të ardhmen do të jenë më të pastër. Gjithashtu do të kemi bashkëpunim më të mirë me fqinjët tanë, sepse lumenjtë tanë kalojnë edhe në vendet e tyre”, deklaroi ministri Naser Nuredini.

Në fund të vitit të kaluar u nënshkrua edhe një marrëveshje për huamarrje me Bankën Evropiane të Investimeve për ndërtim të një stacioni filtrues në Shkup. Sipas nënkryetarit të Bankës, Mekdauel, ky është një projekt tejet i rëndësishëm, i cili duhet të kontribuojë për përmirësim të cilësisë së lumit Vardar.

“Asgjë nuk është më e rëndësishme se projekti për stacionin filtrues për ujërat e zeza në Shkup. Këtu prapa nesh e shihni lumin Vardar, i cili kalon nëpër Shkupin dhe përgjatë gjithë vendit deri në Greqi. Tani lumi është i ndotur nga mbeturinat e kanalizimit dhe ky projekt do të kontribuojë për standarde të kënaqshme dhe për cilësinë e ujërave që e presin qytetarët. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm”, endrju Mekdauel nga Banka Evropiane e Investimeve.

Para përfundimit të vizitës së tij në vend, mbikëqyrje në lokacionin e paraparë bëri edhe kryetari i Këshillit të Evropës, Michel, bashkë me euroambasadorin Zhbogar, zëvendëskryeministrin Osmani dhe ministrin Nuredini.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat