OEMVP prezantoi Platformën ekonomike para VMRO- DPMNE-së

Maqedonia

OEMVP prezantoi Platformën ekonomike para VMRO- DPMNE-së

Më: 18 shkurt 2020 Në ora: 20:45

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) në mënyrë konzistente shpalos kërkesat e komunitetit të biznesit ndaj partive politike në këtë periudhë parazgjedhore.

Takimet e kësaj jave vazhdojnë me partinë politike të VMRO-DPMNE-së, në krye me Hristijan Mickoskin, që njëkohësisht është edhe partia më e madhe opozitare në vend. Kërkesat reale që ekzistojnë tek sektori i biznesit në vendin tonë, grupohen në Platformën Ekonomike për zhvillim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e përgatitur nga ana e OEMVP-së.

“Platforma e lartpërmendur si dokument zyrtar përmban parime themelore mbi të cilat duhet të ketë bashkëpunim mes komunitetit të biznesit dhe partive politike të cilat do të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme. Ajo përmban 93 propozime të ndara në 9 fusha të ndryshme, theksojnë nga OEMVP”, ka thënë Hoxha.

Sipas analizave të shumta të bëra nga ana e OEMVP-së, ka sektorë në të cilët duhet vëmendje e menjëhershme. Së pari, sipas tyre, duhet të ketë komunikim mes odave ekonomike në vend dhe Qeverisë, që ato të kyçen në vendimmarrjen dhe të gjitha politikat të cilat tangojnë bizneset, të ketë reforma në institucionet shtetërore dhe publike, duke përfshirë këtu kyçjen e odave ekonomike në grupin e ekspertëve të Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik në përzgjedhjen e projekteve të fazës së parë, ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, me qëllim të përmirësimit të shkëmbimit tregtar, dhënia e statusit të veçantë zonës së Vizbegut, zhvillimi i turizmit dimëror dhe veror në Kodrën e Diellit si dhe shumë kërkesa tjerat të cilat do të mundësojnë përmirësimin të klimës të përgjithshme për të bërë biznes në vend. Vlen të theksohet se kjo platformë është dokument që përditësohet në bazë të kërkesave reale të biznesit.

Nebi Hoxha theksoi që bashkëpunimi mes odave dhe partive politike është shumë i rëndësishëm në sferën e përmirësimit të kushteve të të bërit biznes, ndërsa nga ana tjetër Hristijan Mickoski theksoi që ishte një takim shumë cilësor dhe kërkesat nga ana e OEMVP-së do të merren parasysh.

“OEMVP si përfaqësuese legjitime e bizneseve gjithmonë do t’i integrojë kërkesat e tyre si prioritare në raport me partitë politike, duke lobuar për përmirësimin e mirëqenies ekonomike në vend. Kjo platformë është pikënisje e realizimit të kërkesave të biznesit”, ka thënë Hoxha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat