Rasti “Alfa” rikthehet nga fillimi

Maqedonia

Rasti “Alfa” rikthehet nga fillimi

Më: 21 shkurt 2020 Në ora: 16:27
Pamje nga vendi i ngjarjes

Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Penale dhe ka kthyer në fillim procesin gjyqësor për rastin “Alfa” që ka të bëjë me vrasjen e policit në parkingun e Fakultetit Matematiko-natyror në Shkup.

Gjykata ka pranuar ankesën për përsëritjen e procedurës të parashtruar nga Rexhail Qerimi dhe Agim Islami përmes avokates së tyre Artene Iseini dhe kjo nënkupton se lënda kthehet përsëri në gjykatën e shkallës së parë në rigjykim.

Kujtojmë se, në parkingun e fakultetit matematiko natyror në Shkup, me një breshëri plumbash nga kallashnikovi, më 26 nëntor të 2008-tës, ishte vrarë polici shqiptar nga njësiti Alfa, 38 vjeçari Afrim Arifi. Por ishin plagosur edhe dy kolegët e tij maqedonas me të cilët kishte qenë në patrullë, Sashe Petrovski dhe Edvard Aleksovski. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi nga fshati Opajë i Kumanovës dhe Agim Islami nga Shkupi.

Me nëntë vjet burg u dënua Ramadan Shaqiri si bashkëpunëtorë në krim, kurse me burg te përjetshëm u dënua edhe Almir Drpljani, i cili ishte në arrati, por më vonë u ekstradua në Maqedoni për ta vuajtur burgun. 10 vjet më vonë, u publikuan pamjet nga kamera e sigurisë që ka filmuar vrasjen e policit të njësitit “Alfa”, gjë që u dha shpresa të reja të burgosurve se do të mund të dëshmohet pafajësia e tyre. Pamjet nuk ishin të pastra, ndërsa pavarësisht paqartësisë në fytyrat e personave që kanë gjuajtur, të akuzuarit thonin se nëpërmjet madhësisë së trupave mund të vërtetohet se nuk ngjason me trupat e sulmuesve. Nga pala mbrojtëse e të dënuarve me burg të përjetshëm kërkuan që video-materialit d t’i bëhet ekspertizë ndërkombëtare për të vërtetuar fytyrat e vrasësve.

Madje Avokati Jovan Joanidis pati deklaruar se as gjykata supreme nuk ka dhënë shpjegim të qartë nëse kryerësit e veprës kanë qenë të dënuarit. Familjarët e të dënuarve madje shpresat e tyre i patën mbështetur pikërisht tek Prokuroria Speciale Publike për rihapje të rastit, pasi ata besonin se mund të gjenin biseda të përgjuara që do ta zbardhnin të vërtetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat