Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në kërkim të zgjidhjes për kapërcim të dallimeve

Maqedonia

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në kërkim të zgjidhjes për kapërcim të dallimeve

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 22:20
Foto Ilustrim

Bullgaria e konteston emrin e shkurtër të Republikë së Maqedonisë së Veriut dhe gjuhën maqedonase. Kështu deklaron Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Ai po ashtu shtoi se të dy vendet kanë pritje të ndryshme edhe nga Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë e cila është nënshkruar më parë, e për këtë qëllim kanë formuar grupe të punës që të tejkalohen këto dallime. Osmani thotë se në qoftë se grupet punuese do të kenë vështirësi për të gjetur gjuhë të përbashkët, atëherë janë të gatshëm që t’i ndihmojnë ata.

“Në tekstin e kornizës negociuese janë kontestuar dy momente, nën një emri i shkurtër, gjuha dhe natyrisht nevoja për të ndjekur implementimin e marrëveshjes gjatë gjithë procesit të negociatave, ata kërkojnë kapitull të veçantë për raportet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që do të thotë për implementimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë”, tha Bujar Osmani.

Pavarësisht çështjeve të hapura mes Shkupit dhe Sofjes, Osmani mbetet optimist se bisedimet me BE-në do të çelen deri në fund të vitit.

“Natyrisht si parakusht për të hapur këtë mbledhje të parë, ose për fillim të bisedimeve, duhet të ketë konsensus për këtë tekst, për të cilën Bullgaria ka vërejtjet e saj dhe i ngrit atje. Prandaj janë këto bisedime që bëhen ndërmjet dy ministrive të jashtme të dy vendeve, për ti parë se cilat janë pritjet, cilat janë dallimet dhe ku mund të gjejmë një gjuhë të përbashkët”, pohoi Bujar Osmani.

OBRM-PDUKM-ja nga ana tjetër akuzon Zaevin se po e shkatërron identitetin maqedonas.

“Goce është vija e kuqe e dinjitetit kombëtar maqedonas dhe për të nuk guxon që të ketë negociata, po ashtu edhe për gjuhën maqedonase, për të cilën Zaev pohonte se është garantuar me marrëveshjen të cilën e nënshkroi me Greqinë. Duket se gjithçka që tha Zaev është gënjeshtër dhe në çdo negociata të reja ai shkatërron copë pas cope indin maqedonas”, tha Naum Stoillkovski.

Pas deklaratës së një dite më parë të Zaevit se është i gatshëm të firmosë një deklaratë të re me Bullgarinë, nga OBRM-PDUKM përsëritën qëndrimin se çdo marrëveshje e re që mund ta cenojë gjuhën maqedonase dhe figurën e Goce Dellçevit do të prishet nga qeveria e cila do të udhëhiqej nga OBRM-PDUKM-ja.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat