Rustemi: Korridori 8 do të ndikojë në rritjen e tregtisë mes shteteve fqinje

Maqedonia

Rustemi: Korridori 8 do të ndikojë në rritjen e tregtisë mes shteteve fqinje

Më: 4 prill 2021 Në ora: 22:01
Foto ilustrim

Para disa ditëve u firmos marrëveshja për ndërtimin e korridorit 8 me kompaninë amerikane Bechtel Enka. Ne nënshkrimin e memorandumit morri pjese edhe ambasadorja e SHBA në Shkup Kate Marie Byrnes.

Punimet do të fillojnë atëherë kur do të përpilohet ligji i cili duhet të votohet në Kuvend. Por cilat janë përfitimet e këtij projekti!?

Me ndërtimin e Korridorit 8, hapja e fushave të reja ekonomike është e pashmangshme. Ekonomia e vendit do të ketë një përfitim të drejtpërdrejtë, por edhe të tërthortë, nga tranzitimi i kamionëve midis Shqipërisë dhe Bullgarisë, thotë analiza e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Drejtori i NP “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rrustemi thotë se ky korridor është i një rëndësie të madhe sepse lidh lindjen me perëndimin, me çka siç thotë do të ndikojë në rritjen e tregtisë mes shteteve fqinje.

“Korridori 8 është jashtëzakonisht i rëndësishëm pasi që lidh lindjen dhe perëndimin. Kur flasim për korridorin 8 flasim nga Deve Bairi në kufi me Bullgarinë deri në Qafë Thanë në kufi me Shqipërinë. Në fakt është lidhje mes lindjes dhe perëndimit dhe në qoftë se e shohim tani ne kemi aktivitete në tërë Korridorin 8 dhe prioriteti kryesor edhe i Qeverisë edhe NP “Rrugët Shtetërore” është që të kemi ndërtimin e komplet korridorit 8”, tha Ejup Rrustemi – Drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.

Sipas analizës së Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Korridori 8 është i rëndësishëm jo vetëm për rritjen e shkëmbimit tregtar midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, por edhe me Republikën e Bullgarisë, mallrat e së cilës do të duhet ta përdorin të njëjtin.

“Me ndërtimin e korridorit 8, dukshëm rritet shkëmbimi tregtar në mes vendit tonë dhe Shqipërisë, Bullgarisë, dhe jo vetëm”, thuhet në analizën e OEMVP-së.

Korridori 8 duhet të shtrihet nga Varna Bullgari deri në Durrës Shqipëri, me një gjatësi totale prej 1,350 km. Rrustemi thotë ky projekt do të jetë gati deri në fund të 2025-tës. Sipas OEMVP-së shteti mund të marrë të ardhura të konsiderueshme nga transiti i automjeteve përgjatë korridorit 8 vetëm nga importi dhe eksporti pa marrë parasysh transportin e brendshëm.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat