Zbulohet e vërteta e sëmundjes së Luizit, deklaratat e njerëzve të afërt dhe kura e këngëtarit

Mediale Vip

Zbulohet e vërteta e sëmundjes së Luizit, deklaratat e njerëzve të afërt dhe kura e këngëtarit

Më: 15 janar 2023 Në ora: 11:18
Luiz

Dramatike është shndërruar situata në shtëpinë e “Big Brother” ditët e fundit. Gjithçka ndryshoi kur Luizi bëri një rrëfim të rëndë përballë Kiarës, duke tronditur kështu jo vetëm moderatoren, por gjithë publikun. Në një bisedë veçmas me moderatoren, këngëtari ka rrëfyer se gjatë një vizite që kishte bërë rezultoi që vuante nga një sëmundje e rrallë ku në të gjithë botën janë vetëm 11 klinika të cilat e kurojnë.

“Shkova për të bërë një ‘chek-up’ dhe më doli. Kam ikur në gusht në Bergamo dhe më doli”, tha ai. “Thonë që është sëmundje e rrallë, 11 klinika janë në botë për këtë. Njëra që jam interesuar ishte e zënë deri në gusht”,shtoi më tej Luizi. Por gjithçka ndryshoi, kur vetë këngëtari ndryshoi versionin e tij të historisë.

Në dhomën e rrëfimit, Luizi ka thënë se i gjithë rrëfimi i bërë ndaj Kiarës është “historia e një shoku”. “Vjen një moment që njeriu do të flasë dhe për njerëz të tjerë, jashtë shtëpisë, pa thënë emra” i përlotur, Luizi ka thënë se qëllimi i tij është ta ndihmojë financiarisht mikun e tij me kurimin dhe madje kjo është dhe një nga arsyet pse ka hyrë në “Big Brother”.

Megjithatë, rrëfimi i Luizit ishte në vetën e parë, gjë që solli një konfuzion te banorët, shikuesit dhe sigurisht edhe tek Arbana. Pyetur disa herë nga kjo e fundit, Luizi shtoi: “Pata simptoma të ngjashme me atë të mikut tim dhe më kapi frika. Nuk dua që njerëzit të më shohin nga ai Luizi që qesh, që bën batuta dhe që më pëlqejnë për lojërat e mia, në atë Luizin që e ‘mëshirojnë’”. Megjithatë, Luizi është shoqëruar për në spital ku dhe kreu të gjitha diagnostikimet për të bindur publikun rreth shëndetit të tij.

Ishte mjekja pneumologe, Holta Tafa, që zyrtarisht u shpreh se Luizi, pas ekzaminimeve, rezulton se nuk vuan nga asnjë sëmundje akute e mushkërive. Në fjalën e saj, doktoresha u shpreh se pacienti erdhi në spital, duke u ankuar për tri episode të largëta nga njëratjetra që ka ndeshur me gjurmë gjaku në pështymë.

Pra, që në prezantimin e tij në spital, vetë banori i “Big Brother” nuk ka folur për një sëmundje që vuante, apo ishte diagnostikuar më herët, por vetëm për episodet e ndodhur me gjurmët e gjakut. Kështu, vetë Luizi që në përballjen e parë me stafin spitalor, ka mohuar të ketë një sëmundje të rëndë, duke pranuar të ekzaminohet vetëm për simptomat e shfaqura së fundmi.

“Pacienti Luiz është paraqitur për shkak të ankesës për prani të gëlbazës me gjak, kanë qenë episode të shkurtra, gjithsej 3 episode, me distancë kohore. Është ekzaminuar dhe ekzaminimet laboratorike kanë rezultuar normale, përfshirë dhe analizën e trombozës, përfshirë edhe biokimikun. Nisur nga këto të dhëna, pacienti procedohet me skaner të thjeshtë ku si rezultat i përgjigjes nga mjekja nuk rezultojnë probleme akute pulmonare. Ka kryer edhe konsultë me kardiologun dhe ka rezultuar normal. Në këto kushte, pacientit i rekomandohet mjekim me antibiotik dhe një rikontroll sipas nevojës”, u shpreh doktoreshë Tafa.

Ndërkohë, në rrjet kanë qarkulluar edhe analizat e bëra nga artisti, ku dhe tregojnë vlerat reale të analizave. Një nga analizat ka dalë mbi normë dhe është neutrofile, shenjë që tregon sëmundje nga e cila mund të vuajë një person. Në rrjet gjithashtu të shumtë kanë qenë njerëzit që kanë thënë se Luizi vuan nga sëmundja e “bronkiektazi”(sëmundje që prek muret e bronkeve,trash venat e gjakut dhe mushkëria bëhet më e predisponueshme për të marrë infeksion).

Ajo çfarë na ra ne në sy ishte një koment i një ndjekësi, i cili shkruante se është komshiu i këngëtarit në qytetin e Shkodrës. Në një nga postimet e “Big Brother Vip”, ai ka komentuar duke thënë se lajmi i cili po qarkullon është i vërtetë, duke zbuluar se i ati i këngëtarit ka humbur jetën nga e njëjta sëmundje. Gjithashtu më tej, komentuesi bën me dije se edhe halla e Luizit vuan po nga e njëjta sëmundje.

“Është i vërtetë lajmi e ka kaluar e i është shfaqur prapë. Unë e kam komshi në qytetin e Shkodrës. Babai i ka vdekur shumë i ri prej sëmundjes, konfirmoj që edhe halla e vet është shumë e sëmurë”, shkruan ai. Por në fakt, vetë Luizi në shtëpinë e “Big Brother” ka zbuluar se babai i tij ka humbur jetën nga një atak kardiak dhe nuk ka përmendur asnjë sëmundje. Vetë artisti ka zbuluar sesi e mori vesh humbjen e papritur të babait, në mbrëmjen e 24 dhjetorit disa vite më parë.

Dhe në fakt, Luizi është duke u kuruar me antibiotikë për një infeksion të lehtë, duke mos pasur patologji të rënda në trup. Nga ana tjetër, artisti ka pranuar se e ka sajuar gjithë këtë histori, duke ndryshuar kështu versionin e tij të parë, që nëse fliste, përfundonte edhe në pranga. Në një bisedë me Kiarën pas programit, ai tha:

“Mendo këto gjëra: Jam më i preferuari i shtëpisë, jam më i forti aq sa nuk munden të më nominojnë, bëhen aleanca kundër dhe sërish nuk kanë çfarë të më bëjnë. E vendos unë të them ‘jo, s’më pëlqen kështu. Kam qejf të jem gropë komplet, i zhytur, i urryer dhe i nominuar’. Të duket normale? Për një njeri normal flas, se një i çmendur edhe e bën”.

“Kurdo që të dalësh nga kjo shtëpi, unë një ditë do të të takoj vetëm, sepse e kam detyrimin moral që të ta shpjegoj fjalë për fjalë. Këtu nuk mund të flas më shumë. Nëse do të më kuptosh, më shih në sy. […] Këtu nuk e merr vesh kurrë. Kaq. Ndoshta nuk të intereson mbrapa kur të dalim, kurdo që të jetë, por pa ta thënë nuk e lë, sepse e kam detyrim moral. Do ta them fjalë për fjalë dhe më beso që s’do të më shohësh me këta sy. Kaq”, shton ai.

Sërish drejtuar Teas, ai thotë “mos më bëj të flas më se më vihen edhe prangat kur të dal jashtë. Meqë je dhe juriste, i di vetë”, sepse, shton më tej, “nuk bën me shkel ligjin”. Ndërkohë, në rrjete sociale njerëzit janë të mendimeve të ndryshme. Disa e quajnë gënjeshtar, ndërsa të tjerë janë të bindur se ai vuan nga një gjendje shëndetësore (jo domosdoshmërish tumor), por nuk preferon të flasë. Por, duket se vetë Luizi të nesërmen e spektaklit e ka kundërshtuar edhe këtë version, duke thënë se gjithçka që bëri ishte një gomarllëk dhe as vetë s’e kishte kuptuar pse e kishte sajuar këtë histori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat