Gjithçka e paqartë për kandidimin e Albin Kurtit për deputet

Politika

Gjithçka e paqartë për kandidimin e Albin Kurtit për deputet

Nga: A.Z Më: 6 janar 2021 Në ora: 19:45
Albin Kurti

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka publikuar vendimin, me të cilin ka rrëzuar Qeverinë Hoti dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja

Sipas vendimit, edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes Albin Kurti, nuk mund të kandidojë për deputet. Kjo ka ngjallur shumë reagime.

Analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Qeverinë Hoti si jo kushtetuese, ka bërë të ketë paqartësi kur bëhet fjalë për mundësin e kandidimit të deputetëve të cilët janë dënuar me aktgjykim të formës së prerë.

“Pasi që Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendim për Qeverinë Hoti si jo kushtetuese, ka lënë paqartësi kur bëhet fjalë, për mundësinë e kandidimit të atyre deputetëve të cilët gjatë periudhës së kaluar trevjeçare janë dënuar me aktgjykim të formës së prerë. Juristët si njohësit më të mirë të kushtetutës I kanë të ndara mendimet lidhur më këtë çështje. Disa janë të mendimit se kanë të drejtën e kandidimit", tha ai.

Më tej ka shtuar se mendimet për atë se deputetët të cilët kanë pasur aktakuza dhe janë dënuar nga gjykata, nuk e kanë të drejtën në garë për deputet, me që rast as lideri i LVV-së, Albin Kurti i cili është dënuar me kusht.

“Kurse disa të tjerë mendojnë se deputetët që kanë pasur apo kanë të ngritura aktakuza ndaj tyre dhe janë dënuar nga gjykata, nuk kanë të drejtë të futen në garë për deputet, në këtë kontest as lideri i LVV-së , Albin Kurti, i cili është dënuar pak më shumë se një vit me kusht. Kjo si duket do të mbetet të sqarohet me një vendim të ri të gjykatës, e cila është kundërshtuar nga LVV-ja, duke e quajtur dashakeqe. Madje ka mendime se Albin Kurti nuk ka mundësi ligjore as për kryeministër të Kosovës, gjë që duket vërtetë diçka absurde dhe lenë dyshime për ndonjë përgatitje që Kurti të hiqet edhe nga kandidatura për kryeministër, nëse LVV-ja i fiton zgjedhjet”, shtoi ai.

Tutje ka theksuar se edhe këtë herë është duke ndodhur e njëjta sikurse me rastin e zgjedhjes së Qeverisë Hoti, që ka pasur kandidat të dënuar me kusht por që kanë qenë të lejuar të kandidojnë për zgjedhjet paralmentare.

Lidhur me mundësin e Kurtit për deputet, Mulliqi thotë se ende nuk është e qartë dhe se mund të bëhet me një interpretim të ri të Gjykatës Kushtetuese, të hiqet çdo dilemë dhe për të mos lënë dyshimin e ndërhyrjeve të natyrës politike.

“Edhe kësaj radhe si me rastin e zgjedhjes së Qeverisë Hoti, kur u formua nga partia e dytë fituese, sikur një praktikë e tillë po na përsëritet, kur dihet se ka pasur kandidatë që janë dënuar me kusht, por që janë lejuar të kandidojnë për zgjedhjet parlamentare. E kjo çështje sikur tash nuk po vlen. Lidhur me mundësinë apo pa mundësinë e kandidimit të Albin Kurtit për deputet, përkatësisht për kryeministër, ende duket se nuk është bërë gjithçka e qartë, e kjo mund të bëhet me një interpretim të ri të Gjykatës Kushtetuese. Duhet të hiqet çdo dilemë në këtë drejtim për të mos lënë dyshimin e ndërhyrjeve të natyrës politike, që do t’i kushtonte shumë Kosovës. Nuk mund të ndalohet tek e fundit jetësimi i vullnetit të shumicës për ndryshime pozitive në Kosovë me asnjë vegëz të kontestuar kushtetues”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat