Rrëzimi i Qeverisë Kurti, ëndërr e pamundur politike e Avdullah Hotit dhe opozitës

Politika

Rrëzimi i Qeverisë Kurti, ëndërr e pamundur politike e Avdullah Hotit dhe opozitës

Arife Morina Nga Arife Morina Më 27 qershor 2021 Në ora: 12:47
Avdullah Hoti dhe Albin Kurti

Akuzat dhe kritikat mes pozitës dhe opozitës janë bërë të zakonshme gjatë seancave parlamentare.

Aq sa, në seanën e fundit të Kuvendit, ish-kryeministri Avdullah Hoti, tani deputet i LDK-së, ‘kërcënoi’ me rrëzim Qeverinë Kurti, shkruan “Bota sot”.

E gjithë kjo filloi kur deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti në seancën e Kuvendit filloi të flasë për marrëveshjen e Uashingtonit dhe ujdinë lidhur me liqenin e Ujmanit, për të cilën doli edhe studimi i fizibilitetit nga amerikanët.

‘’Duke qenë në qeveri, presim që të tregohet maturi për këtë marrëveshje. Tash doli raporti për Ujmanin, ka qenë absurd atëherë të thuhet se kjo marrëveshje cenon sovranitetin. A e cenon sovranitetin e Kosovës studimi i fizibilitetit për liqenin e Ujmanit i përgatitur nga Amerika. Ju kam thënë të mos nguteni sepse koha po i nxjerr të vërtetat dhe mashtrimet. Amerika e ka konfirmuar se do të vazhdoj të zbatoj këtë marrëveshje’’, tha Hoti.

E duke u mbështetur në deklaratën e lartpërmendur, Hoti paralajmëroi edhe rrëzimin e qeverisë nëse nuk e zbaton Marrëveshjen e Uashingtonit.

‘’Duhet t’i zbatojnë këto projekte përndryshe nuk do ta kenë gjatë”, deklaroi deputeti Hoti.

E këtë, paralajmërim të Hotit për rrëzimin e Qeverisë Kurti, analistët politik e shohin diçka të pamundur, shkaku i mungesës së numrave.

Madje, këto deklarata të Hotit i cilësuan ilegjitime, shkaku se ai në të kaluarën ka qenë kryeministër antikushtetues.

Mehazi: Deklarata e Avdulla Hotit për rrëzimin e Kurtit është vetëm ëndërr politike!

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi gjatë prononcimit për gazetën “Bota sot” komentoi ‘kërcënimin’ që ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ia bëri kryeministrit aktual Albin Kurtit.

Ai u shpreh se ish-kryeministri Hoti sa ishte në krye të qeverisë sillej butë me të gjithë, madje edhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, kurse tani si deputet po sillet ashpër dhe po kërcënon me rrëzim të qeverisë kryeministrin Kurti.

“Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sa i butë ishte gjatë qeverisjes së tij aq sa presidenti i Serbisë Vuçiq e konsideronte qengj e luajti në takimin e Uashingtonit me të si donte vetë duke i thënë "razumeš srpski", Hoti në vend që t'ia kthente me të njëjtën masë: "ti razumeš albanski", ia ktheu përgjigjen si nxënësi arsimtarit serb "razumem”, kurse tani si deputet i LDK-së sa i ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurtit sa që i kërcënohet me rrëzimin e qeverisë së tij nëse nuk zbatohet marrëveshja e Uashingtonit”, deklaroi profesori.

Tutje, Mehazi ia bëri një pyetje deputetit Hoti, se a mund të jetë legjitime se marrëveshja e Uashingtonit me nënshkrimin e kryeministri ilegal sikurse ishte ai?

Ai tha se me nënshkrimin e kryeministri ilegal sikurse qe ishte ai.

“Po nëse i bëjmë pyetje zotëri Hotit se marrëveshja e Uashingtonita mund të jetë legjitime me nënshkrimin e kryeministri ilegal sikurse që ishte ai?, e që kushtetuesja rrëzoi ilegalizmin e qeverisjes së Hotit. Pse i nderuar Hoti u shpallën zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë?, e qytetarët me vota ju rrëzuan në fuqi të tretë politike?, po për shkak ilegalizmit tuaj qeverisëse. Pastaj marrëveshja e Uashingtonit nuk zbatohet nga vetë presidenti i SHBA-së, Joe Biden”, nënvizoi ai.

Sipas profesorit, Hoti vetëm po shpreh revoltë ndaj kryeministrit Kurti, pasi presidenti Biden nuk e respekton nënshkrimin e Trumpit, e lërë më nënshkrimin e ish-kryeministrit ilegal të Kosovës.

“I nderuari deputet i LDK-së, Avdullah Hoti vetëm ka shprehur revoltë pikëlluese ndaj Albin Kurtit dhe se e vajton mosrespektimin e nënshkrimit të tij në Uashington. Joe Biden nuk respekton nënshkrimin e Trumpit të Marrëveshjes në Uashington në mes Kosovës e Serbisë, e ku nënshkrimin e ish-kryeministrit ilegal të Kosovës, Avdullah Hotit”, theksoi Mehazi.

Në fund, ai potencoi se është e pamundur të rrëzohet Qeveria Kurti dhe se deklarata e Avdulla Hotit për rrëzimin e Kurtit është vetëm ëndërr politike e tij.

“Hoti për ta rrëzuar qeverinë e Kurtit duhet të ketë numra deputetësh kundër qeverisë së Kurtit e këtë numër deputetësh e ka Albin Kurti në parlamentin e Kosovës. Pra, deklarata e Avdullah Hotit për rrëzimin e Kurtit është vetëm ëndërr politike e tij e asgjë më shumë”, përfundoi Sulejman Mehazi.

Bytyçi: Avdullah Hoti , e ka humbur arsyen pasi e humbi edhe pushtetin

Image
Analisti politik, Adem Bytyçi

Lidhur me paralajmërimin e Hotit për rrëzimin e Qeverisë Kurti, njëjtë mendon edhe analisti politik, Adem Bytyçi.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, u shpreh se deputeti Avdullah Hoti nuk mund ta kërcënojë dhe rrëzojë Qeverinë Kurti, pasi nuk i ka as numrat.

“Hoti para se të kërkonte rrëzimin e Qeverisë Kurti, duhej ta dinte se ishte vetë një kryeministër ilegale, dhe si i tillë sorollatej në disa takime ndërkombëtare. Hoti, nuk mund ta kërcënojë dhe rrëzojë Qeverinë Kurti, sepse përveç që nuk e ka zgjedhur për realizimin e këtij mllefi dhe kësaj urrejtje ndaj Kurtit nuk i ka as numrat”, deklaroi Bytyçi.

Sipas analistit, Hoti nuk duhet të krenohet me marrëveshjen e Uashingtonit, pasi ai me këtë marrëveshje e bëri hisedare Serbinë në një aset të padiskutueshëm, siç është liqeni i Ujmanit.

“Hoti, nuk duhet të kërleshet se ka arritur një marrëveshje aq të rëndësishme me Vuçiqin në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, me të cilën marrëveshje e bënë hisedare Serbinë në një aset të pa diskutueshëm edhe të pa tjetërsueshëm të Kosovës, siç është liqeni i Ujmanit”, u shpreh ai.

Bytyçi potencoi se këtë aset shteti i Kosovës e ka ndërtuar vetë, duke i kompensuar të gjitha shpronësimet me të hyrat vetanake, dhe të gjithë kredinë nga Banka Ndërkombëtare e ka paguar nga të hyrat vetanake, në një periudhë kur Kosova ishte element konstitutiv i Federatës Jugosllave.

“Këtë aset e ka ndërtuar Kosova me mjetet e veta vetanake, i kompensuar me të gjitha shpronësimet me të hyrat vetanake, e gjithë kredinë nga Banka Ndërkombëtare e ka paguar nga të hyrat gjithashtu vetanake në një periudhë kur Kosova ishte element konstitutiv i Federatës Jugosllave dhe territori më i pa zhvilluar në tërë Jugosllavinë, i lënë qëllimisht ekonomikisht i prapambetur për qëllime politike”, nënvizoi ai.

Tutje, analisti përmendi edhe disa dosje që dëshmojnë se liqeni i Ujmanit është pasuri e Kosovës dhe Serbia për funksionalizimin e tij nuk ka dhënë asnjë cent.

“Ekzistojnë dosjet të cilat dëshmojnë se liqeni Ujmanit është pasuri e patjetërsueshme e Kosovës dhe Serbia për funksionalizimin e këtij aseti të Kosovës nuk e ka dhënë qoftë edhe një cent të vetëm. A thua i ka ditë këto fakte Avdullah Hoti, para se ta nënshkruante në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, marrëveshjen për liqenin e Ujmanit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq”, theksoi Bytyçi.

Në fund, ai potencoi se Avdullah Hoti duhet të pres të realizohet fizibiliteti, pastaj të lavdërohet për këtë marrëveshje.

Sipas tij, si një kryeministër antikushtetues, kritikat dhe kërcënimet e Hotit ndaj Qeverisë Kurti, janë ilegjitime!

“Është herët të lavdërohet Hoti- koti, dhe të kërcënojë të tjerët për këtë marrveshje. Të pret të realizohet fizibiliteti dhe ta sheh se a po përfiton diçka pa të drejtë Serbia në këtë aset të Kosovës e pastaj të kërcënojë e shantazhojë të tjerët .

Hoti, duhet ta di nëse nuk do ta di se ishte një kryeministër antikushtetues dhe ilegjitim, prandaj edhe kritikat dhe kërcënimet ndaj Qeverisë Kurti, janë ilegjitime!”, përmbylli Adem Bytyçi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat