Mos emërimi i ambasadorëve të rinj, analisti tregon arsyet, përmend Osmanin dhe Gërvallën

Politika

Mos emërimi i ambasadorëve të rinj, analisti tregon arsyet, përmend Osmanin dhe Gërvallën

Nga: A.Z Më: 28 qershor 2021 Në ora: 12:28
Donika Gërvalla

Edhe pas më shumë se një muaji, prej se janë shkarkuar nga detyra 13 ambasadorë politikë të Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës, ende asnjëri nga ta nuk është zëvendësuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Më 20 maj të këtij viti, kur edhe ishte konfirmuar që presidentja e vendit, Vjosa Osmani kishte dekretuar propozimin e MPJD-së për shkarkimin e ambasadorëve, ministrja Donika Gërvalla, kishte deklaruar se emërimi i të rinjve do të bëhet brenda disa javësh. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

E lidhur me këtë, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se nuk është i lehtë zëvendësimi i 13 ambasadorëve, madje këta ambasadorë janë ata të cilët duhet prezantuar Kosovën në gjithë botën, prandaj edhe duhet të jenë të përgatitur në mënyrë intelektuale, politike dhe shtetërore gjë që kjo është edhe arsyeja e vonesës për zgjedhjen e tyre.

“Për qeveritë serioze e të mençura shumë më rëndësishme është të zgjidhet personi i duhur për ambasador sesa të zëvendësohet një ministër. 13 ambasadorët e shkarkuar nuk është aq lehtë të zëvendësohen me 13 të tjerë, nëse Albin Kurti prezanton qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla prezanton diplomacinë e Kosovës, mirëpo ambasadorët prezantojnë Republikën e Kosovës në shtetet e botës që kërkon përgatitje të madhe intelektuale, politike, diplomatike, institucionale shtetërore. Ambasadorët e Kosovës duhet të jenë përfaqësues me shkallë të larta shtetërore, e shkallët e përgatitjeve kërkojnë kohë, sepse në botë do të prezantojnë Kosovën njësoj sikurse presidentja Vjosa Osmani, prandaj vonohet zgjedhja e 13 ambasadorëve të ri për shkak të përgatitjes disa mujore të kandidatëve për ambasadorë të Kosovës”, potencoi ai.

Pra, sipas Mehazit, ambasadorët kërkojnë përgatitje javore, prandaj edhe deklarata e Gërvallës për emërimin e tyre brenda javës është e arsyeshme. Më tej, ai ka theksuar se përderisa një ambasador ka gradën më të lartë diplomatike, përgjegjësia shtetërore e Gërvallës dhe Osmanit nuk e lejojnë zgjedhjen e shpejtë të ambasadorëve.

“Për t'u bërë ambasadorë të jashtëzakonshëm e fuqiplotë duhet bërë shumë sprova seminaresh e provimesh diplomatike, nuk mund të bëhet ambasador çfarë do lloj personi që nuk e kupton edhe fjalën e ku me përgjegjësitë shtetërore të ambasadorëve Ambasadorët konsiderohen diplomatë të rangut të lartë me përgatitje psiko-fizike, mendore, intelektuale, diplomatike, edukative e profesionale për t'u akredituar në një shtet tjetër sovran dhe si përfaqësues rezident të qeverisë së Kosovës. Prandaj deklarata e ministres së diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvallës se “emërimi i ambasadorëve të ri do të bëhet brenda disa javësh", është e arsyeshme për shkak të përgatitjes së tyre disa javore. Nuk është shaka puna e ambasadorëve, ambasadorët do të jenë pasqyra e Kosovës në botë. Ata janë përfaqësuesit e lartë të qeverisë të vendosur nëpër kryeqytetet e shteteve të huaja. Sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, një ambasador ka gradën më të lartë diplomatike. Pra, përgjegjësia shtetërore e Gërvallës dhe Osmanit nuk lejojnë zgjedhjen e shpejtë të ambasadorëve të rinj të Kosovës”, ka përfunduar Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat