Nuk gjetën ‘paqe’ që nga 14 shkurti, ja çfarë i detyroi Albin Kurti të bëjnë ish-pushtetarët e LDK-së dhe PDK-së

Politika

Nuk gjetën ‘paqe’ që nga 14 shkurti, ja çfarë i detyroi Albin Kurti të bëjnë ish-pushtetarët e LDK-së dhe PDK-së

Nga: A.Morina Më: 4 korrik 2021 Në ora: 13:03
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit parlamentar, në një mënyrë i detyroi Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës, të mbajnë zgjedhje të brendshme partiake.

Fillimisht, muaj më parë LDK zgjodhi Lumir Abdixhikun kryetar të ri të saj, ndërsa gjatë ditës së djeshme edhe PDK iu nënshtrua ndryshimit, duke zgjedhur Memli Krasniqin udhëheqës të ri.

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

Ai u shpreh se shkaku kryesore që LDK dhe PDK mbajtën zgjedhje të brendshmë gjatë këtij viti, është fitorja e thellë e Albin Kurtit në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi

“Memli Krasniqit ia urojmë postin e kryetarit të PDK-së dhe i dëshirojmë suksese!

Zgjedhjet Parlamentare të 14 shkurtit dhe fitorja e Albin Kurti detyroi ish-pushtetarët e LDK-në dhe PDK-në të bëjnë reforma taktizuese duke lënë qëllimisht anësh gardat e vjetra për t'u zëvendësuar me frymë të re partiake”, deklaroi profesori.

Mehazi bëri edhe një krahasim mes Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut. Sipas tij, Krasniqi është më shumë i ekspozuar nga garda e vjetër e PDK-së, ndërsa Abdixhiku për një kohë të shkurtër dobësoi gardën e vjetër të LDK-së.

“Në krahasim me Abdixhikun që fitoi në mes tre kundërkandidatëve të LDK-së, kryetari i ri i PDK-së, Memli Krasniqi në dukje të parë sikur është më i ekspozuar e më i fryrë nga garda e vjetër e udhëheqësve të PDK-së, Thaçi e Veseli për të marrë Krasniqi timonin e PDK-së. Abdixhiku kishte kundërkandidatë, kurse Krasniqi jo. Derisa Lumir Abdixhiku për një kohë të shkurtër dobësoi e eliminoi jo vetëm Isa Mustafën, po dhe Agim Veliun e Selmanaj nga LDK-ja, përkundrazi në PDK mund të ndodh që Memli Krasniqi të mbetet dhe mëtej nën ombrellën politike të Thaçit, Veselit, Hoxhaj e Halitit”, theksoi ai.

Në vazhdim, profesori kërkoi nga kryetari i ri i PDK-së të distancohet nga klani i vjetër, për shkak se nuk do të jetë bindës për qytetarët e vendit

“Nëse kryetari i ri i PDK-së, Memli Krasniqi, nuk largohet nga klani i vjetër e nuk krijon ombrellën e vetë politike të mbushur me anëtarë të ri e të ndershëm në kryesi të kësaj partie atëherë të kota do jenë kritikat ndaj Albin Kurtit për shkak se nuk do jenë bindëse për qytetarët e Kosovës.

Të kritikohet qeveria e Albin Kurtit nga Memli Krasniqi e në anën tjetër të mos largohet nga miqtë e tij e nga politikanët e dështuar të PDK-se sigurisht se nuk do ketë mbështjen e qytetarëve të Kosovës”, vlerësoi ai.

Ndërsa, Mehazi tha se reformat nuk realizohen vetëm me ndryshimin e kryetarëve të partisë, por edhe me ndryshimet që nga kryesia qendrore e deri në degët e nëndegët partiake.

“Reformat e suksesshme të partive opozitare nuk bëhen vetëm me zgjedhjen e kryetarëve të ri, po me ndryshime rrënjësore strukturore që nga lartë e teposhtë, që nga kryesia qendrore e deri në degët e nëndegët partiake”, potencoi ai.

Në fund, profesor Mehazi deklaroi se Abdixhikut dhe Krasniqit i duhet shumë kohë për ta mposhtur kryeministrin Kurti. Pasi, sipas tij, parimet dhe principet politike të Albin Kurtit e kanë kuptimin e moralit politik, ky moral politik i LVV-së nuk do mund të mposhten edhe shumë kohë.

“Memli Krasniqi i PDK-së e Lumir Abdixhiku i LDK-së për ta mundur Albin Kurtin e LVV-së duhet kaluar shumë kohë terapeutike e rehabilituese politike për t'u shëruar plotësisht nga viruset e korruptuara partiake të tyre.

Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku janë trashëgimtarë të partive të korruptuara, kjo trashëgimi korruptive partiake rëndë mund ta mundin Albin Kurtin me parimet e tij të qarta politike ndaj qytetarëve të Kosovës. Parimet dhe principet politike të Albin Kurtit e kanë kuptimin e moralit politik, ky moral politik i LVV-së nuk do mund të mposhten edhe shumë kohë nga PDK-ja e LDK-ja”, përmbylli Sulejman Mehazi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat