Kurti i palëkundur ndaj “presionit” ndërkombëtar, analistët paralajmërojnë Kosovën

Politika

Kurti i palëkundur ndaj “presionit” ndërkombëtar, analistët paralajmërojnë Kosovën

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 korrik 2021 Në ora: 18:29
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Bruksel

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të vazhdojë këtë muaj.

Pavarësisht që takimi i fundit nuk pati rezultat të mirë për asnjërën palë, shpresa që ky takim i radhës të sjellë ndryshim mbetet në pritshmëri.

Mirëpo, ende para takimit, presioni nga ndërkombëtarët për të finalizuar një marrëveshje është prezent tek kryeministri Kurti, shkruan “Bota sot”.

Këtë presion ndërkombëtar e pranoi edhe vet kryeministri Kurti ditë më parë, derisa u shpreh se ka trysni që të zbatojë marrëveshjet e dëmshme me Serbinë.

“Ka trysni mbi mua që të zbatojë marrëveshjet e dëmshme me Serbinë. Zotimet shtetërore disa i ka hedhur Gjykata Kushtetuese, disa s’i zbaton Serbie e disa i ka hedhur populli. Kosova është subjekt në tavolinën e dialogut me Serbinë”, u shpreh Kurti.

Ai tha se do të kapitull të ri të dialogut Kosovë-Serbi, pasi sipas tij, në këto 10 vite të dialogut janë bërë shumë koncesione.

“Dialogu tash e 10 vjet buron nga rezoluta e OKB-së, e 8 shtatorit 2010. Do të ketë kapitull të ri të dialogut që do të ketë takime. Në këto 10 vite janë bërë shumë koncesione. Dialogu ka degjeneruar shumë për këto vite”, shtoi Kurti.

Ndër të tjera, ai shtoi se dialogu për të kurrë s’ka qenë prioriteti numër shtatë, gjersa shtoi se ka bërë një lëshim, duke e vendosur kështu në numër 4.

Kujtojmë se për takimin e fundit që kanë pasur Kurti dhe Vuçiq, ky i fundit ka deklaruar që nuk ka pasur takim më të vështirë kurrë më parë.

Voca: Qeveria Kurti të bashkëpunojë me shtetet mike për çdo marrëveshje

Image
Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris

Në lidhje me këtë temë, Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, për gazetën “Bota sot”, u shpreh se marrëveshjet e mëparshme duhet të shikohen me kujdes dhe të mos jenë në kundërshtim me frymën kushtetuese.

Gjithashtu, profesori shton se një bashkëpunim me shtetet mike duhet të thellohet dhe në këtë mënyrë të mos nënshkruajë asnjë marrëveshje të dëmshme për vendin.

“Marrëveshjet e mëparshme natyrisht që duhet rishikuar dhe analizuar dhe ato që janë në kundërshtim me frymën kushtetuese nuk mund të zbatohen. Pas rishikimit dhe studimit të tyre duhet parë çfarë mund të jetë e zbatueshme e çfarë jo. Pastaj, me një bashkëpunim të thellë me shtetet mike të bëhet e qartë pozita e Kosovës krahas marrëveshjeve të mëparshme. Besoj se Qeveria aktuale ka qartësi të mjaftueshme lidhur me marrëveshjet e kaluara, të dëmshme dhe potencialisht të dëmshme sepse mund të cenojnë integritetin e vendit”, ka thënë profesori.

Bashkëpunimi me vendet mike duhet të thellohen

Tutje, ligjëruesi thotë se për çdo marrëveshje Kosova duhet të bisedojë me vendet që e ndihmuan Kosovën, normalisht vendimin e fundit e jep vet shteti i Kosovës.

Mirëpo, ai thotë se bisedimi me vendet mike asnjëherë nuk është i dëmshëm, përkundrazi është në të mirë të Kosovës.

“Për këto marrëveshje duhet komunikuar shumë afër me shtetet mike të cilët kanë investuar për atë se çfarë Kosova është sot. Vendimet për ato marrëveshje por dhe për marrëveshje të ardhshme duhet marrë gjithnjë pasi që të jenë studiuar të gjitha nuancat e tyre, pra duke bashkëpunuar e komunikuar me shtetet mike. Natyrisht vendimmarrja finale për çdo marrëveshje i mbetet Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, ndërsa bashkëpunimi me vendet mike duhet të thellohet edhe më tutje lidhur me ato marrëveshje që do të kenë rol vendimtar se si do të duket shteti i Kosovës pas miratimit dhe zbatimit të tyre”, ka theksuar Voca.

Profesori thotë se komunikimi i hapur do të duhej të mbisundonte në çdo ndërveprim si me akterët politik vendor ashtu me ata të huaj, edhe pse ai potencon që me një shtet si Serbia bisedimet normale janë shumë të vështira.

“Qeveria duhet t’i komunikojë edhe opozitës studimin e të gjitha marrëveshjeve, në mënyrë që edhe ajo të jap mendimin e saj lidhur me ato marrëveshje paraprake dhe marrëveshjet e ardhshme. Komunikimi i hapur do të duhej të mbisundonte në çdo ndërveprim si me akterët politik vendor ashtu me ata të huaj, lidhur me marrëveshjet e mëparshme dhe ato që mund të bëhen në të ardhmen, fatkeqësisht me një Serbi, politika e së cilës ende mbetet jokonsekuente, e pavëmendshme, që vazhdon me avazin e saj të vjetër si tejet agresive, dhe qëllimkeqe ndaj Shtetit të Kosovës, paqes dhe stabilitetit në rajon”, nënvizoi Voca për “Bota sot”.

Ahmeti: Kurti do të vazhdojë të jetë i palëkundur për qëndrimet e tij

Image
Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, shprehet që arma e fortë e Kurtit është palëkundshmëria e tij për qëndrimet që ka.

Ai shton se edhe konstatimi i Kushtetueses për marrëveshjen është më e lehtë për vepruar pasi ka një ligjshmëri dhe në bazë të saj mund të punohet.

“Arma e fortë është që zoti Kurti është i palëkundur në qëndrimet e tij sa i përket dialogut me Serbinë. Në rastin e marrëveshjeve që janë kontestuar nga Gjykata Kushtetuese është shumë e lehtë për të vepruar, pasi ka një vlerësim të ligjshmërisë dhe duhet të veprohet mbi atë bazë”, tha ai.

Më tej, Ahmeti shprehet se kemi rastin e Asociacionit të komunave serbe dhe kjo është e kontestuar me Kushtetuese mirëpo duhet të merret një vendim që nuk dëmton vendin tonë.

“Kemi rastin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila marrëveshje është kontestuar nga Gjykata Kushtetuese atëherë institucionet mund, por edhe duhet të veprojnë në frymën e interpretimit kushtetues. Duhet të mësohemi të themi jo në ato raste ku potencialisht mund të dëmtohet substanca e Republikës së Kosovës, nga kushdo qoftë që vjen presioni. Vetëm në këtë mënyrë mund ta ndryshojmë qasjen në dialog dhe të jemi në ofanziv në raport shtetin i cili ka shkaktuar krime, Serbinë”, ka deklaruar Hidajet Ahmeti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat