Taktika shantazhuese e Edi Ramës ndaj Albin Kurtit/ Zbulohet qëllimi i saj - paralajmërohet një konflikt i ri mes kryeministrave

Politika

Taktika shantazhuese e Edi Ramës ndaj Albin Kurtit/ Zbulohet qëllimi i saj - paralajmërohet një konflikt i ri mes kryeministrave

Nga: A.Morina Më: 6 korrik 2021 Në ora: 19:37
Albin Kurti dhe Edi Rama - Foto ilustrim "Bota sot"

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij gjatë Samitit të Berlinit deklaroi se “për Kosovën, BE fillon në shtëpi” dhe se e shohin procesin e integrimit jo si një proces “të zhvendosjes në BE”, por “si një proces reformash ku edhe ata të larguar për mundësi më të mira ekonomike, do të ktheheshin”

Kryeministri Kurti u shpreh se Kosova “është plotësisht i përkushtuar për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik”, por nuk e mbështeti idenë e minishengen që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po promovon prej kohësh.

Siç duket, Minishengeni po del të jetë ‘mollë sherri’ për raportet e dy kryeministrave shqiptar, Kurti dhe Rama.

Sipas, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi ‘Minishengeni ballkanik’ është një komendi e Vuçiqit, Ramës dhe Zaevit të cilët po tentojnë ta prezantojnë kryeministrin Kurti si personazh negative.

Ai në një prononcim për gazetën "Bota sot" u shpreh se këtë po e bëjnë Rama me Vuçiqin, pasi Bashkimi Europian nuk po e kundërshton Albin Kurtin dhe qëndrimin e tij kundër iniciativës për formimin e Minishengenit.

Image
Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi

“Sa herë bëhen bashkë Edi Rama, Albin Kurti, Brnabiq dhe Zaev, shohim të luhet e njëjta komedi e regjisorit Aleksandër Vuçiq. Komedia quhet “Minishengen”! Regjisor: Aleksandër Vuçiq, skenarist: Edi Rama, komedian: Zoran Zaev. Ky i fundit vërtet merr pozat e komedianit, mjafton ta shohësh se si ngazëllehet nga hartimet e kryeministrit të Shqipërisë kur ky i fundit trajton frustrimin dhe depresionin “europian“ dhe “qetësinë e paqen në të cilën jetojnë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut“!

Albin Kurtin e quajnë “destruktivist” dhe e prezantojnë gjithnjë si një personazh negativ të komedisë së Minishengenit. Por e vërteta është ndryshe. Autorët e Minishengenit ballkanik nuk janë të qetë. Kryeministri i Kosovës, më shumë sesa BE, i ka lënë ata pa gjumë. Inati i Ramës dhe Vuçiqit është pse BE nuk “ia ngre veshin” Albinit. Pse e lenë të kundërshtojë iniciativën e Beogradit për ta rritur Serbinë në Gadishullin Ballkanik dhe për ta zvogëluar Kosovën si shtet, si territor e si entitet!”, deklaroi profesorii.

Bytyçi e përkrahi qëndrimin e kryeministrit Kurti ndaj Minishengenit, pasi sipas tij Serbia ka për qëllim realizimin e politikave të saj të ndikimit e sundimit në gadishullin ballkanik.

Ai potencoi se bashkëpunimi rajonal dhe integrimi ekonomik duhet të bëhet me vullnetin e të gjitha shteteve, pa bërë presion ndaj shteteve kundërshtare.

“Në fakt, qëndrimi i zotit Kurti ndaj Minshengenit në samitet ballkanike, si në Tiranë, në Prespë a kudo tjetër është një qëndrim parimor, i drejtë, konstruktiv dhe në funksion të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe harmonisë në rajonin tonë. Kërkesa për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik është një e drejtë e bazuar në eksperiencën europiane dhe jo në precedentët që krijon Serbia me qëllim realizimin e politikave të saj të ndikimit e sundimit në gadishullin tonë. Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi ekonomik bazohen në vullnetin e shteteve të një hapësire të caktuar dhe jo të një ose dy partnerëve, të cilët nuk lenë rast pa bërë presion ndaj shteteve kundërshtare, sidomos Kosovës”, theksoi ai.

Në vazhdim, profesori kritikoi ashpër qëndrimet dhe reagimet e kryeministrit Rama ndaj Albin Kurtit. Ai tha se Edi Rama po përdorë një taktikë të veçantë ndaj kryeministrit Kurti, atë të presionit dhe të shantazhit.

“Kur shohim reagimet e Edi Ramës kundër qëndrimeve të Albin Kurtit ndaj Minishengenit, duhet bërë llogaria se cili do të ishte ose do të jetë qëndrimi i tij, nëse Kosova bëhet pjesë e kësaj iniciative. Kur Rama ushtron gjithë këtë frymë presioni e shantazhi ndaj Kosovës, sot kur ajo nuk hyn nën obrellën serbe, a mund të merret me mend se çfarë do të bëjë ai nesër, kur ose nëse Kosova bëhet anëtare e Klubit të Beogradit?! Rama ka si taktikë të tij joshjen, kur dikush e kundërshton dhe pasi t’ia hypë në zverk merr thuprën dhe i grah nga do ai vetë. Në rastin e kundërshtive të Albin Kurtit po luan ndryshe. Po bën presion e shantazh pa fund. Madje për karshillëk përafrohet e puthet me Brnabiq, Vuçiq e këdo tjetër që e ka në krah, me qëllim që t’i japë zotit Kurti mesazhin se “Ti nuk i meriton elozhet e padishahut shqiptar të shekullit XXI”!”, nënvizoi profesor Bytyçi.

Duke parë raportet e tanishme, ai dyshon se mund të ketë përmirësim të marrëdhënieve Kurti-Rama. Madje, ai paralajmëroi edhe konflikt në mes dy kryeministrave shqiptar. Bytyçi tregoi edhe se si kryeministri Rama do të synojë ta ‘deklasojë’ kryeministrin Kurti.

“Sjelljet e derisotme të Edi Ramës ndaj kryeministrit të Kosovës, por edhe ndaj liderëve të tjerë të saj, na japin kumtin e keq se dy kryeministrat shqiptarë jo vetëm nuk mund të bëhen bashkë, por ata shpejt do të vihen në konflikt të hapur me njëri-tjetrin. Do të jetë Edi Rama ai që do ta “deklasojë” Kurtin si “destruktiv”, “nacionalist”, “të papërgjegjshëm”, “sabotator” dhe “armik” të paqes e stabilitetit në rajon. Për këtë ai po kërkon partner në Europë e në SHBA, që dikush nga Brukseli ose Uashingtoni ta mbështesë kritikën e tij ndaj Kurtit. Deri tani nuk ka gjetur një partner të tillë. Iu ofrua Richard Grenelli, por mesa duket dështoi edhe ky variant, sepse Grenelli u vetëdeklarua si argat i Serbisë”, parashikoi ai.

Tutje, ai paralajmëroi se nuk do të ketë paqe në mes Ramës dhe Kurtit, deri në momentin kur kryeministri i Shqipërisë do të heq dorë nga rikonstruktimin e një Jugosllavie të re në Ballkan.

“Prandaj sa kohë që Albin Kurti do t’i kundërvihet konceptit të Vuçiqit dhe Edi Ramës për rikonstruktimin e një Jugosllavie të re në Ballkan, aq kohë nuk do të ketë paqe midis tyre. Nëse vendoset paqja me Edi Ramën, atëherë Albini do të jetë i detyruar të bëjë paqe edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Edhe mik i Ramës, edhe armik ose kundërshtar i Vuçiq, të dyja këto nuk shkojnë bashkë. Fati i Ramës dhe i Vuçiqit janë të lidhur ngushtë midis tyre dhe ata nuk mund të ndahen nga njëri-tjetri”, potencoi Bytyçi.

Në fund, profesoir parashikoi edhe përfundimin e trishtë të Minishengenit, ku Rama nuk do të heqë dorë nga kjo iniciativë. Në rast, se ndodhë një gjë e tillë ai tha se do të paraqitet një project tjetër por me qëllim të njejët.

“Me këto që ju thashë del vetvetiu përfundimi i trishtë se kryeministri i Shqipërisë nuk do të heqë dorë nga iniciativa serbe e Minishengenit, me qëllim që të promovojë marrëdhënie normale me Kosovën. Nëse ndodh të heqë dorë nga iniciativa e tillë, atëherë duhet ditur se kjo ka ndodhur për shkak të vendimmarrjes së Aleksandër Vuçiq. Është presidenti i Serbisë ai që i merr vendimet në lidhje me sjelljen e kryeministrit të Shqipërisë në politikat rajonale. Kjo do të thotë se edhe në të ardhmen do të ketë konflikt midis Tiranës dhe Prishtinës.

Për në fund, nëse dikush pret që të anulohet iniciativa e Minishengenit, duhet të jetë i bindur se nga sirtari i diplomacisë dhe politikës serbe do ta dalë një projekt tjetër me të njëjtën përmbajtje dhe me emërtim tjetër”, përmbylli profesor Enver Bytyçi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat