Kurthi i parapërgatitur i Ramës dhe Vuçiqit për nëpërkëmbjen e Kosovës, ky është alarmi për krerët e shtetit

Politika

Kurthi i parapërgatitur i Ramës dhe Vuçiqit për nëpërkëmbjen e Kosovës, ky është alarmi për krerët e shtetit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 13 korrik 2021 Në ora: 08:28
Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla

Për dallim nga qeveritë e kaluara, ekzekutivi aktual po del të jetë tejet i prerë në kërkesat e saj.

Zyrtarët e qeverisë aktuale po i kundërshtojnë hapur edhe planet e shtetit serb, që në të kaluarën nuk është se është vepruar ngjashëm.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, së fundi është përplasur ashpër me Sekretarin e Shtetit serb, Nemanja Staroviq, lidhur me çështjen e Minishengenit përgjatë Forumit të Dubrovnikut të mbajtur të shtunën e kaluar.

Kryediplomatja e shtetit të Kosovës e ka kundërshtuar ashpër dhe fuqishëm iniciativën e Minishengenit, duke e konsideruar atë si “false dhe kurth”, derisa ka bërë me dije se nuk duhet të shihet si alternativë për integrim në Bashkimin Evropian.

Njohësit e çështjeve politike kanë vlerësuar që ministrja Donika Gërvalla, me plot të drejtë ka marrë qëndrim të hapur-kundër dhe është përplasur publikisht edhe me sekretarin e shtetit serb, Nemanja Staroviq, lidhur me çështjen “Minishengenit”.

Analistët shprehen gjithashtu të bindur se veprimet e Qeverisë Kurti 2 dhe ministres Donika Gërvalla janë plotësisht të arsyeshme dhe hapat më të sigurt e premtues për shtetin e Kosovës.

Qarri: Donika Gërvalla, me plot të drejtë ka marrë qëndrim kundër dhe është përplasur publikisht me serbët

Për këtë çështje, për “Bota sot” fillimisht është deklaruar njohësi i çështjeve politike në vend, Gani Qarri, i cili është shprehur se derisa në krye të Shqipërisë të jetë Edi Rama, kurse në Serbi në krye të shtetit të jetë Aleksandër Vuçiq, rreziku për Kosovën nuk do të pushojë asnjëherë.

Image
Gani Qarri

“Qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo, duke pasur parasysh faktin se sot Qeveria e Kosovës dhe ministrat e saj, më në siklet vihen nga atakimet e paskrupullta të Edvin Kristaq Ramës në të gjitha takimet rajonale e më gjerë, se sa nga vet sulmet e Serbisë, duhet ta dinë dhe kenë parasysh një herë e mirë, se përderisa të jetë sharlatani megaloman Edvin Kristaq Rama kryeministër i Shqipërisë dhe krimineli Aleksandër Vuçiq president i Serbisë, nga cilido takim rajonal e ballkanik, rreziku për Kosovën nuk do të pushojë asnjëherë, duke përfshi këtu edhe ngrehinën serbe të ashtuquajtur “Minishengen”, të cilit më tepër se që ia ka anën dhe fuqinë, madje më shumë se edhe vet Aleksandër Vuçiq, po i jep zjarr dështaku megaloman Edvin Kristaq Rama”, tha analisti Qarri, për gazetën “Bota sot”.

Sipas Qarrit, sikurse Rama të ishte një kryeministër i njëmendtë dhe siç duhet ai pari do të duhej t’ia vente kusht Serbisë njohjen e Kosovës, në mënyrë që t’i bind shqiptarët se ngrehina e ashtuquajtur “minishengen”, nuk është minijugosllavi serbe.

“Kështu që për t’i eliminuar paraprakisht të gjitha prapaskenat dhe rreziqet që i kanosen në vijimësi Kosovës nga kurthi i “minijugosllavisë” së re, para rikonfirmimit të të ashtuquajturit “minishengen” do duhej të insistohej, pikërisht nga vet Edvin Kristaq Rama, që fillimisht Serbia ta njihte Republikën e Kosovës, si shtet i lirë e i pavarur dhe me të drejta të barabarta, si të gjitha shtetet tjera në rajon, në mënyrë që edhe Kosova të kishte arsye të përkrahte një ngrehinë të tillë të pazakontë e dubioze. Madje, po të ishte Edvin Rama një kryeministër i njëmendtë dhe siç duhet, i shtetit amë, tek i cili i kanë sytë të gjithë shqiptarët, pikërisht ai, i pari do t’ia vente kusht Serbisë njohjen e Kosovës, në mënyrë që t’i bind shqiptarët se ngrehina e ashtuquajtur “minishengen”, nuk është minijugosllavi serbe, por vërtetë është një akt progresiv për të gjithë dhe ka elemente të mira edhe për shqiptarët, ku Kosova nuk do të kishte më, asnjë arsye që të kishte frikë nga rreziqet dhe kundërshtonte këtë utopi moderne rajonale të emërtuar qëllimshëm si “minishengen” edhe pse nuk ngjason askund dhe me asgjë me Shengenin e vërtetë evropian”, është shprehur ai.

Në lidhje me përplasjen që pati Gërvalla me Staroviq, Qarri vlerëson se me plot të drejtë kryediplomatja e Kosovës ka marrë qëndrim të hapur-kundër dhe është përplasur publikisht edhe me sekretarin e shtetit serb.

“Për aq më tepër, nisur edhe nga cinizmi tragjikomik i Edvin Kristaq Ramës, i cili gjithnjë e më shumë po sillet si krah i djathtë i Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit në Ballkan dhe trojet shqiptare dhe kudo që i epet rasti e mundësia, në takimet rajonale e më gjerë mbron Serbinë, Ana Bërnabiqin dhe Aleksandër Vuçiqin, ndërsa pa fije turpi, atakon Kosovën, kryeministrin dhe ministrat e saj, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla, me plot të drejtë ka marrë qëndrim të hapur-kundër dhe është përplasur publikisht edhe me sekretarin e shtetit serb, Nemanja Staroviq, lidhur me çështjen e ngrehinës së rrejshme serbe, të kamufluar si “mini-shengen”, të shtunën e kaluar, gjatë mbajtjes së Forumit të Dubrovnikut”, ka vlerësuar analisti.

Mirëpo, e gjithë kjo sipas analistit Qarri është një nismë false dhe kurth të parapërgatitur për nëpërkëmbjen dhe nënshtrimin ekonomik dhe praktik të Kosovës.

“Madje, për ta bërë edhe më bindës e argumentuar qëndrimin kundër kësaj ngrehine të shpifur, zonja Gërvalla, ka cekur edhe shkaqet për të cilat e ka kundërshtuar hapur iniciativën e “Mini-Shengenit” duke e konsideruar atë si nismë false dhe kurth të parapërgatitur për nëpërkëmbjen dhe nënshtrimin ekonomik dhe praktik të Kosovës, në të cilin siç ka theksuar me të drejtë ministrja jonë, Kosova nuk do të bie kurrë. Duke pasur parasysh edhe faktin se vet Edvin Kristaq Rama, jo një, por disa herë ka shfrytëzuar çdo rast dhe mundësi, për paraqitjen e Kosovës si pjesë të Serbisë, në hartat e publikuara prej tij,si harta të “minishengenit” kjo dëshmon tërësisht atë që Edvin Kristaq Rama dhe Aleksandër Vuçiq mendojnë, me “minishengenin” për Kosovën”, tha ai.

Analisti gjithashtu ka shtuar se shteti ynë dhe krerët e saj nuk kanë asnjë arsye të mos e refuzojë fuqishëm dhe ta hedhë poshtë tërësisht e të mos pranojë në asnjë formë e mënyrë këtë plan të Serbisë kundër Kosovës.

“Ndaj, në kohën kur të gjitha vendet e rajonit, luftojnë për rrugëtimin evropian dhe ecjen përpara drejt integrimit në BE, dhe jo në nisma tendencioze të Serbisë hegjemoniste, e cila edhe me shpikje të tilla misterioze e utopike, përpiqet ta dëshmoi para botës dhe qytetarëve të saj, se kinse Kosova, ende nuk është shtet dhe as nuk mund të zë vend si shtet i pavarur në “minishengen”, ashtu siç edhe nuk figuron, në asnjë dokument të të ashtuquajturit “minishengen”, Kosova nuk ka asnjë arsye të mos e refuzojë fuqishëm dhe ta hedhë poshtë tërësisht e të mos pranojë në asnjë formë e mënyrë këtë ngrehinë puro serbe. Shkas për hedhjen poshtë të “minishengenit”, në mënyrë të vendosur nga Republika e Kosovës, janë edhe qëndrimet dhe sjelljet cinike të vet Edvin Kristaq Ramës, i cili njëjtë si Aleksandër Vuçiqi, ka kohë që përpiqet ta nënçmojë, poshtërojë dhe mohoj në të gjitha takimet me Vuçiqin, Kosovën si shtet të lirë dhe të pavarur”, ka shtuar analisti.

Mes tjerash ai ka shpjeguar se pse veprimet e Qeverisë së re dhe ministres Gërvalla janë plotësisht të arsyeshme dhe hapat më të sigurt e premtues.

“Janë hapa më të sigurt e premtues, që të mos rrezikohet, me asnjë mënyrë shteti i pavarur i Kosovës, kur dihet mirëfilli se Kosova dhe qytetarët e saj, janë ngopur me okupimet serbe dhe nuk kanë asnjë nevojë për minishengenët e Aleksandër Vuçiqit, por për liberalizim vizash me Evropën, si dhe integrimin e Kosovës në BE, e jo ri okupimin, qoftë edhe ekonomik a politik nga Serbia edhe nëse këtë akt monstruoz e përqafon Edvin Krisaq Rama, nga dashuria e madhe që ai personalisht ndjen për Vuçiqin dhe nostalgjinë që ka në zemër për Serbinë”, ka shpjeguar ai.

Ndërsa, ka nënvizuar se këto nuk janë shkelmat e parë as të fundit përbuzës të kryeministrit Rama, që sipas tij, e ka të pamundshme jetesën për shqiptarët edhe në Shqipëri se lëre më, të shpresojë Kosova në të.

“Për aq më tepër, me sjelljet e tij cinike anti-Kosovë, këta nuk janë shkelmat e parë as të fundit përbuzës të këtij udhëheqësi sharlatan dhe të dështuari megaloman, si Edvin Kristaq Rama, i cili gjatë qeverisjes së tij, e ka bërë të pamundshme jetesën për shqiptarët edhe në Shqipëri se lëre më, të shpresojë Kosova në të, sidomos kohëve të fundit kur cinizmi i Edvin Kristaq Ramës ka marrë përmasa shqetësuese, duke e luftuar hapur Kosovën dhe udhëheqësit e saj, në çdo takim rajonal e më gjerë, për ti ardhur në ndihmë duke i dalë hapur, krah Serbisë, pa fije turpi, qoftë edhe vetëm si shqipfolës”, ka nënvizuar analisti Gani Qarri, për “Bota sot”.

Mehmeti: Ky është projekt serbo-rus që synon forcimin e Serbisë

Image
Faton Mehmeti

Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, duke folur për përplasjen që kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, me Sekretarin e shtetit serb, Nemanja Staroviq, ka thënë se plani i Minishengenit është një projekt i krijuar për ta dëmtuar Kosovën, dhe që është në favor të Serbisë dhe Rusisë.

“Padyshim se Minishengeni është i dëmshëm për Kosovën, është në favor të Serbisë dhe të Rusisë. Ky është projekt serbo-rus që synon forcimin e Serbisë në rajon, daljen e saj në det dhe mundësinë që Rusia përmes saj pastaj të furnizojë me gaz Evropën perëndimore, konkretisht Ballkanin. Është i kuptueshëm reagimi i ministres Gërvalla, e cila me të drejtë e ka quajtur Minishengenin kurth për Kosovën, duke mundësuar Serbisë që të shtrihet edhe në Kosovë”, ka thënë analisti Mehmeti, për “Bota sot”.

Tutje, ai ka bërë thirrje për Gërvallën dhe krerët e tjerë të vendit që ky plan duhet të refuzohet, si mundësi për të parandaluar rrezikun që i kanoset Kosovës.

“Në këtë kuptim dua të them se Kosova duhet me çdo kusht të kundërshtojë një projekt të tillë, si mundësi për të parandaluar rrezikun që i kanoset Kosovës. Serbia synon që përmes këtij projekti të paraqes Kosovën si pjesë të saj, çka legjitimon edhe më shumë ëndrrën e saj për ndikim të madh”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti.

Krasniqi: Problem që të largohemi nga kjo kurth

Image
Islam Krasniqi

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Islam Krasniqi, është i mendimit se Minishengeni është një skenar që tashmë është bërë problematike që të largohemi nga kjo kurth e krijuar.

“Është shumë problem që të largohemi nga kjo kurth pasi që ne jemi në Ballkan dhe nuk mund të ndahemi të vetëm, pasi që edhe Evropa na ka diskriminuar, tash nëse diskriminohen i edhe në Ballkan ku me mbetemi ne, duke e kujtuar edhe marrëveshjen e Uashingtonit që u nënshkrua mes kryeministrit Hoti dhe Precedentit serb, Aleksandër Vuçiqit”, tha analisti Krasniqi.

Krejt në fund, njohësi i çështjeve juridike ka vlerësuar se rreziku nga ky plan është se do tentohet të krijohet një Jugosllavi e re me Shqipërinë brenda dhe që ekonomia e vendit do të bie përtokë.

“Tash ne e dimë së s’kemi asnjë interes nga Minishengenin sepse s’jemi të barabartë as më import po as më eksport por duhet të pajtohemi më realitetin, fati ynë është ky, s’kemi rrugë tjetër deshtë ne apo jo. Minishengenit është paraparë si një zonë e përbashkët ekonomike e Ballkanit Perëndimore, por ne duhet të shohim së çka po bënë Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina që të mos mbetemi pikë e zezë edhe në Ballkanin Perëndimor. Rreziku është së më këtë Minishengeni po krijohet një Jugosllavi e re me Shqipërinë brenda dhe që ekonomia jonë do të dobësohet sepse në zona e përbashkët ekonomike nuk jemi të barabartë dhe që duhet të jemi të kujdesshëm me masat që do të merren”, ka thënë krejt në fund, analisti Islam Krasniqi, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat