“Shkoi Bregoviç por u turpërua Korça”, pse Rama nxori inatin me politikanët e Kosovës dhe shkeli dhimbjet e shqiptarëve?

Politika

“Shkoi Bregoviç por u turpërua Korça”, pse Rama nxori inatin me politikanët e Kosovës dhe shkeli dhimbjet e shqiptarëve?

Nga: G.B Më: 23 gusht 2021 Në ora: 14:33
Edi Rama dhe Goran Bergoviç

Reagime të shumta të ashpra pati që kur u bë e ditur se këngëtari serb, Goran Bregoviç, do të këndojë në Festivalin e Birrës në Korçë.

Për shkak të pjesëmarrjes së tij, si një këngëtar që u frymëzua nga masakrat në Kosovë për të bërë këngë, shumë artistë nga Kosova e Shqipëria refuzuan të ishin pjesë e Festivalit.

Thirrjet ishin të shumta e madje pati dhe aksione kundër, por që të gjitha në vesh të shurdhër.

Bashkia e Korçës nuk u tërhoq dhe përfundimisht Bregoviç performoi mbrëmë në skenën e Festivalit të Birrës në Korçë.

Në kundërshtim të pranisë së tij u hodh gaz lotsjellës derisa ai ishte në skenë.

Por, pse nuk u tërhoq Korça e madje Shqipëria nga ftesa për Goran Bregoviçin, derisa shqiptarët e Kosovës ende janë duke pasur ende të freskët dhimbjen nga lufta e fundit dhe masakrat që u kryen këtu?

Lidhur me këtë, ish gazetari dhe njohësi i çështjeve politike nga Shqipëria, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se edhe zëri i Bergoviçit të ishte zëri i planetit, zëri i Zotit, meqenëse nuk e donin shumë njerëz të Kosovës që ai të mos këndonte në Korçë, ai nuk do të duhej lejuar të këndonte, Rama si ftuesi kryesor nuk do të duhej ta lejonte.

Image
Rexhep Shahu

“Sikur zëri i Bregoviçit të ishte zëri i planetit, zëri i Zotit, meqenëse nuk e donin shumë njerëz të Kosovës që ai të mos këndonte në Korçë, vetëm për hatër të kërkesës së shqiptarëve të Kosovës që donin qe ai të mos këndonte në Korçë, Korça dhe Edi Rama, ftuesi real i Bregoviçit nuk duhej ta ftonin. Korça me këtë gjest u shëmtua, me saktë Korçën e shëmtuan dhe turpëruan Edi Rama me njerëzit e tij, bizneset e tij, rilindasit e tij. Shëmtimi i Korçës shënohet në fytyrën e qytetit, të atij qyteti që para dy dekadave u hapi dyert shqiptarëve të Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, Edi Rama provokon dhe zgërdhihet mbi dhimbjet e shqiptarëve dhe kështu na pajton me serbët.

“Ashtu siç dhemb e djeg thika e bajoneta serbe në trupin e shqiptarit të Kosovës, ashtu dhemb e djeg thika e bajoneta greke në trupin e korçarit. Po Edi Rama mondani, provokon dhe zgërdhihet mbi këto dhimbje shqiptarësh dhe thërret tallavahane të lëndojë shpirtin e shqiptarëve. Se kështu Rama na pajton me serbët. Askush asgjë nuk ka kundër Bregoviçit që mund të jetë cigan jevg, serb, kroat, boshnjak, kinez, e çfarë të dojë, por ai ka jehonë të keqe në Kosovë dhe mendjekthjellët e Kosovës nuk e kthjelluan dot popullin me kthjelltësinë e tyre”, ka vlerësuar Shahu.

Me këtë koncert, analisti thotë se Rama çoi inat me politikanët e Kosovës, derisa shton se ai dhe rilindasit nuk po e kuptojnë se Kosova është shtet shqiptar me vete dhe nuk është Albin, kali i shalës e as Surreli i Ramës.

“Edi Rama me ketë koncert inati të paguar për inat si ahengjinjtë në dasma, çoi inat me politikanët në Kosovë. Rama dhe rilindasit nuk arrijnë të kuptojnë se Kosova nuk merr frymë për gabzherr të Albin Kurtit dhe nuk është Kosova Albin edhe pse ai mund të qeverisë gjatë. Kosova është atdheu pa inate, nuk është atdhe kali i shalës i Edi Ramës, as Surrel i Edi Ramës, është shtet me vete shqiptar. Edi Rama për të mbuluar mut me shurrë e thirri Bregoviçin në Korçë që të sfumohet historia e çelësit të Tiranës që ia ka dhënë Bergoviqit”, ka theksuar Shahu.

Ai ka shtuar se Rama e shëmtoi Korçën dhe në Korçë mbeti vetëm turpi, pasi shkoi Bregoviçi, Rama dhe policia e tij.

“Edi Rama kur nuk e zotëron Kosovën se Kosova nuk është Batoni, ai e merr inat. Harron Rama se është liliput para Kosovës. Rama sa Enver Hoxha nuk do qeverisë se Zoti nuk e lejon, por Korçën e shëmtoi bashkë me enveristët e Kosovës dhe njerëzit që kanë atdhe paranë. Ka njerëz që për para shesin atdheun. Turpi jeton. Ja iku Bregoviç, Rama dhe policia e tij, e çfarë mbeti veç turpit. Nuk jehon në Korçë kënga e Bregoviçit o shoku Rama”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat