Krahasoi Dua Lipën me Goran Bregoviçin, kritikohet ashpër Edi Rama

Politika

Krahasoi Dua Lipën me Goran Bregoviçin, kritikohet ashpër Edi Rama

Arife Morina Nga Arife Morina Më 27 gusht 2021 Në ora: 08:00
Dua Lipa, Bregoviç dhe Edi Rama

Performanca e këngëtarit serb, Goran Bregoviç, në Festën e Korçës nuk shkoi ashtu siç e kishin planifikuar organizatorët e këtij festivali. 

Pasi që, më të filluar perfomancën Bregoviçi, disa qytetarë hodhën gaz lotsjellës dhe shkaktuan rrëmujë në Korçë. 

E kjo nuk i pëlqeu fare kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili reagoi menjëherë në rrjetin e tij social Facebook. Ai e cilësoi Bregoviçin si një nga muzikantët më të jashtëzakonshëm në Ballkan. 

“Askush, hiç askund, nuk e dha asnjë provë të vetme për ta justifikuar histerinë mesjetare që shpërtheu kundër një muzikanti nga më të jashtëzakonshmit e Ballkanit. Ishte një histeri fashiste, e turpshme për qytetarinë evropianë të shqiptarëve, për historinë dhe për traditën tonë po ashtu, e cila fatkeqësisht nuk dallonte aspak nga histeritë linçuese të grupeve fashiste kudo në botë”, u shpreh Rama. 

Krahas kësaj, kryeministri Rama deklaroi se shqiptarët që dolën kundër Bregoviçit janë të njëjtë me serbët që ofenduan Dua Lipën 

“Ku ndryshojnë për shembull ata që në Serbi i hakërrehen me fjalorin më të ndyrë Dua Lipës në rrjetet e saj sociale, vetëm pse ajo është një shqiptare krenare e Kosovës, e cila del mbështjellë me të dy flamujt e shteteve tona, me ata që iu hakërryen me shqipen më të ulët në rrjetet tona sociale Goran Bregoviçit, duke e trajtuar si një kriminel lufte e duke i m 'veshur faje që ai nuk i ka bërë vetëm se ai këndon serbisht?”, shkroi ai në Facebook. 

Ndërsa pas kësaj reagoi sërish, derisa tha se nuk ka barazuar Dua Lipën me Bregoviçiqn.

Ndërsa, analistët politikë në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot” dolën kundër këtij reagimi të Ramë, të cilin e kritikuan ashpër. 

Ata përmendën edhe dallimet në mes këngëtares shqiptare me famë botërore Dua Lipa dhe këngëtarit serb Goran Bregoviç. 

Mehazi: Mllefi i Ramës ndaj Albin Kurtit, bëri që Bregoviçi të vijë në Korçë 

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike dhe profesori, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka kritikuar ashpër kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për krahasimin e Dua Lipës me këngëtarin serb, Aleksandër Vuçiq. 

Ai u shpreh se këtë krahasim nuk e bën askush tjetër, kryeministrit shqiptar me shpirt serbi, Edi Rama. 

“Të krahasohet artistja e madhe, Dua Lipa, me atë performancën e saj artistike botërore globale me frymëzuesin e çetnikëve dhe paramilitarëve gjakpirës serb, Goran Bregoviçin, është njësoj sikur të mohosh artin universal e global të Dua Lipës e të përkrahen shundet artistike nacionaliste, vrastare e shoviniste serbe. Këtë krahasim të artistes së madhe Dua Lipës me shovinistin artistik regjional serb Goran Bregoviç e bën kush tjetër, përveç kryeministrit shqiptar me shpirt serbi, Edi Kristaq Rama”, deklaroi ai. 

Krahas kësaj ai kujtoi performancën botërore të Dua Lipës në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2018, kur me zërin e saj fantastik zemëroi serbët. 

“Vetëm shpirtshiturit pa farë vlere artistike performancën nacionaliste serbe "Kallashnikov" të Goran Bregoviçit të prefekturës së Korçës e krahason me performancën evropiane e botërore të Dua Lipës që në finalen e Ligës së Kampionëve të futbollit, Real-Liverpool, 2018,  me zërin e këngën e saj fantastike "New rules" zemëroi serbët, kurse entuziazmoi e mahniti publikun, Evropën e botën artistikisht me këngën "New rules"”, theksoi profesori. 

Në vazhdim, Mehazi u befasua se si Rama nuk e kuptoi se serbët e shanin dhe shprehnin urrejtje ndaj Dua Lipës për shkak se është shqiptare. 

Madje, ai karakterin e Ramës e cilësoi si të ‘prishur’, i cili përkrah Bregoviçin e kundërshton Kosovën e Dua Lipën. 

“Si nuk e kupton mendja e varfër e Edi Ramës se serbët e shanin dhe shprehnin urrejtje ndaj Dua Lipës për shkak se është shqiptare, për shkak xhelozisë artistike globale të saj, kurse ne jemi  kundër Bregoviqit për shkak këngëve nacionaliste e shoviniste serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. 

Vetëm karakteri i prishur i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama  përkrah Bregoviçin, e është kundër Kosovës, ai është edhe kundër artistes së madhe shqiptare Dua Lipës”, nënvizoi ai. 

Në fund, profesori tha se Rama dhe Vuçiqi janë bërë ‘vrer’ që kur Kurti me performancën e pamposhtur u zgjodh kryeministër i Kosovës. 

“I gjori kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me vëllain e tij serb, Vuçiq, vrer janë bërë që kur në krye të qeverisë së Kosovës është Albin Kurti, si duket  mllefi i Ramës ndaj Albin Kurtit e bëri që Bregoviçi të vijë në Korçë, vrer Rama është bërë për shkak performancës së pamposhtur politike të Albin Kurtit ndaj tij dhe Vuçiqit”, përfundoi Mehazi. 

Bytyçi: Krahasimi i Dua Lipës me Goran Bregoviçin nga Rama është absurd 

Image
Adem Bytyçi

Kurse, analisti tjetër politik, Adem Bytyçi tregoi dallimet ndërmjet këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipës me këngëtarin serb, Goran Bregoviç. 

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” përmendi edhe faktin se ‘idoli’ i Ramës, Bregoviçi ka qenë spiun i shërbimit sekret të Millosheviqit. 

“Dua Lipa në asnjë sekuencë të muzikës dhe këngës së saj nuk i ka ofenduar ndjenjat kombëtare të asnjë populli apo etnie, siç ka vepruar idhulli i Ramës, muzikanti dhe këngëtari Goran Bregoviç. 

Madje, këngëtari i Edi Ramës, Goron Bregoviq ka qenë spiun i shërbimit sekret të Millosheviqit, ndërsa  Dua Lipa ka vazhduar rrugën e këngës dhe nuk ka rënë viktimë e shërbimeve sekrete mafioze të asnjë grupi reaksionar politikë anti njerëzore, siç ka ndodh me idolin e Ramës, Bregoviçin, një anti shqiptar tani i njohur nga të gjithë shqiptarët”, potencoi Bytyçi. 

Tutje, analisti u shpreh se Rma më shumë ka edukatë serbe dhe greke, prandaj po shpërfaq urrejtje ndaj shqiptarëve të Kosovës. 

“Në pyetjen tuaj pse Edi Rama i urren kaq shumë shqiptarët e Kosovës, përgjigjja do të ishte kjo: Edi Rama, kryeministri aktual i Shqipërisë më shumë ka edukatë serbe dhe greke se sa shqiptare, mirëpo është e pabesueshme se të gjithë shqiptarët e Shqipërisë i urrejnë si Edi Kristaq Rama, shqiptarët e Kosovës”, theksoi ai. 

Sipas Bytyçit, Rama e goditi me ‘thikë pas shpine’ Kosovën në situatën më të rëndë, në kohën kur pritej që bashkësia ndërkombëtare të ushtronte presion ndaj Serbisë për njohjen e pavarësisë së vendit tonë. 

Po ashtu, ai vlerësoi se përmes ndihmës së Serbisë, Edi Rama po krijon ndasi ndërmjet shqiptarëve. 

“Ajo që tanimë dihet botërisht, është së Edi Rama ia ka fut thikë pas shpine Kosovës, në kohën më të rëndë, kur pritej trysnia e bashkësisë  ndërkombëtare mbi Serbinë për ta pranuar shtetësinë e Kosovës, Edi Rama, u vëllazërua me presidentin e Serbisë, bashkëpunëtorin e Millosheviqit, Aleksandër Vuçiqin. Rama ka krijuar ndasi dhe konflikt ndërmjet shqiptarëve, një ndihmë e madhe kjo për Serbinë, anti-Kosovë dhe anti-shqiptare”, përmbylli Adem Bytyçi, përcjell “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat