“Serbia nuk ka alternativë”, eksperti francez tregon pse takimet mes Kurtit dhe Vuçiqit janë të tensionuara

Politika

“Serbia nuk ka alternativë”, eksperti francez tregon pse takimet mes Kurtit dhe Vuçiqit janë të tensionuara

Nga: A.Zh Më: 27 gusht 2021 Në ora: 22:57
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq

Njëri nga ekspertët më të njohur për politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian, Christian Lequesne, ka folur për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se Kosova në tavolinën e bisedimeve, duhet t’i thotë Serbisë se ajo është e gatshme të pranojë përgjegjësitë e saj në luftërat jugosllave. Sipas tij, të njëjtën duhet ta bëjë edhe pala serbe, pasi ajo “nuk do ta humb fytyrën në sytë e ndërkombëtarëve” nëse e pranon këtë gjë.

“Kosova duhet t’iu thuhet serbëve se e di mirë se të gjithë kanë përgjegjësi në luftërat jugosllave dhe se Kosova është gati të pranojë përgjegjësitë e saj. Serbia duhet të bëjë të njëjtën gjë dhe të marrë parasysh mbi të gjitha se nëse bën lëshime për pavarësinë e Kosovës, ajo nuk do të humbasë fytyrën në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, por përkundrazi do ta forcojë atë. Në vend të Kurtit, unë do të këmbëngulja në nevojën për të pasur një Serbi demokratike dhe të respektuar në Ballkan, sepse Serbia është një komb i madh me një potencial të fortë për të ardhmen”, është shprehur Lequesne në një intervistë për gazetën “Bota sot”.

Image
Christian Lequesne

Ai më tej ka theksuar se e vetmja rrugë për të ecur përpara, është që Serbia të pranojë se është përgjegjëse për krimet gjatë luftërave jugosllave.

“Serbia nuk ka alternativë. Por, Serbia nuk mund të pranojë se është përgjegjëse e vetme për krimet gjatë luftërave jugosllave, sepse nuk është e përgatitur të humbasë plotësisht fytyrën. Kjo është arsyeja pse ligjërimi mbi pjesën e përgjegjësisë së gjithsecilit është themelor. Është mënyra e vetme për të ecur përpara”, ka thënë profesori nga Parisi.

Ai ka përjashtuar mundësinë që arritja e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi është afër. Sipas tij, kjo po tregohet edhe gjatë takimeve të tensionuara në Bruksel, ku liderët e të dyja palëve po përdorin nacionalizmin ekstrem.

“Nuk mendoj kështu. Takimi i dytë në korrik ishte edhe më i tensionuar se i pari në qershor. Kjo është pasojë e nacionalizmit ekstrem që ekziston në të dyja anët. Nuk i lejon udhëheqësit të kenë shumë hapësirë për manovrim. Por, ju nuk mund ta zgjidhni nacionalizmin për pesë vjet. Është një proces shumë i gjatë që përfshin zgjidhjen e çështjeve të krimit dhe pyetjeve të kujtesës së pari. Nuk mund t'ju them se sa kohë do të zgjasë, pasi nuk është një çështje matematikore”, ka theksuar Christian Lequesne.

Takimi i ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, pritet të mbahet në fillim të shtatorit./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat