“SHBA, vërejtje Serbisë”, eksperti i sigurisë: Kjo i pret shtetet fqinje nëse provojnë ndërhyrjen në Kosovë

Politika

“SHBA, vërejtje Serbisë”, eksperti i sigurisë: Kjo i pret shtetet fqinje nëse provojnë ndërhyrjen në Kosovë

Nga: A.Zh Më: 4 shtator 2021 Në ora: 21:04
Automjetet ushtarake, donacion nga Amerika

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar si donacion Kosovës 55 automjete ushtarake. Ndërkohë që flitet se së shpejti vijnë edhe helikopterët. Në Serbi këtë e kanë komentuar si “përgatitje e Kosovës për luftë”.

Duke komentuar këto raportime, eksperti i çështjeve të sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se donacioni i Amerikës është vërejtje për Serbinë, se ajo do të vazhdojë të qëndrojë pranë shtetit të Kosovës.

Sipas tij, armatimi modern përcjell mesazhin te shtetet fqinje që në rast se ndërhyjnë në Kosovë, mund t’iu ndodhë si Olluja në Kroaci.

Image
Hajrullah Tërnava

“Mesazhi i gjithë këtij furnizimi me armatim modern është vërejtje Serbisë, se shteti i Kosovës tani është i pavarur dhe si i tillë do të është deri në ekzistimin e tij, dhe se pranë shtetit të Kosovës edhe më tutje do të qëndrojë Amerika. Prandaj, ky armatim është mesazhi ndaj shteteve fqinje që mos të provojnë me ndërhy në Kosovë, sepse mund t’iu ndodhë si Olluja në Kroaci”, ka thënë ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, në një intervistë për gazetën “Bota sot”.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se këto automjete do të ndihmojnë FSK-në që të ngrehë kapacitetet e saj për ruajtjen e garantimin e paqes.

Ajo në ceremoninë e pranimit të automjeteve, ka theksuar se ndihma e SHBA-së në transformimin e FSK-së është e një rëndësie të veçantë.

“Këto pajisje do t’iu ndihmojnë juve edhe më tej që të zhvilloni kapacitetet tuaja, të parapara në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, mbështetur në misionin dhe mandatin tuaj të ri. Këto do të ndikojnë që aftësitë operacionale të FSK-së të rriten dukshëm si dhe që ushtria jonë të jetë plotësisht ndërvepruese me partnerët tonë, sidomos me SHBA-në, duke ndikuar që së bashku me ta të jetë garantuese e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajon, por në gjithë botën”, ka thënë presidentja Osmani./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat