“Serbia mund të shpërthejë si bombë”/ Masakra e Reçakut, pasqyrë e krimit serb në Kosovë

Politika

“Serbia mund të shpërthejë si bombë”/ Masakra e Reçakut, pasqyrë e krimit serb në Kosovë

Nga: P.R Më: 12 dhjetor 2021 Në ora: 12:10
Masakra e Reçakut, Aleksandar Vulin

Gjatë ditës së djeshme, Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin e ka mohuar Masakrën e Reçakut, cilën e ka quajtur gënjeshtër.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë dhe as të zgjuar për t'i treguar gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte. Detyra e këtij brezi është t'i tregojë gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrës dhe se gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër”, ka thënë Vulin.

Ndaj Vulinit ka reaguar menjëherë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit dhe është e pamundur, e paarritshme që ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike.

“Ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vullinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën. Përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila nuk po arrin të shkëputet Vullini si një besnik i tij. Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur”, thuhet ndër tjerash në reagimin e presidentes Osmani.

E sipas analistit dhe publicistit Rexhep Shahu, masakra e Reçakut është ndër masakrat më të dëshmuara në historinë e mbarë njerëzimit.

“Masakra e Reçakut është një nga realitetet me tragjike që turpëron edhe serbët e palindur ende, turpëron edhe fëmijët e palindur serb. Bijtë e dhunës serbe, zyrtarët e sotëm që duan të fshijnë e të zhdukin krimet e masakrat serbe mund të shpifin çfarë të duan duke besuar se e thëna e tyre mbetet për të vërtetë, por masakra e Reçakut është ndër masakrat më të dëshmuara, më të filmuara, më të fotografuara në historinë e njerëzimit”, thotë Shahu për gazetën “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, prapa masakrës së Reçakut qëndrojnë pushtetarët e sotëm serb.

“Bota e civilizuar edhe sot vjell kur kujton masakrën e Reçakut që e kanë bërë kriminelët serb që sot gjenden në pushtet ose nën sqetullat e pushtetarëve të sotëm. Masakra e Reçakut do të jetë një pasqyrë që do ta tërbojë krimin e dhunën serbe gjithmonë siç tërbohet dëmi para flamurit të kuq, serbët do të tërbohen para gjakut të kuq të derdhur nga bajonetat serbe, nga plumbat serb”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk ka çfarë të bëjë polemika me serbët, e as me Serbinë.

“Serbia e vuan e qan me lot gjaku humbjen e Kosovës. Serbia mundet të shpërthejë si bombë që Kosova u bë shteti i dytë shqiptar me luftën e Amerikës e NATO-s. Nuk i ka mbetur gjë tjetër për hakmarrje Serbisë veç të shpifë e të trillojë histori, të lajë gjakun që ka derdhë Serbia. Është e pamundur të zhbëhet historia kriminale serbe dhe e drejta e shqiptarëve”, shprehet analisti Rexhep Shahu për “Bota sot”.

“Kosova mund të humbasë përkrahjen e gjithkujt por nuk e humbet përkrahjen e të drejtës, e drejta është e do të jetë me Kosovën. Kosova është shkelur e ka vuajtur nën shumë perandori e mbretëri por ka mbijetuar falë popullit të saj vital, u ka mbijetuar gjithë perandorive e gjithë dhunave sepse populli i Kosovës di të mbijetojë. Kjo nuk është parullë as deklaratë euforike”, përfundon për “Bota sot”, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat