Shpresat për heqjen e vizave

Politika

Shpresat për heqjen e vizave

Nga: A.M. Më: 24 dhjetor 2021 Në ora: 13:11
Ilustrim

Çështja e liberalizmit të vizave mbetet një ndër temat aktuale për qytetarët e Kosovës. Por, përveç kësaj këta qytetarë të Kosovës nuk mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi njëjtë sikurse ata të Bashkimit Evropian.

Kjo po ndodhë për shkak që kjo e fundit nuk i ka liberalizuar vizat për Kosovën.

Ndërkaq, Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian ka miratuar raportin për adresimin e krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën që BE-ja të përshpejtojë procesin e integrimit.

Po ashtu, deputetët e Parlamentit Evropian në këtë raport kanë kërkuar liberalizim të vizave nga Këshilli i BE-së për Kosovën

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për miratimin e raportit për liberalizimin e vizave për Kosovën, ku ka shpjeguar se rolin substancial e ka Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian dhe vendet anëtare të Unionit.

Image
Shqiprim Pula

“Miratimi i raportit mbi heqjen e regjimit të vizave apo thënë ndryshe liberalizimi i vizave për Kosovën, tregon vullnetin e radhës të shumicës së deputetëve të Parlamentit Europian, por, kjo nuk mjafton, ngaqë rolin substancial për këtë temë e ka Këshilli i Ministrave të Unionit Europian dhe vendet anëtare të Unionit veҁ-e-veҁ që duhet miratuar, sepse është gërshetim përgjegjësishë”, ka thënë ai.

Më tej, Pula ka treguar se çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës në këtë rast.

“Prandaj, Kosova, përkatësisht institucionet e saj pandalur duhet avokuar tek homologët e tyre, por edhe lobuar në Bruksel përmes kanaleve të lobimit. Meqë, ndërvitesh është ritheksuar se Kosova ka ‘përmbushur’ kriteret, atëherë një vendim mbi heqjen e regjimit të vizave ishte dashur të merrej që moti! Ndërkaq, se ҁfarë do të thotë kjo për Kosovën, është se Kosova, respektivisht zyrtarët e saj nuk duhen hapur shampanja apo edhe thënë siç e thotë një shprehje e popullit; ‘mos të bëjmë hopa pa kërcyer’”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Pula ka thënë se Parlamenti Europian edhe njëherë e ka dëshmuar se gjykon arsyeshëm në rastin e liberalizimit të vizave.

“Në strukturën organizative të Unionit Europian, i vetmi institucion që prej vitesh ka ndjerë nevojën dhe ka gjykuar arsyeshmërinë e lëvizjes së qytetarëve është Parlamenti Europian, i cili edhe kësaj radhe e dëshmoi përmes votës shumicë. Por, ҁfarë mbetet anemike për vendin tonë, është mungesa e qasjes serioze institucionale që ka të bëj me lidhjet e ngushta të krimit ekonomik me politikën; mungesës së guximit profesional tek gjyqësori për të marr vendime mbi rastet e mëdha, të cilat kanë qenë dhe mbeten si raste të shënjestruara; politizimi i skajshëm i pozitave dhe funksioneve të caktuara institucionale si dhe vërejtje të mëdha për mediumet e caktuara që në vend të gazetarisë janë shndërruar në agjenci propagandistike. Të gjitha këto monitorohen dhe vlerësohen nga Brukseli dhe vendet anëtare të UE-së. Kështu që, vendimmarrje të mbrapshta politike, për të mos thënë vendimmarrjet aspak patriotike, të ndër-viteve, kanë krijuar zhgënjim e frustrim tek qytetarët duke i mbajtur të veҁuar në izolim, duke qenë europian, por duke mos mundur të shëtisin në Europë!”, ka deklaruar Pula.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat