Lobi serb aktivizohet në SHBA, analisti: Politikanët shqiptarë po bëjnë gara katundi

Politika

Lobi serb aktivizohet në SHBA, analisti: Politikanët shqiptarë po bëjnë gara katundi

Nga: G.B Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 17:17
Shtëpia e Bardhë

Amerika e di fytyrën e krimit të Serbisë.

Kështu ka vlerësuar analisti Rexhep Shahu, derisa ka komentuar letrën e 16 kongresistëve amerikanë për Serbinë, drejtuar presidentit Joe Biden.

Ai thotë për gazetën “Bota sot” se letra e shkruar nga ish-deputeti Bislimi është gjest fisnik, derisa shton se fytyra e vërtetë e Amerikës nuk pastrohet me një letër nga 16 kongresistë.

“Është gjest fisnik dhe falënderues letra e ish deputetit shqiptar Faton Bislimi që ua dërgon edhe nominalisht 16 kongresmenëve amerikanë për tu treguar atyre Serbinë e vërtetë dhe Kosovën. E vërteta e Kosovës dhe e Serbisë nuk është çështje e sotme dhe nuk do të zgjidhet sot as nga këta kongresmenë që mund të lobojnë që të pastrohet fytyra e Serbisë”, thotë ai.

Sipas Shahut, Amerika me luftë e ka larguar Serbinë nga Kosova.

Image
Rexhep Shahu

“Amerika e di fytyrën e të vërtetën serbe sepse ajo me luftë e ka dëbuar Serbinë prej Kosove. Letra e deputetit shqiptar veçse ia kujton Amerikës Serbinë e krimit. Nuk besoj se kjo letër do të kthejë mbrapshtë kongresmenët që duan të lobojnë për Serbinë, por kjo letër sensibilizon shqiptarët. Evropa sidomos po i bëhet urë Serbisë me sjellje gati servile ndaj saj. Serbia shton marrëdhëniet e bashkëpunimit me Rusinë, blen armë ruse, i jep bazë në Nish Rusisë, i lëpihet me fjalë Evropës, mban peng Kosovën, i intereson ‘tërhiq e mos këput’ marrëdhënia me Kosovën, i jep hapësirë e mundësi Kinës, etj etj. Por, një gjë nuk do të mund të ndodhë më, Serbia nuk mund të kthehet në Kosovë. Edhe po të bëhet Asociacioni, ai tretet në detin shqiptar të Kosovës sepse shqiptarët janë asgjësues, e asgjësojnë asociacionin”, ka vlerësuar analisti.

Ai shton se politikanët shqiptarë duhet të imponohen për zgjidhje finale me Serbinë, derisa kjo e fundit është dëbuar nga Kosova dhe nuk kthehet kurrë më.

Ai po ashtu kritikon politikanët shqiptarë se bëjnë gara mes vete derisa Serbia lobon në SHBA.

“Mendoj se politikanët shqiptarë nuk duhet t'ia lënë kohës zgjidhjen me Serbinë, por duhet të imponohen në zgjidhjen finale. Asnjëherë nuk do të ketë zgjidhje perfekte, por Kosova shtet i lirë e i pavarur është objektiv i arritur me luftë, Serbia është dëbuar prej Kosovës nga Amerika. Nuk mundet kurrë Kongresi amerikan të marrë vendim që të kthehet Serbia në Kosovë. Serbët lobojnë deri në Kongresin amerikan për interesat serbe, shqiptarët bëjnë gara katundi kush ka qenë trim e kush hero në luftën e fundit, qeveria e Kosovës i ikën Serbisë... Shqiptarët kujtojnë se gjithmonë do të na çlirojnë të tjerët dhe se gjithmonë të tjerët do ta bëjnë luftën tonë”, deklaron Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat