Kritika ndaj Kurtit për ndryshimin e qëndrimeve ndaj Thaçit dhe ish komandantëve tjerë

Politika

Kritika ndaj Kurtit për ndryshimin e qëndrimeve ndaj Thaçit dhe ish komandantëve tjerë

Nga: G.B Më: 26 mars 2022 Në ora: 16:17
Albin Kurti

Deklarata e fundit e kryeministrit Albin Kurti për ish komandantët e UÇK-së që gjenden në Hagë ka nxitur mjaft reagime.

Është komentuar ndryshimi i deklaratave të tij, derisa dy vite më parë Kurti i kishte bërë thirrje ish presidentit Hashim Thaçi që të shkonte në Hagë.

Këtë e kishte bërë përmes një shkrim të titulluar “Shko Hashim”, derisa i kërkonte që luftën dhe shokët e luftës t’i mbronte në Hagë me fakte e argumente.

Ndërsa tani, ai ka thënë se është paradoks që ata që luftuan me Serbinë për lirinë e Kosovës të gjenden në Hagë duke u akuzuar për krime lufte.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, thotë për “Bota sot” se Kurti kur ishte në opozitë gjuante me gaz lotsjellës dhe akuzonte të gjithë.

Image
Rexhep Shahu

“Kurti jo kryeministër ka shi lëmë, ka akuzuar edhe zotin për hajni e korrupsion, nuk ka lënë njeri pa bisht, i ka ngjitur bisht gjithkujt. Kurti sa ishte në opozitë nuk e ka njohur shtetin e Kosovës as pavarësinë e saj dhe e ka gjuajtur me mjete dhune shtetin, ia ka thyer xhamat e dyert e ka përdorur edhe gaz lotsjellës kundër shtetit. Sipas Kurtit të opozitës, çdo zyrtar ishte hajn, haraçist. Ai nuk i reshti kurrë akuzat e shpifjet ndaj të tjerëve dhe veç veten e shpallte Krisht e të ndershëm. Ka formuluar e ka përkrahur akuza kundër të gjithëve që nga Rugova e Thaçi dhe kundër njerëzve të luftës”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, ai ka ndryshuar tani kur është në pushtet si kryeministër.

“Pastaj thoshte se po fitova unë nuk e njoh Gjykatën Speciale të Kosovës. Fitoi dhe e njohu. Thoshte se s’do tu paguante avokatët krerëve të UÇK që janë në Hagë. Pra, kemi dy Albin Kurti, një të opozitës që vriste e kthjellte dhe një të pushtetit, që po vret e kthjell dhe po i zëvendëson disa zhvatës me të tjerë. Thoshte se nuk e njeh marrëveshjen më të rëndësishme nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë të Amerikës, por ajo do të zbatohet edhe pa dëshirën e tij edhe pse e ka nënshkruar Hoti”, deklaron Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat