Dy gabimet e LDK-së në propozimet ndaj Qeverisë, ekspertët e ekonomisë tregojnë masat që duhet ndërmarrë për krizën

Politika

Dy gabimet e LDK-së në propozimet ndaj Qeverisë, ekspertët e ekonomisë tregojnë masat që duhet ndërmarrë për krizën

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 30 mars 2022 Në ora: 14:08
LDK-Kuvend, foto arkiv

Pas pandemisë së koronavirusit, në ekonominë botërore po ndikon ashpër edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, e cila po vazhdon ende.

Padyshim se ndikim ka pasur edhe Kosova, ku çmimet janë rritur frikshëm në të gjithë sektorët.

Duke qenë se paga minimale është mjaft e ulët dhe papunësia e madhe, disa parti e ekspertë të ekonomisë kanë kërkuar lejimin e tërheqjes së parave të Trustit, në 20 për qind.

Por, kjo nuk po përkrahet nga të gjitha partitë.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që të miratojë një pako të re ekonomike, sikur ajo në pandemi, për të ndihmuar qytetarët për shkak të gjendjes ekonomike në vend.

Në seancën e Kuvendit të së hënës, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, paraqiti 3 propozime për qeverinë, lidhur me krizën ekonomike, derisa tha se masa e parë është indeksimi i të gjitha skemave pensionale dhe sociale, subvencionimi i bujqësisë dhe ngritja e pagës minimale.

“Ne kemi tri propozime për konsiderim nga ana e Qeverisë. Masa e parë dhe e menjëhershme është të bëhet indeksimi i të gjitha skemave pensionale dhe ndihmave sociale vetëm për normë të inflacionit, vetëm për të ruajtur fuqinë blerëse të pensioneve dhe ndihmave sociale të pandryshueshme, së paku për të mbuluar rritjen e çmimeve të produkteve bazike. Kjo masë i prek gjithë qytetarët mbi moshën 65 vjeçare dhe të tjerë që përfitojnë nga skemat e ndryshme të mbështetjes sociale. Masa e dytë është subvencionet në bujqësi, unë e kam ngritur edhe një herë tjetër këtë çështje. Të gjithë indikatorët tregojnë se rritja e imputeve bujqësore shkon nga 20-30 deri 50 për qind. Ne kemi dal në terren dhe kemi verifikuar këtë çështje. Ftoj qeverinë të konsiderojë rritjen e menjëhershme të subvencioneve në bujqësi së paku, sa janë rritur çmimet e imputeve bujqësore. Kjo masë e mbulon një të tretën e familjeve në nivel vendi që sigurojnë të ardhura përmes tregut ose produkteve të konsumit vetanak në nivel të Kosovës. Masa e tretë që duhet trajtohet me shumë kujdes është t’i kthehemi debatit për pagën minimale. Janë zhvilluar negociatat ka mos pajtime, por duhet gjetur gjuha e përbashkët për të rritur sa më parë pagën minimale”, ka thënë ai.

Ai ka diskutuar edhe për një pako që duhet ta miratojë qeveria.

“Ne vlerësojmë se është e pashmangshme të dizajnojnë pako të mbështetjes së qytetarëve, ndoshta të natyrës si në kohën e pandemisë. Pasi kriza ekonomike dhe sociale gati është e atyre përmasave, vonesat në këtë drejtim do të shtojnë barrën e familjeve dhe qeveria do të detyrohet të merr këto masa. Prandaj, është më mirë më herët të dizajnohet dhe të merren këto masa”, u shpreh Hoti.

Lidhur me propozimet e LDK-së, për gazetën “Bota sot” kanë folur ekspertët e ekonomisë.

Limani tregon masat që duhet të ndërmarrë Qeveria

Image
Prof. Dr. Musa Limani

Profesori Musa Limani, duke folur për këtë temë thotë se opozita dhe pozita duhet të bashkëpunojnë, derisa ka treguar se si duhet të veprojë Qeveria.

“Kuptohet, pozita dhe opozita për tema madhore, duhet të bashkëpunojnë. Tani, me rastin e ngritjes enormë të çmimeve, pjesa dërmuese e popullatës përballet me sfida jetësore. Për të zbutur këtë situatë të rëndë, Qeveria duhet të mbrojë konsumatorin, nëpërmjet masave dhe instrumenteve të politikës së zbatuar ekonomike, e formave të tjera. Thënë me një fjalë, Qeveria sa më parë duhet të hartojë Programin antiinflamator, ku duhet të përfshijë masat përkatëse që janë në favor të konsumatorit dhe stabilizimit të tregut të brendshëm”, është shprehur ai.

Sipas Limanit, fillimisht duhet caktuar paga minimale dhe më pas masat tjetër që duhet marrë, si pensionet, skema sociale e të tjera.

“Këtu, në rend të parë, duhet të caktohet paga minimale, që unë mendoj se, duke mos lënë anash masat e tjera, paraqet masën kryesore të zbutjes së situatës sociale të krijuar me rastin e ngritjes së çmimeve. Kuptohet, nuk duhet lënë anash rritjen e pensioneve të të gjitha kategorive, si dhe të skemës sociale. Si masë tjetër do të ishte zvogëlimi i importit dhe stimulimi i kapaciteteve industriale përpunuese, veçmas ato agraro-industriale dhe stimulimin e eksportit. Unë me këtë rast i ceka vetëm disa masa, por në fakt ka edhe shumë masa tjera që duhet t'i ndërmarrë Qeveria për stabilizimin e tregut të brendshëm dhe mbështetjen e konsumatorëve”, ka deklaruar profesori dhe eksperti i ekonomisë Musa Limani, për gazetën “Bota sot”.

Kadriaj i befasuar me sjelljen e LDK-së

Image
Mustafë Kadriaj

Ndërsa, profesori dhe eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, është shprehur i befasuar me sjelljen e LDK-së, e cila thotë se nuk është e drejtë dhe e sinqertë derisa kërkon pako, por që shprehet kundër tërheqjes së Trustit, për të cilën ka qenë pro, kur ka qenë në qeveri.

“Jam i befasuar me një sjellje kaq perfide të LDK-së duke qenë se kur ka qenë në qeverinë e kaluar, z.Hoti vetë ka qenë pro Trustit, ndërsa sot deklarohet që është kundër, që është diçka jo e drejtë dhe e sinqertë para qytetarit sepse edhe në atë kohë kam qenë ithtar i tërheqjes së Trustit duke ditur se qytetarët kanë qenë në situatë të lakmueshme për shkak të pandemisë, por edhe tani kur flasim qytetarët janë edhe më keq se në fillim për faktin se çmimet janë rritur dhe ende jemi në kohë pandemie dhe dihet që kriza e konfliktit Ukrainë-Rusi vetëm sa po e rëndon edhe më shumë nivelin e tregut në nivel global, duke u rritur çmimet çdokund në botë dhe pothuajse në të gjitha produktet imediate që i duhen qytetarit dhe në këtë rast LDK-ja nuk është pro tërheqjes së Trustit duke u deklaruar se nuk ka nevojë dhe që qytetari është në kohë më të mirë, që është diçka e padrejtë dhe e pasinqertë”, vlerëson ai.

Sipas Kadriajt, me tërheqjen e parave të Trustit përfitojnë të dyja palët.

“Ndërsa, në anën tjetër i propozon qeverisë një pako të re ekonomike që në këtë drejtim ajo po i bën dy gabime të mëdha: E para është që duke bërë pako ekonomike, që edhe pse është e nevojshme për qytetarin, dihet që e dëmton buxhetin e shtetit, ndërsa nëse bëhet tërheqja e Trustit është një gjë e mirëseardhur për qeverinë dhe qytetarin, është e dyanshme për shkak se nuk dëmtohet buxheti dhe njëherësh me tërheqjen e Trustit, që unë jam ithtar për 20 për qind do të fuqizohet fuqia blerëse te qytetarët dhe do të rritej qarkullimi te bizneset dhe në fund do të përfitonte qeveria përmes taksave dhe tatimeve”, thekson eksperti i ekonomisë.

Më tej, ai shton se shpreson se LDK-ja ka njerëz që mendojnë më drejt dhe në interes të qytetarit derisa tani shprehet i habitur që lufta politike nuk po i njeh mjetet, por vetëm arritjen e qëllimit.

“Jam i befasuar me një sjellje kaq jo të pjekur të lidershipit të LDK-së, jo të sinqertë për faktin se unë kam besuar dhe ende shpresoj se LDK-ja ka pasur dhe ka njerëz që mendojnë më drejt dhe për interesin e qytetarit, por tani e tutje po shihet që lufta politike thjesht nuk po njeh mjet, por vetëm qëllime që t’i arrijnë rezultatet e veta, pa marrë parasysh a dëmtohet interesi i shtetit apo qytetarit. Por, duhet ta kenë të qartë secili subjekt politik që pa marrë parasysh ambiciet e tyre politike, në radhë të parë është shteti dhe interesi i qytetarit”, thekson ai.

Se sa do të merren parasysh këto propozime nga qeveria, Kadriaj vlerëson “se qeveria ka komoditet për nga numrat në Parlament që nuk po i përfill fare opozitën, por edhe vet kërkesat e qytetarëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat