Analisti flet për anëtarsimin e Kosovës në NATO/ Këto janë hapat që duhet të ndërmerr qeveria

Politika

Analisti flet për anëtarsimin e Kosovës në NATO/ Këto janë hapat që duhet të ndërmerr qeveria

Nga: M.H. Më: 31 mars 2022 Në ora: 15:14
Foto ilustrim

Vendimi për nisjen e fushatës së bombardimeve kundër Serbisë me qëllim të ndaljes së gjenocidit së shtetit serb ndaj popullatës civile në Kosovë ishte një prej momenteve vendimtare për çlirimin e Kosovës.

Hartuesi i planit se ku do të binin bombat e lirisë, gjenerali amerikan në pension, Ëesley Clark, në një intervistë, ka shpjeguar se sa e vështirë ka qenë të merrej vendimi për bombardim në vitin 1999 – vendim të cilin tashmë po e kërkojnë edhe ukrainasit kundër Rusisë.

Clark, tha: Shpresoj se Kosova së shpejti do të ftohet për anëtarësim në NATO.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Leon Duhanaj.

Ai u shpreh se pas rënies së BRSS-së dhe komunizmit në Europë, NATO u zgjerua me tej duke anëtarësuar shtetet e Europës ish anëtare të Paktit të Varshavës si dhe vende nga Ballkani që me parë ishin zona komuniste, dhe tash agresioni rus mbi Ukrainën është një përpjekje e Rusisë për ta ndaluar ketë trend.

Image
Leon Duhanaj

“Siç edhe është e ditur NATO është një aleancë e krijuar për qëllim mbrojtjes së sferës euro-atlantike nga agresioni i atëhershëm i paktit të Varshavës i cili ishte në fakt BRSS -Rusia. BRSS- Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike. Pas rënies së BRSS-së dhe komunizmit në Europë, NATO u zgjerua me tej duke anëtarësuar shtetet e Europës ish anëtare të Paktit të Varshavës si dhe vende nga Ballkani që me parë ishin zona komuniste. Agresioni rus mbi Ukrainën është një përpjekje e Rusisë për ta ndaluar ketë trend dhe për ta rikthyer ndikimin rus në regjionin në të cilin me herët para renies së BRSS-së e kontrollonte”, u shpreh ai.

Më tej, Duhanaj thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO , kishte me qenë hap i madh drejt qetësisë dhe paqes së përhershme.

Lufta në Ukrainë paraqiti nevojën urgjente të zgjerimit të NATO-s në terë rajonin e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që të garantohet stabiliteti i sajë. Siç dihet Kosova përbën rol kyç në temës e stabilitetit dhe si anëtare e NATO-s do të neutralizonte çdo përpjekje të mundshme ruse për destabilizim. Ndikimi rus akoma vazhdon të jetë i madh në Serbi dhe përmes komunitetit serb edhe në Bosnje, Mal të Zi dhe Kosovë, prandaj anëtarësimi i Kosovës në NATO , kishte me qenë hap i madh drejt qetësisë dhe paqes së përhershme. Për të arritur tek ky qëllim, Kosova duhet të punoj në projektet strategjike me NATO-n siç është edhe projekti i transformimit të FSK-së në ushtri operacionale”, theksoi analisti.

Në fund, Duhanaj shton se një anëtarsim i Kosovës në NATO do të sjellte një njohje të shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ende.

Pos kësaj, Kosova duhet të gjejë forma të përafrimit dhe afirmimit politik drejtë NATO-s, sepse dihet mirëfilli se NATO është mbi të gjitha aleancë politike perëndimore dhe vullneti politik është element kyç për pranimin e vendeve të reja si anëtare. Duke rritur bashkëpunimin Kosova do të inkuadrohej në partneritetin për paqe me NATO-n dhe do të shfrytëzonte mundësinë e përfitimit të njohjes nga vendet anëtare të cilat akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Për ta arritur ketë qëllim, mbi të gjitha kërkohet qeverosje e përgjegjshme dhe bashkëpunuese në raport me shtetet e QUINT-IT, gjë që për fat të keq Qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës kanë dhënë sinjale të mjaftueshme që po e synojnë dhe bëjnë të kundërtën”, përfundoi Duhanaj, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat