Kërkohet suspendimi i Serbisë nga anëtarësimi në BE/ I betuari i Vuçiqit, Edi Rama, po pengon

Politika

Kërkohet suspendimi i Serbisë nga anëtarësimi në BE/ I betuari i Vuçiqit, Edi Rama, po pengon

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 prill 2022 Në ora: 20:16
Aleksandar Vuçiq dhe Edi Rama

Serbisë ka filluar t’i kushtojë miqësia dhe raportet e ngushta me Rusinë, veçanërisht mos vendosja e sanksioneve ndaj saj.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, shteti rus ka qenë cak i kritikave, sanksioneve dhe paralajmërimeve të shumta Perëndimore.

Krahas, Rusisë janë kritikuar edhe shtetet mike dhe përkrahëse të saj, në këtë rast edhe Serbia.

Image
Gunther Fehlinger

Madje, së fundi, ekonomisti dhe njohësi i çështjeve politike nga Austria, Gunther Fehlinger ka kërkuar që të suspendohet statusi kandidat i Serbisë nga Bashkimi Evropian.

Ai ka thënë se Serbia po luan me disa karta dhe se Bashkimi Evropian nuk po bën asgjë për këtë çështje.

“Për një periudhë të gjatë Bashkimi Evropian ka qenë i butë në raport me Serbinë, edhe pse Serbia nuk ka treguar se është e interesuar shumë për paqe në Ballkan. Mund ta shihni edhe tani në vitin 2022 që Serbia nuk e ka mbyllur hapësirën ajrore për Rusinë, duke refuzuar kështu të vë sanksione ndaj këtij shteti agresor. Tjetër problem është militarizimi i Serbisë, që në vazhdimësi ndihmohet nga Kina e Rusia. Ka ardhur koha që të suspendohet statusi kandidat i Serbisë për në BE derisa ky shtet nuk është në një vijë me shtetet Bashkimit Evropian”, ka thënë ai në tviter.

Preqi: Ka marrëveshje në mes të Moskës dhe Beogradit

E në lidhje më këtë çështje në një prononcim për "Bota sot” foli edhe opinionisti Dedë Preqi.

Image
Dedë Preqi

Ai u shpreh se BE-ja nuk duhet të heshtë para sjelljes së Serbisë, e cila është një kopje e Rusisë së Putinit.

“Bashkësia Evropiane, nuk mund të shtiret se nuk po ndodh asgjë para një situate të tillë të cilën po e shkakton Serbia, apo të dorëzohet pa kushte para sjelljeve dhe veprimeve të shtetit serb, e cila nuk është asgjë më pak se një modul dhe kopje e Rusisë së Putinit, dhe që kanë një lidhje të fuqishme dhe lidhje që i radhisin politikat dhe kompromiset së bashku për ta destabilizuar një pjesë të kësaj bote, duke përfshirë edhe Kosovën”, deklaroi opinionisti.

Sipas Preqit, Serbia mbështeti suspendimin e Rusisë në OKB, pas një marrëveshje mes Moskës dhe Beogradit.

Ai kërkoi nga BE-ja që t’i analizojë situatat me seriozitet, para se të marrë vendim për anëtarësimin e Serbisë.

“Edhe pse Serbia, votoi pro suspendimit të Rusisë, nga Këshilli i OKB-së, për të drejtat e njeriut, këtu e kemi një marrëveshje në mes të Moskës dhe Beogradit, sepse nëse i analizojmë marrëdhëniet e tyre të pandërprera politike dhe strategjike, një votë e tillë nuk do të heq në kandar, nëse lidhjet dhe interesat e tyre janë të lidhura aq ngushtë dhe çojnë më shumë peshë.

Prandaj, BE-ja do të gabonte, nëse një gjë të tillë nuk e merr me seriozitet dhe procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE, ta analizojë me shumë kujdes dhe të veprojë në mënyrë të shpejtuar, por edhe duke marrë masa ndaj pozicionit dhe mbështetjen e saj nda agresorit rus, në luftë kundër popullit të pafajshëm dhe Ukrainës, dhe kështu me një vendosmëri të përshtatshme dhe pa hezitime, Evropa të suspendoj anëtarësimin e Serbisë në BE”, theksoi ai.

Po ashtu, opinionisti kërkoi nga Kosova që të tregohet e përmbajtshme ndaj veprimeve të Serbisë.

Ai beson se vendi ynë ka prova të mjaftueshme për të dëshmuar kërcënimet me luftë që po i bëhen çdo ditë.

“Një pikënisje të tillë për të reflektuar Kosova, kuptohet se ky shtet nuk ka fuqi që të përcaktojë dhe të krijojë strategji të tilla që të arrijë pikësynimet e veta të drejta dhe reale, por para së gjithash Kosova ka material të bollshëm dhe të dëshmuar, që bëhet fjalë për atë që i ka rënë në sy edhe gjithë botës dhe po i bie në sy edhe tani, kur ky popull dhe ky vend shantazhohet dhe kërcënohet përditë me luftë, dhe një rrezik tjetër është kur kjo shtysë mund të veprojë lirshëm edhe kur asaj i kundërvihen ide të pranuara dhe të mbështetura nga aleatët rus dhe të tjerë.

Padyshim se Kosova, duhet të tregohet jo vetëm e përmbajtur ndaj veprimeve të tilla të Serbisë, por sjelljet dhe veprimet që ua njohim njerëzve të tillë, është më se e tmerrshme dhe e pa imagjinueshme për t’i dhënë asaj forma të reja, përveç dënimit dhe asaj që e meriton, dhe athua duhet të ndjehet përgjegjëse edhe shoqëria ndërkombëtarët, duke e anashkaluar apo duke mos reaguar nga një monstrim i tillë që ka ndodhë me shqiptarët, të mos ndodhë në imazhin e ardhshëm të botës”, nënvizoi Preqi.

Populli shqiptar i Kosovës dhe i Shqipërisë, sikur po vuan padrejtësisht nga lidershipi i tyre

Më tej, ai përmendi faktin se gjatë gjithë historisë së shqiptarëve ka pasur tradhtarë, të cilët kanë bashkëpunuar me armiqtë e kombit.

Në këtë rast, Preqi thotë se populli shqiptar po vuan nga lidershipi, në këtë rast nga Edi Rama i cili po e mbështet Serbinë dhe po bëhet shërbëtor i Vuçiqit.

“Populli shqiptar i Kosovës dhe i Shqipërisë, sikur po vuan padrejtësisht nga lidershipi i tyre, nëse e marrim rëndësinë dhe lidhjen vëllazërore që ka ky popull në mes vete me gjak dhe gjuhë të njëjtë, dhe sikur në kohën e Enver Hoxhës, del sot edhe një Edi Rama, që po e përsërit një histori të tillë, duke mbështetur rolin e Serbisë, e cila është kundër shtetit të Kosovës, dhe duke u bërë shërbëtor i kriminelit Vuçiq”, potencoi ai.

Krahas kësaj, opinionisti vlerëson se Kosova po humbë nga mbështetja që Rama po ia bën Serbisë së Vuçiqit.

Madje, Preqi kërkoi ndëshkimin e Ramës për këto qëndrime pro-serbe.

“Prandaj, Kosova në këtë rast po humb shumë dhe në një mënyrë nuk po mundet ta gjejë forcën dhe mbështetjen e saj në organizatat ndërkombëtare dhe OKB, nëse edhe shteti shqiptarë, gjegjësisht kryeministri i saj Edi Rama, veprojnë në të kundërtën e saj dhe në favor të Serbisë, duke e mbështetur në vazhdimësi anën e kundërshtarit të shtetit të Kosovës, sikur marrëdhëniet dhe vëllazëria në mes këtij populli të njëjtë nuk kanë më kuptim, kur ato po e humbasin fuqinë e domethënies së tyre, apo sikur nuk janë më bindëse sipas sjelljeve dhe veprimeve të Edi Ramës, duke vendosur zgjedhën e Republikës së Kosovës, në sfond, apo të qëndrojë akoma në zgjedhën e Serbisë”, thotë ai.

Preqi e konsideron Ramën si një njeri që i është betuar Vuçiqit, t’i shërbejë.

“Në këtë rast do të thotë thjeshtë se i betuari i Vuçiqit, Edi Rama, është i vetëdijshëm se do të ndëshkohet, jo nga askush tjetër por nga gjaku i popullit të vet, dhe nëse nuk e thotë të vërtetën, një formulë të cilën e ka zgjedhë vetë Edi Rama, nuk ka tjetër kuptim përveçse të një tradhtari dhe gjak i prishur shqiptarë dhe ca më pak ngjashmëri me gjakun e një trungu të njëjtë”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Shahu: Nuk kanë fuqi shtetet shqiptare ta pengojnë Serbinë për anëtarësim në BE

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, analisti politik, Rexhep Shahu në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se shtetet shqiptare nuk kanë fuqi të vendosin ndonjë gjë që cenon Serbinë.

“Shqipëria dhe Kosova nuk kanë asgjë në dorë të vendosin për Serbinë apo ndaj Serbisë, janë shtete të vogla Shqipëria e Kosova. Serbia paguan vetë për qëndrimet e veta dhe nuk ka fuqi Edi Rama apo Albin Kurti të vendosin ndonjë gjë që cenon Serbinë”, deklaroi ai

Po ashtu, analisti beson se shteti serb është shumë i përkëdhelur nga politika evropiane dhe shtetet shqiptare nuk mund ta pengojnë anëtarësimin e saj në BE.

“Nuk kanë fuqi shtetet shqiptare ta pengojnë Serbinë për anëtarësim në BE pasi politikisht Serbia është më e përkëdhelur nga politika evropiane që ajo të kalojë nga Perëndimi e t’i ikë ndikimit rus. Ndaj asgjë nuk është në dorë të shteteve shqiptare lidhur me raportet e Serbisë me BE-në”, përmbylli Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat