Dedikuar vogëlushes që pa ferrin me sy, drejtësisë së dështuar dhe llumit ku jemi katandisur si shoqëri

Politika

Dedikuar vogëlushes që pa ferrin me sy, drejtësisë së dështuar dhe llumit ku jemi katandisur si shoqëri

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 31 gusht 2022 Në ora: 18:04
Foto ilustrim

Është ditë e shtunë, Prishtina ka filluar të qetësohet paksa nga zhurmat e dasmave e ahengjeve familjare të verës. Fëmijët kanë filluar të bëhen gati dhe me entuziazëm ta presin një shtatorin, ani pse të “mëdhenjtë” me hilet e tyre të zakonshme kanë vënë në rend të parë interesat e tyre personale, e nuk është i sigurt fillimi i mësimit.

Një 11 vjeçare, diku në një lagje mjaft të frekuentuar të kryeqytetit të Kosovës nuk e ka brengën se a do të fillojë mësimi. Ajo ka dalë në park, po pra në park, aty ku fëmijët dalin e luajnë, argëtohen e marrin atë pak ajër të pastër që ua mundëson jetesa urbane në pluhur e mbeturina.

Për një çast parku bëhet “xhungël” për këtë 11 vjeçare, pasi disa bisha fillojnë ta ndjekin nga pas. E ngacmojnë me fjalë të ndyta, i afrohen dhe e kapin me zor, e zhveshin dhe ia shkatërrojnë ëndrrat e fëmijërisë.

Sipas dosjes së prokurorisë “personi me bluzë të bardhë e ka kapur nga duart dhe personi tjetër ka kryer marrëdhënie pa dëshirën e saj”.

Eh çfarë ironie, një nga “përbindëshit”, i veshur me ngjyrën që simbolizon paqen, bëri gjënë më të tmerrshme ndaj një fëmije.

Për shtatë orë me radhë 11 vjeçarja përdhunohet nga pesë bisha të egra, në vende të ndryshme. Askush nuk e vëren atë që po i ndodhë asaj. Mbase dikush mund t`i ketë kaluar për skaj e të mos ketë reaguar. Sepse në jo pak raste kur dhunohen, poshtërohen e madje edhe vriten gratë, na ka rënë të shohim indiferencën e kalimtarëve të rastit.

Vogëlushja gjendet dhe i tregon nënës së saj për orët e tmerrit që ka përjetuar. Hetimet fillojnë, pesë bishat e egra kapen njëri pas tjetrit e dërgohen prapa grilave.

Pason thirrja për drejtësi! Pas kësaj, protesta, debate e dorëheqje morale.

Më vonë, del se vajza 11 vjeçare është dhunuar seksualisht edhe disa herë të tjera, por që askush nga organet nuk është marr me rastin e saj!

Një neglizhencë e paparë, si në rastet e mëhershme kur kriminelë të ndryshëm, para se t`i vrisnin vajzat e gratë tona, liroheshin nga organet e drejtësisë.

Vetëm pasi ndodhnin vrasjet, publikoheshin dosjet e tyre kriminale. E kjo nuk ka si të quhet ndryshe, përpos një dështim i pastër.

Fatkeqësisht pati persona që me komentet e tyre në rrjetet sociale “arsyetuan” ngjarjen e tmerrshme të përdhunimit që i ndodhi 11 vjeçares. Kjo tregon shumë, se ku është katandisur shoqëria jonë.

Pati të tillë që paragjykuan edhe njerëzit të cilët morën pjesë në protestën masive në Prishtinë.

Nën regjimin e patriarkatit “arsyetohen” vrasja e përdhunimi, sepse “fajtore” janë vajzat e gratë, ani pse në rastin e fundit kemi të bëjmë me një 11 vjeçare!

E këtij regjimi një ditë duhet t`i vijë fundi. Shteti duhet të ndihmojë në këtë drejtim. Fillimisht, duke sjell vettingun në drejtësi e më pas duke ashpërsuar dënimet për kriminelët.

Jeta e njeriut nuk duhet të jetë më e barasvlershme me vjedhjen e një pule!.

Mjaft!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat