Kryeministri Kurti pa kompromis, vetingu duhet të ndodhë, të largohen nga drejtësia njerëzit e politikës!

Politika

Kryeministri Kurti pa kompromis, vetingu duhet të ndodhë, të largohen nga drejtësia njerëzit e politikës!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 7 shtator 2022 Në ora: 13:09
Kryeministri Albin Kurti

Rasti i dhunimit të 11 vjeҫares ka tronditur rëndë gjithë opinionin. Si shkak i kësaj është protestuar në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. Ky rast përveҫ të tjerash është edhe si sinjal për reflektim në fushën e drejtësisë, duke bërë që të theksohet edhe më tepër nevoja për veting në drejtësi.

A nënkupton rasti i dhunimit të kësaj të miture se Prokuroria dhe Gjykatat kanë dështuar në punën e tyre?

Lidhur me këtë rasti, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë dorëzuar zyrtarisht dosjen për veting në drejtësi.

Në një konferencë për shtyp, kreu i Qeverisë ka thënë se nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç vetingut, pasi sipas tij gjyqtarët dhe prokurorët e vendit nuk po veprojnë me profesionalizëm.

Kurti e ka akuzuar gjyqësorin që po i lë të lirë personat me rrezikshmëri të lartë për shoqërinë, të ecin lirshëm në rrugë.

“Fuqia që vjen nga pozita e gjyqtarit dhe prokurorit në vete ngërthen përgjegjësi të madhe ndaj qytetarit për të fuqizuar sundimin e ligjit, gjyqtari vepron me urtësi, maturi e profesionalizëm. Gjyqësori ynë përkundër të gjitha garancive kushtuese ngjan sikur mundohet ta dëshmojë të kundërtën. I akuzuar dhe i dënuar për shumë vepra penale ec i lirë nëpër rrugët e Prishtinës, dhunuesi lirohet pas tetë muajsh burgim, dhunuesi nuk rehabilitohet, e përsërit veprën e madje edhe vret, nuk ka alternativë ndaj vetingut të sistemit gjyqësor e prokurorial”, ka thënë ai.

Abrashi: Është rruga e vetme për ta kthyer besimin e humbur të qytetarëve dhe kredibilitetin

Image
Deputeti Artan Abrashi

Lidhur me këtë ҫështje, ka folur për ‘Bota sot’ edhe deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Artan Abrashi, njëherazi edhe anëtar i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrje të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Ai thotë se, rasti i 11 vjeҫares dhe raste të tjera, dëshmojnë se drejtësia duhet të reformohet.

“Ky dhe shumë raste tjera në të kaluarën kanë qenë tregues se sistemi ynë i drejtësisë duhet të reformohet. Procesi i vetingut përveҫ se nevojë është domosdoshmëri. Është rruga e vetme për ta kthyer besimin e humbur të qytetarëve dhe kredibilitetin që duhet ta ketë”, vlerëson Abrashi.

Burjani: Nevoja për vetting është për një sistem të aftë gjyqësor

Image
Blerim Burjani

Sa i përket ҫështjes së vetingut flet edhe njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani. Ai thotë se nevoja për këtë ndryshim nuk duhet të lidhet me rastet e fundit, mirëpo vettingu është i domosdoshëm për ta pastruar sistemin e drejtësisë nga njerëzit e lidhur me politikën.

“Vetingu nuk duhet të ndërlidhet me rastet e fundit, secili gjyqtar dhe prokuror do të ushtrojë punën konform kompetencave ligjore edhe pas vetingut. Vettingu është i domosdoshëm për të pastruar sistemin nga njerëzit e lidhur me politikën dhe për të larguar gjyqtarët dhe prokurorët me performancë të dobët”, thekson Burjani.

Ai thotë më tutje se, nevoja për veting është për një sistem të aftë gjyqësor.

“Nevoja për veting është në masën e konsiderueshme për një sistem të aftë gjyqësor, dhe në suaza të kësaj natyre duhet të punohet”, vlerëson ai.

Ndryshe, sa i përket nevojës për veting në drejtësi, kryeministri Kurti si shembull të dështimit të drejtësisë, e përmendi rastin tronditës të dhunimit të 11-vjecares, e cila dyshohet që është trafikuar në qershor dhe përdhunuar nga 5 persona. Sipas kryeministrit Kurti, rreth 200 gjykatës kanë dënuar vetëm me gjobë rastet e dhunës seksuale, teksa 85% të rasteve, viktimat kanë qenë vajza të mitura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat