Patrullimi i përhershëm në liqenin e Ujmanit/ Kjo do të jetë “goditja” e radhës për Serbinë!

Politika

Patrullimi i përhershëm në liqenin e Ujmanit/ Kjo do të jetë “goditja” e radhës për Serbinë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 12 shtator 2022 Në ora: 14:54
Policia e Kosovës patrullon përgjatë liqenit të Ujmanit

Ditë më parë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se Policia e Kosovës ka nisur patrullimin e rregullt në vijën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht përgjatë gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit.

Ministri ka treguar se Policia e Kosovës po patrullon në Ujman për shtrirjen e sundimit të ligjit dhe ruajtjen e integritetit territorial.

“Pamje gjatë patrullimit të Policisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit, në shtrirjen e sundimit të ligjit dhe ruajtjen e integritetit territorial”, ka shkruar Sveçla.

Mirëpo, ai pas kësaj ka treguar disa detaje të rëndësishme, duke shpjeguar që gjatë testimit, rreth dy javë më parë, janë sulmuar siç tha ai nga kriminelët nga ana tjetër e liqenit.

Kemi pas para diku 2 javësh, kur ne kemi bërë një testim me ç’rast jemi sulmuar me armë nga kriminelët nga ana tjetër e liqenit, prandaj kemi bërë përforcime të nevojshme që t’i evitojmë rastet e tilla”, ka thënë Sveçla.

Tutje, ai ka thënë se Policia e Kosovës tanimë është më e përgatitur për patrullimin në këtë pikë kufitare.

Policia tashmë është e përgatitur më mirë. Kemi një numër modest barkash, mjaftueshëm për kontrollim për në fillim”, ka thënë ai.

Natyrisht që ky veprim i Sveçlës mund ta ketë “nervozuar” Vuçiqin, mirëpo kjo është shenjë që Kosova tashmë ka shtrirë sovranitetin në çdo pjesë të saj.

Vlen të theksohet që një nga parimet e SHBA-së në dialogun e Kosovës me Serbinë ka qenë shtrirja e sovranitetit në gjithë territorin e saj.

Tërnava: Patrullimi i policisë në liqenin e Ujmanit hap pozitivë për Kosovën

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Ai u shpreh se patrullimi në liqenin e Ujmanit është legjitim dhe tregon që sovraniteti i shtetit të Kosovës është shtrirë në të gjithë vendin.

“Territori i një shteti në kufijtë e tij legjitim, është vetëm kur të kontrollohet nga institucionet legjitime të shtetit ekzistues, sikur që janë ushtria, policia në suaza të kufijve të shtetit të sajë, dhe mund të thuhet se ai shtet në tërësi e ushtron sovranitetin e tij, në të gjitha pjesët e territorit të shtetit ekzistues, është shtet i pavarur. Prandaj, deri më tani edhe që Ujmani është pjesë e shtetit tonë, e që nuk është kontrolluar me patrulla si të policisë dhe ushtarake nga institucionet shtetërore, nuk i ka përngja si pjesë e shtetit tonë, dhe lirisht mund të thuhet se në ato pjesë nuk ka qenë në tërësi i shtrirë sovraniteti i Kosovës”, u shpreh ai.

Eksperti i sigurisë më tej thekson që ndërmjetësimi i ndërkombëtarëve në dialogun Kosovë-Serbi tregon shpresa se një marrëveshje mund të arrihet.

“Ndërmjetësimet e ndërkombëtarëve në bisedime mes Serbisë dhe Kosovës, sidomos kohëve të fundit, po na japin shpresa të besojmë se në të ardhmen i tërë territori i Kosovës, do të kontrollohet nga institucionet përkatëse si nga ushtria dhe policia e Kosovës. Dhe nëse do të arrihet ky qëllim, atëherë mund të themi se i tërë territori i Kosovës kontrollohet nga institucionet e shtetit tonë dhe në të gjitha pjesët e saj ushtrohet sovraniteti i tij. Dhe vetëm atëherë Kosova do të përngjaj në një shtet të pavarur”, thotë eksperti i sigurisë.

Ndër të tjera, eksperti shton që kjo ngjarje në Ujman tregon edhe njëherë që Kosova është shtet i pavarur dhe se të njëjtën do ta pranoj edhe Serbia.

“Prandaj këto rrethana të tanishme të këtyre bisedimeve ndërkombëtare që po udhëheqin viteve të fundit nga ndërkombëtarët janë dëshmi dhe si fakt se sovraniteti i Kosovës po rivendoset në tërë territorin e saj, dhe gjithsesi me parimet e mbështetjes së SHBA-ve, me integritet dhe sovranitet të plotë për Kosovën. Prandaj, në një të ardhme jo të lartë besohet se këto bisedime do t’i kontribuojnë të vie edhe tek njohjet reciproke mes Serbisë dhe Kosovës, dhe me këto njohje të ndërsjella, këtyre dy shteteve do t’iu hapen rrugët drejt shteteve të BE si anëtare të barabarta edhe me shtetet tjera të Evropës”, nënvizoi Tërnava për “Bota sot”.

Shala: Kosova është e gatshme që të përballoj çdo lloj kërcënimi që mund të vjen nga Serbia

Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që patrullimi i policisë në liqenin e Ujmanit tregon që çështjet e sigurisë në veri të vendit janë më shumë të natyrës politike.

Image
Drizan Shala

“Ri-vendosja efektive policore mbi liqenin e Ujmanit duke rritur funksionalitetin në luftimin e krimit dhe kontrabandës me elemente të krimit organizuar në atë pjesë, po tregon që çështjet e sigurisë në veri të vendit më shumë janë të natyrës politike duke interferuar Beogradi në atë pjesë përmes lejimit të suportimit të grupeve kriminale nga aparatura shtetërore e Serbisë”, thekson ai.

Shala shton që Serbia nuk mund ta pranojë këtë veprim, pasi kjo dëshmon që Kosova është shtet i pavarur dhe se Serbia duhet tashmë ta pranojë këtë.

“Kosova nga 2011 (Intervenimi i parë) për rikthim të sovranitetit të saj veprues në atë pjesë ka arritur që të kryejë me dhjetëra aksione të ndryshme për të luftuar çdo strukturë kriminale deri ato para ushtarake që veprojnë në atë pjesë (Civilna Zastava). Serbia nuk do të mund të pranojë një veprim normal të institucioneve të Kosovës siç është kontrollimi i vijës kufitare administrative, sepse me këtë Serbia e dinë që në Kosovë ka veprime shtetërore të një shteti sovran në hapësirat e saja”, shpjegon eksperti i sigurisë.

Në fund, ai shton që policia kufitare tanimë ka formuar edhe njësitë e reja në kuadër të domenit të tyre duke shtuar kapacitete teknike dhe humane për të përballur çfarëdo kërcënimi.

“Policia kufitare tani më ka formuar edhe njësitë e reja në kuadër të domenit të tyre duke shtuar kapacitete teknike dhe humane për të përballur çfarë do kërcënimi të mundshëm të kufirit të Kosovës”, përfundoi Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat