Kërkoi rrëzimin e Qeverisë Kurti/ I shuhen shpresat Mustafës – zbulohen prapaskenat e kësaj kërkese ndaj Abdixhikut!?

Politika

Kërkoi rrëzimin e Qeverisë Kurti/ I shuhen shpresat Mustafës – zbulohen prapaskenat e kësaj kërkese ndaj Abdixhikut!?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 14 tetor 2022 Në ora: 07:59
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Që nga koha që LVV-ja ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit, e pakënaqur për këtë është opozita e tanishme, e cila me çdo kusht po mundohet ta rrëzojë qeverinë Kurti.

Së fundmi është deklarata e ish-kryeministrit Isa Mustafa përplot kritika e me tone mllefi, drejtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut.

Mustafa thotë se kryetarit të LDK-së, i vjen turp nga e kaluara e partisë që e drejton, duke lënë të kuptohet se Lumiri, qeverisja e partisë nga ana e tij, po i shërben Vetëvendosjes, dhe madje se kjo po ushtron ndikim të madhë në partinë, që për disa vite e drejtoi ai.

“Vetëvendosje e ka mbjellë farën e tyre edhe tek LDK-ja, edhe te njerëzit e LDK-së, të cilët sot në një formë turpërohen nga ajo që ka punuar LDK-ja në të kaluarën”, ka thënë Mustafa.

Ai kërkon që sa më parë LDK-ja të përdorë secilën mekanizëm për rrëzimin e Kurtit nga Qeveria.

Mustafa nuk është i vetmi i pakënaqur për qeverisjen Kurti, mos të harrojmë edhe kryetarin Haradinaj, i cili në vazhdimësi kërkon dorëheqjen e kryeministrit Kurti, duke mos i parë të arsyeshme aspak vendimet e Qeverisë.

E sipas ish-kryetarit të Podujevës, Agim Veliu, po t’i kishin mundësitë e Abdixhikut, ata të partisë së Dardan Molliqajt, qysh moti do ta rrëzonin Kurtin.

Por a mundet ta bëjë këtë vërtetë LDK-ja?

Ahmeti: As LDK-ja e as partitë tjera opozitare nuk e kanë komoditetin për të shkuar në zgjedhje të parakohshme

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Image
Hidajet Ahmeti

Ai u shpreh se dëshira e opozitës për ta rrëzuar Qeverinë qëndron, mirëpo një mocion i tillë dështon.

Është fakt juridik procedura për votëbesimin ndaj qeverisë, por njëkohësisht është faktike që potencialisht dështon një mocion i tillë. Demokracia parlamentare brenda vetes mund të ketë paradokse, pasi dëshira dhe mundësia mund të mos shkojnë paralel. Por, një gjë të tillë janë të vetëdijshëm zyrtarët e LDK-së”, u shpreh ai.

Analisti më tej, thotë që partitë opozitare nuk e kanë komoditetin për shkuar në zgjedhje të parakohshme pasi nuk mund ta ndryshojnë bindjen qytetare për një kohë kaq të shkurtër.

“Në aspektin politik, LDK-ja, por as partitë tjera opozitare nuk e kanë komoditetin për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, pasi matjet e opinionit janë në favor të partisë politike që udhëheq me Qeverinë. Prandaj, partitë opozitare, në një të ardhme të afërt mund t'i sigurojnë votat për rrëzimin e Qeverisë Kurti, por assesi nuk mund ta ndryshojnë bindjen qytetare për një kohë të shkurtër”, thotë analisti.

Ndër të tjera, ai shpjegon që partitë opozitare kanë për të heshtur deri në dobësimin e fuqisë elektorale të Vetëvendosjes, edhe atëherë nëse i kanë numrat për ta rrëzuar qeverinë Kurti.

Kalkulimet politike të partive opozitare nuk i japin komoditet për ta nisur një procedurë të tillë, pasi potencialisht zgjedhjet do të nxjerrin fitues relativ partinë në pushtet. Lidhur me këtë rast, kemi precedentin e Gjykatës Kushtetuese, ku i jep të drejtë partisë së parë. Në këtë kontekst, partitë opozitare kanë për të heshtur deri në dobësimin e fuqisë elektorale të Vetëvendosjes, edhe atëherë nëse i kanë numrat për ta rrëzuar qeverinë Kurti”, nënvizoi analisti Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Kelmendi: Mocioni me “Listën serbe” për rrëzimin e Qeverisë Kurti është shumë i rrezikshëm për opozitën!

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që nëse opozita do t’i kishin votat në Kuvendin e Kosovës atëherë do ta kishin paraqitur mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Image
Muhamet Kelmendi

Mirëpo, ai thekson që për këtë i duhen votat e “Listës serbe” dhe nëse siguron votat e kësaj të fundit atëherë është shumë kundërproduktive një bashkëpunim i tillë.

LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja sikur t’i kishin votat në Kuvendin e Kosovës me siguri do të paraqitnin mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti! Numrin për paraqitjen e kërkesës të deputetëve në Kuvend e kanë. Mbetet të sigurohen votat në Kuvendin e Kosovës që të rrëzohet Qeveria e Kosovës. Këtu i duhen mocionistëve edhe votat e “Listës serbe” dhe të minoriteteve të tjera. Rrëzimi i Qeverisë kështu është kundërproduktive për çdo parti opozitare që bashkëpunojnë me “Listën serbe” për rrëzimin e Qeverisë. Këto i dinë LDK-ja, PDK-ja e AAK-ja”, potencon profesori.

Ai në fund përmend kërkesën e Mustafës duke vënë në pah që ka qëllim për ta futur LDK-në në një krizë e të shkohet në rizgjedhje partiake.

“Ndërsa, kërkesa e Isa Mustafës ka për qëllim që të futë opozitën, kryesisht LDK-në, në një krizë të thellë dhe kështu të shkohet në rizgjedhje. Fundi i opozitës është i rrezikshëm. Mocioni ka sukses dhe opozita fiton nëse i kanë votat e parlamentarëve shqiptarë dhe të minoriteteve jo serbe. Këndej kërkohet të punojë opozita”, përfundoi profesori Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat