Çfarë do të ndodhë pas 31 tetorit? A është ky plani serb për konflikt të ri në Kosovë?

Politika

Çfarë do të ndodhë pas 31 tetorit? A është ky plani serb për konflikt të ri në Kosovë?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 21 tetor 2022 Në ora: 11:58
Foto ilustrim

Fillimisht ishte Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ai i cili paralajmëroi se rritja e tensioneve në Kosovë është e dukshme.

“Rritja e tensioneve në Kosovë është e dukshme, jo vetëm në lidhje me çështjen e targave”, shprehet Stoltenberg.

E deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, në një intervistë ekskluzive dhënë së fundi për “Bota sot”, nuk ka përjashtuar mundësinë e një lufte në Kosovë, pasi siç ka thënë ai, Rusia tani më shumë se kurrë është e interesuar për destabilizimin e situatës në Kosovë.

"Mendoj se Rusia tanimë më shumë se kurrë është e interesuar për destabilizimin e situatës në Kosovë. Kjo do ta zhvendoste vëmendjen në një konflikt të ri, dhe Rusia do të vazhdonte të krijonte tmerre në Ukrainë. Për më tepër, Serbia tani po sillet njësoj si Rusia. U befasova shumë kur Serbia njoftoi në verë se do të denazifikonte Ballkanin. Kjo është absolutisht e njëjta retorikë si në Rusi. Një për një. Kjo është një histori shumë e rrezikshme", ka thënë deputeti i Parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko.

Kurse Ministrja e Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq po përgatit agresion ushtarak ndaj Kosovës ashtu sikurse Vladimir Putini në Ukrainë.

“Bashkësia ndërkombëtare është alarmuar se ideologjia e “botës serbe” në Ballkan mund të çojë në luftëra të reja. Vuçiqi po përgatit agresion ushtarak në Ballkan ashtu sikurse Putini”, deklaroi Ministrja Gërvalla.

Ndërsa, gazetari gjerman, Michael Martens, i cili është korrespodent i Frankfurter Allgemeine Zeitung në Ballkan, ka thënë se sipas zyrtarëve të qeverisë gjermane ekziston një rrezik për sigurinë në Ballkan, pasi Serbia mund të ndërhyjë edhe ushtarakisht në veri të Kosovës.

“Serbia është e gatshme të ndërhyjë [ushtarakisht] në veri të Kosovës. Nga këndvështrimi ynë, serbët janë pozicionuar në atë mënyrë që të mund të lëvizin (ushtarakisht) në veri nëse është e nevojshme. Ata kanë potencialin për të reaguar”, ka shkruar Martens, i cili ka cituar fjalët e një zyrtari të qeverisë gjermane.

Serbia po përgatitet për luftë

E sipas profesorit Dr.Enver Bytyçit, tashmë edhe Stoltenbergu dhe Goncharenko po i vërtetojnë paralajmërimet e presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Kurti, të cilët kanë alarmuar se Serbia po përgatitet për luftë.

Image
Enver Bytyçi

“Ka njerëz që e kanë kritikuar kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani, pse këta në raste të caktuara paralajmërojnë se Serbia përgatitet për luftë e konflikt në Kosovë. Opozita madje ka thënë se "Kryeministri është i fundit ai që mund të flasë për luftën", duke nënkuptuar që "të mos shkaktohet panik te qytetarët"! Por kemi dy lloj përpjekjesh. Përpjekja e shqiptarëve pro-Ballkanit të hapur, të cilët nuk pranojnë se Serbia është destruktive dhe mund të krijojë konflikt në Kosovë. Në këtë rast gjithçka shkon në drejtim të interesave serbe e të presidentit Vuçiq, i cili dëshiron të hiqet në opinionin perëndimor si "njeriu i paqes"! Dhe rasti kur Osmani, Kurti e të tjerë flasin për mundësinë e një konflikti, madje të një lufte të re në Ballkan, duke nisur me atë midis Serbisë dhe Kosovës”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas Bytyçit, Serbia synon që ta përdorë çështjen e targave që të nxit tensione dhe konflikt në Kosovë.

“Deputeti ukrainas është objektiv kur paralajmëron se presidentit rus i konvenon hapja e një fronti të dytë lufte në Ballkan përmes Rusisë së vogël me emrin Serbi. Sigurisht që në këtë rast Rusia do të përdorte metoda shumë brutale në luftën e Ukrainës, sepse vëmendja e botës do të përqendrohej pikërisht në Ballkan. Ndërkaq, Jens Stoltenberg thotë se "Rritja e tensioneve në Kosovë është e dukshme, sidomos në lidhje me çështjen e targave"! Pra, Serbia shfrytëzon alibinë e reciprocitetit të targave sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, me qëllim që të krijojë tension e konflikt në veri të Kosovës. Ne kemi parë se si vetë presidenti i Serbisë u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të mos pranojnë ndërrimin e targave dhe pajisjen me ato zyrtare RKS. Thirrja e tij është respektuar nga ana e serbëve lokalë”, shprehet Bytyçi.

Siç thotë profesori Bytyçi, pas skadimit të afatit për targat, që është 31 tetori, Kosova do të gjendet përballë një situate të tensionuar.

“Mirëpo, afati i ndërrimit të targave dhe vendosjes së reciprocitetit po afrohet. Pas 31 tetorit, Kosova mund të gjendet në kushtet e një konflikti të tensionuar. A mund të ndodhë që ky konflikt të kthehet në luftë, në konflikt të armatosur? Unë mendoj se jo. Derisa aty është KFOR-i, pra NATO-ja, mund të konsiderohet i përjashtuar opsioni i luftës. Por, çfarë mund të ndodhë? Mundet që të rishfaqen barrikadat! Mundet që Beogradi të shpallë themelimin e të ashtuquajturit Asociacion të Komunave Serbe në Kosovë, sipas kushtetutës serbe, duke i dhënë këtij Asociacioni kompetencat p.sh të Vojvodinës autonome! Mundet edhe që të ndizet një konflikt i vogël i armatosur, i konsideruar si "luftë civile" e brendshme! Megjithatë duhet besuar se serbët e Kosovës nuk bien në këtë kurth të Aleksandër Vuçiqit. Mesa kam ndjekur situatën, janë jo pak serbë, të cilët fajësojnë politikën e Beogradit e disa të të dy kryeqyteteve për këtë situatë të tensionuar!”, shpjegon profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, Bytyçi thekson se orientimi pro-rus i Serbisë krijon kushte për konflikt e luftë në rajon.

“Ajo që thotë deputeti ukrainas për "denazifikimin" e rajonit është një opsion i Rusisë në Serbi. Në Beograd qeverinë e zotit Kurti e emërtojnë shpesh si qeveri naziste. Dhe denazifikimi synon rrëzimin e qeverisë aktuale nga pushteti. Opozita e Kosovës dhe mazhoranca e Shqipërisë më shumë përkrahin në këtë aksion Beogradin, sesa përpiqen të mbrojnë qeverinë legjitime të Kosovës. Interesat okulte personale dhe të pushtetit shpeshherë bëjnë që fraksione të caktuara politike shqiptare të bashkohen me armikun tonë shekullor, Serbinë”.

Përveç Kosovës, Bytyçi thotë konflikt të armatosur mund të ketë pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi Serbia zhvillon armiqësi edhe me vende të tjera.

“Konflikti është i mundshëm të zhvillohet kudo në Ballkan, sepse Serbia ka një sjellje armiqësore edhe me vende të tjera, Bosnjë-Hercegovinën e Malin e Zi për shembull. Por, edhe me Kroacinë. Megjithatë fitili është i ndezur gjithnjë në Kosovë, në veriun e saj. Nëse ndodhë një konflikt në këtë rajon, kjo Rusisë do t'i shërbejë për ta përhapur edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Por, Serbia do të kishte interes që këtë konflikt në veri të Kosovës ta përdorte si kauzë për ndarjen e Kosovës”, shprehet Bytyçi.

“Në këto kushte do të duhet që qeveria dhe institucionet e Kosovës të veprojnë me vendosmëri në zbatimin e vendimeve, ligjeve, kushtetutës e marrëveshjeve me Serbinë, e njëkohësisht me maturi. Maturia është e domosdoshme që të maturojë veprimet. Të mos ketë nguti. Të eliminohen pengesat pjesë - pjesë dhe jo me aksion. Pra, t'i shërbehet qëllimit për të rivendosur sovranitetin e plotë në çdo m2 të territorit. Por, jo të kalohet në arrogancë e arbitraritet. Arroganca mund të përdoret si alibi e konfliktit”, deklaron për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Plani serb

Kurse eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se Serbia e ka planin e saj ekzistues, me çka synon të nxisë konflikt të ri.

Image
Drizan Shala

““Denazifikimi” si argument i përdorur nga Rusia për të filluar operacionin e saj ushtarak tregon faktin që është tentuar që të ndryshojë rrjedhjen e historisë duke kërcënuar edhe Gjermaninë në forma indirekte. Pra, nëse analizohet doktrina ushtarake e përdorur nga Rusia në këtë fushëbetejë që nga fillimi deri tani nuk ka mundur askush ta kuptojë derisa i aneksoi përmes referendumit edhe 2 rajone të tjera ku sipas tij (Putinit) janë tani më të “denazifikuara”. Çka do të thotë kjo nëse përkthehet në raport me Kosovën dhe të gjithë rajonin nga politika shoviniste serbe, e cila nuk ndryshoi që nga vitet e ‘90-tat? Në raport me Kosovën dihet që ekziston një plan latent, të cilin Serbia po tenton ta mbajë si diçka ekzistues dhe reale që nga deklarimet e zyrtarëve të lartë të Serbisë, të cilët në periudha të caktuara potencojnë që: Serbët në Kosovë janë të rrezikuar, serbët në Bosnje janë të shkelur nga padrejtësia juridike në Bosnje, se duhet të krijohet bota serbe si shpëtim nga presioni shqiptar dhe kroat”, shprehet Shala, i cili e ka shpjeguar edhe në detaje planin serb.

“Pra, nga kjo shihet plani si në vijim: Krijimi i narracionit publik për “rrezikim “ të qytetarëve serbë në Kosovë; Marrja e vendimeve politike me impakt në nivelin lokal dhe qendror nga ana e politikës serbe në Kosove (Lista Serbe); Financimi i grupeve kriminale nëpërmjet vijës buxhetore nga i ashtuquajturi Ministër për Kosovën në kuadër të qeverisë së Beogradit; Pengimi i institucioneve të Kosovës në shtrirjen e autoriteti të tyre në veri të vendit”, shpjegon Shala për “Bota sot”.

Më tej, Shala thekson se Beogradi do të tentojë me çdo kusht që të bllokojë shtetin e Kosovës dhe do të nxisë qytetarët serb që të dalin përsëri në bllokada.

Nga këto veprime Beogradi zyrtar po shpreson në atë të quajturin “asociacion i komunave serbe” të nënshkruar në marrëveshje të Brukselit, ndërsa institucionet e Kosovës tani më janë duke përgatitur veprime konkrete të hartimit të statusit të këtij Asociacioni në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetues. Por, prapë se prapë mund të konkludojmë që Beogradi do të tentojë me çdo kusht dhe formë të bllokojë në terren mundësinë e jetësimit të këtij Asociacioni që do të propozojë Kosova, ndërsa do të vazhdojë që të praktikojë një politik agresive duke tentuar që “qytetaret” serb të Kosovës të bllokojnë rrugët, ndalin bashkëpunimin dhe komunikimin me nivelin qendror, duke futur të gjitha komunat ku udhëheqin serbet në një padëgjueshmëri institucionale, por që qëllimi i vetëm është “kapja” e territorit të atyre komunave veriore dhe atëherë të vazhdojë “lufta” speciale e Serbisë përmes involvimit të UNMIK-ut në këtë situatë dhe kështu të tentohet që të fitohet kohë dhe mundësi për një proces tjetër të stërzgjatur për pjesën veriore të vendit”, shprehet Shala.

“Institucionet e Kosovës duhet të jenë vigjilente dhe të përmbajtura, qoftë në deklarime, qoftë edhe në veprime duke mos lënduar procese ku si garancë janë miqtë tanë ndërkombëtar”, përfundon për “Bota sot” eksperti i sigurisë Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat