Politologu tregon pse BE i ka kërkuar Kosovës, 10 muaj afat shtesë për regjistrimin e veturave serbe

Politika

Politologu tregon pse BE i ka kërkuar Kosovës, 10 muaj afat shtesë për regjistrimin e veturave serbe

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 tetor 2022 Në ora: 19:09
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se kërkon nga autoritetet e Kosovës që për 10 muaj të shtyjnë afatin për regjistrimin e automjeteve me targa serbe.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e cilëson vendimin e Kosovës për riregjistrimin e targave legjitim, mirëpo sipas tij, është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani, të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët atje, dhe në përputhje me praktikat evropiane.

“Konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore për ri-regjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime. Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj”, ka pohuar Stano në një përgjigje me shkrim.

Duke komentuar kërkesën e zëdhënësit të BE-së dhe njëkohësisht mundësisë se me këtë BE po e “ledhaton” Serbinë, politologu Albinot Maloku ka folur për “Bota sot”.

Sipas tij, vendimi për shtyrje është tregues se Qeveria nuk është duke i koordinuar hapat e vetë me rrethanat e mundësitë reale të saj.

Maloku vendimin e Qeverisë e konsideron të drejtë, mirëpo shprehet se është premtuar me pompozitet dhe si premtim të fuqishëm se do të jetësohej siç duhej.

“Vendimi për çështjen e targave të veturave ishte i Qeverisë së Kosovës dhe ajo duhet të ketë përgjigje sesi e ka menduar ekzekutimin e saj kur e ka marrë këtë vendim. Vendimi është prezantuar me pompozitet dhe premtim të fuqishëm se do të jetësohej siç duhet. E drejta është në anēn e Qeverisë nga se ka kaluar koha e përdorimit të targave ilegale serbe në Kosovë. Kërkesën për shtyrje të këtij vendimi nga ana e BE-së drejtuar Qeverisë së vendit më shumë e shoh si tregues se Qeveria nuk është duke i koordinuar hapat e vetë më rrethanat e mundësit reale të saj”, ka thënë Maloku për “Bota sot”.

Image
Albinot Maloku

 

Ndryshe, Kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, është takuar sot me ambasadorët e e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Sipas një komunikate të Qeverisë, në takim u diskutua për zhvillimet në vend, procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për çështjet aktuale, me theks te energjia dhe vendimi i Qeverisë për targat të veturave.

“Në lidhje me vendimin për targa, ai tha se nuk është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës. Nëpërmjet tij dhe me ftesën tonë të hapur për të konvertuar targat e tyre në ato legale dhe zyrtare, edhe po respektojmë sundimin e ligjit edhe po u japim lehtësime financiare”, u shpreh kryeministri Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat