Deputetë opozitarë po e humbin durimin nga dështimi për të penguar reformat dhe hetimin!

Politika

Deputetë opozitarë po e humbin durimin nga dështimi për të penguar reformat dhe hetimin!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 tetor 2022 Në ora: 08:00
Foto nga një prej komisioneve

Në komisionet parlamentare deputetët thuajse gjithmonë përplasen mes vete.

Së fundi, në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, të hënën kishte dëshmuar ish-ministri i Financave, Haki Shatri.

Ai është përgjigjur për mandatin e tij si ministër gjatë periudhës 2005-2007.

Derisa deputeti Arbër Rexhaj kishte ngritur çështjen e importit të energjisë elektrike, e që sipas tij, Kosova ka importuar rrymë prej kompanisë GEN në Slloveni, e jo nga GEN-i në Beograd.

“Kam një koment, por edhe një pyetje. Flitet këtu prej deputetëve, por në fakt duhet ditur që jemi në një Komision Hetimor dhe nuk mund të bëjmë aludime të pasakta ose pastaj të dalin verifikime të tjera. KEK-u ka importuar rrymë nga GEN-i slloven dhe jo nga GEN-i në Beograd. Për këtë është duke zhvilluar edhe një komision tjetër hetimor dhe ne i kemi verifikuar nga ai komision listat e sasive të energjisë së importuar. Pra, këtu ka dallim, GEN-i në Beograd dhe GEN-i në Slloveni”, tha Rexhaj.

Për këtë kishte reaguar kryetari i Komisionit, Hajdar Beqa, i cili ndër tjera kishte thënë se për këtë çështje do të bëjë sqarime vetë ambasadori Martin Berishaj.

“Sa i përket GEN-it në Beograd a Slloveni, është mirë ambasadori Martin Berishaj të na i shpjegojë si punëtor i tyre. Por, kur të vijmë te Martini, flasim për këtë. Nuk e dimë si ka qenë atëherë”, theksoi Beqa.

Përplasja e fundit ndodhi në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku Beqaj dhe Qala e braktisën seancën. Pse po ikin edhe nga ballafaqimet në seanca të Komisioneve? Pse po e humbin durimin kaq shpesh deputetët e opozitës? Nga çka motivohen nga frika se do të pësojnë udhëheqësit e tyre për shkeljet që kanë kryer?

Mehmeti: Opozita të zhytur thellë janë zhytur në krim dhe korrupsion

Image
Faton Mehmeti

 

Analisti Faton Mehmeti në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se opozita përmes zhurmës dëshiron që të fshehin dallaveret që i kanë bërë.

“E dinë çfarë kanë bërë vet dhe ata që janë mbi të, andaj po mundohen përmes zhurmës të fshehin dallaveret që kanë bërë. Përplasja do të ishte e natyrshme për koncepte dhe parime, e të cilat nuk janë në rastin aktual. Opozita nuk e di ku e ka rrugën, që nga miratimi i koncept-dokumentit për konfiskim të pasurisë janë bërë të çartur”, thotë ai.

Sipas tij, ata janë të zhytur thellë në krim dhe korrupsion.

“E dinë çfarë kanë bërë dhe sa thellë janë zhytur në krim dhe korrupsion. Kështu që, mendojnë përmes ‘tymnajës’ së zhurmës të fshihen, harrojnë se populli tashmë e di kush janë dhe i ka çuar në opozitë, ndërsa drejtësia e re dhe e pa kapur do i çoj në burg”, përfundoi analisti Mehmeti.

Mulliqi: Opozita nuk po e durojnë pushtetin e Albin Kurtit dhe të Vjosa Osmanit

Image
Skënder Mulliqi

 

Analisti Skënder Mulliqi për “Bota sot” thotë se opozitës po i pengon qeverisja e Albin Kurtit. Sipas tij, opozita duhet ta kuptojë se nuk jemi më shtet monist.

“Me humbjen e pushtetit, garda e vjetër politike, nuk po pajtohet, dhe këtu është brendia e zhurmës të saj në Parlament dhe mediat që i kontrollojnë. Nuk po bëjnë shumë opozitë konstruktive në Kuvend, por po merren me zhurma, sharje dhe fyerje në adresë të pushtetit. Kështu po ndodhë edhe në komisione të ndryshme parlamentare. Nuk po e durojnë pushtetin e Albin Kurtit dhe të Vjosa Osmanit punuan keq ose edhe mirë. Janë mësuar gjatë me e pasur pushtetin vet në dorë, e së bashku me pushtet edhe të mirat materiale, nga të cilat shumë kush nga ta edhe janë pasuruar. Shumë e kanë shikuar pushtetin nëpërmes syzeve përfituese, dhe për tash po i shohim edhe gjithë këto përplasje me deputetët e LVV-së në Kuvend. Sikur nuk po dëshirojnë me kuptuar se në sistemin pluralist demokratik ekziston verdikti i pushtetit, se nuk jemi më në sistemin monist një partiak”, thotë ai.

Tutje, shton se qëllimi i tyre është ta rrëzojnë qeverinë Kurti.

Madje, thotë se ishin ata që e kanë pru gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale në Kosovë, madje edhe dialogun Kosovë-Serbi.

“Në çdo komision edhe në komisionin për Mbikëqyrje dhe Financa Publike, këta po e humbin durimin për të mos lejuar reformat e nevojshme, dhe për të mos lejuar edhe hulumtimin e prejardhjes të pasurimeve të paligjshme. Qëllimi final jo vetëm i PDK-së, por i krejt bllokut opozitar është që me çdo kusht me rrëzua Qeverinë Kurti 2, siç kanë bërë me Qeverinë Kurti1. Por, sigurisht po harrojnë se rrethanat politike nuk janë të njëjta, dhe nuk përputhën me asgjë. Dihet se LVV-ja dhe Lista Guxo e kanë shumicën në Parlament, në krahasim kur LVV-ja ishte në koalicion me LDK-në. Kur jemi te pyetja e parashtruar duhet theksuar se gati krejt pas luftën Kuvendi i Kosovës u shndërrua në vend të zënkave dhe përplasjeve të ndryshme, dhe atë më duket mua u bë qëllimisht nga disa deputetë jo të përgjegjshëm, për tu ikur temave qenësore e jetike për qytetarët tanë, të cilët shumica ende nuk po jetojnë mirë. Keqpërdorimet e kanë pru gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale. Edhe në relacion me Serbinë, u zhvilluan bisedime më shumë në dëm të vendit, se sa në dobi. Dhe, të gjitha këto probleme të grumbulluara, natyrisht se kërkojnë kohë për zgjidhje të tyre. Opozita sikur po dëshiron që gabimet në të kaluarën t’ia faturojnë kësaj qeverie. Unë mendoj se shumica e qytetarëve tashmë i kanë të qarta gabimet dhe lëshimet e të së kaluarës. Sa më parë që ta kuptojnë këtë edhe opozita, aq më mirë do të jetë për vet ata, por edhe për Kosovën, të cilën po e presin shumë sfida përpara”, përfundoi analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat