Ethet për liberalizimin e vizave/ “Franca nuk do të rriskojë të bëhet arrogante kundër vlerave të lirisë”

Politika

Ethet për liberalizimin e vizave/ “Franca nuk do të rriskojë të bëhet arrogante kundër vlerave të lirisë”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 22 tetor 2022 Në ora: 12:14
Vjosa Osmani dhe Emmanuel Macron

Dita e premte (21 tetor) ishte afati i fundit në të cilën vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë mundur t’i dërgojnë në formë të komenteve kërkesat dhe vërejtjet e tyre rreth çështjeve teknike lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Presidenca Çeke e Këshillit Evropian, do t’i pranojë komentet para mbledhjes së radhës së Grupeve Punuese të KE-së, të cilat do të mbahen më 9 dhe 10 nëntor.

Ky takim mbahet pas mbledhjes së 13 tetorit, në të cilin zyrtarët francezë propozuan që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionimin e të ashtuquajturit sistem ETIAS nga BE-ja, që nuk pritet të funksionalizohet para nëntorit të vitit 2023.

Këto kushtëzime për liberalizimin e vizave, i konsiderojnë të panevojshme njohësit e çështjeve ndërkombëtare.

Ata shprehen se Kosova ka përmbushur kushte më shumë se vendet tjera për liberalizim të vizave dhe kësisoj duhet ta gëzojnë të drejtën për lëvizje të lirë.

Struktura institucionale dhe ligjore e BE-së, e bënë pothuajse të pamundur ndërtimin e një raporti kontraktual të mirëfilltë në mes Kosovës dhe BE-së

Njohësi i integrimeve evropiane, Avni Mazrreku, vendosjen e kushteve shtesë i konsideron si tregues që BE dhe Kosova nuk kanë ndërtuar raporte normale.

Duke folur për historikun e hapave drejt liberalizimit, Mazrreku thotë se Kosovës i janë shtuar kushtet që nuk i kanë pasur vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Image
Avni Mazrreku

“Vendosja e këtyre t’i quajmë kushteve shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën, është tregues që Bashkimi Evropian dhe Kosova ende nuk kanë ndërtuar raporte normale. Kur them kështu, që BE-ja dhe Kosova ende nuk kanë ndërtuar raporte normale, që të vijnë deri te kjo pikëpamje ta quajmë, gjithmonë për faktin që disa shtetet anëtare të BE-së, që janë: Spanja, Sllovakia, Greqia, Qipro, ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, rrjedhimisht struktura institucionale dhe ligjore e BE-së, e bënë pothuajse të pamundur ndërtimin e një raporti kontraktual të mirëfilltë në mes Kosovës dhe BE-së. Pse e them këtë? Duke e marrë parasysh historikun, përkatësisht kronologjinë e zhvillimeve që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave dhe mendojmë për vitin 2012, atëherë kur kanë filluar negociatat në mes Kosovës dhe Komisionit Evropian në mënyrë që të përgatitet udhërrëfyesi dhe ai të jetë dokumenti bazë në të cilin Kosova duhet të punojë, me kushtet dhe kriteret e përcaktuara për Kosovën në këtë udhërrëfyes, janë ajo çka në fakt Kosova do të duhej të punojë dhe të fokusohet në përmbushjen e tyre”, thotë ai.

Edhe ky pohon se Kosova i patë përmbushur të gjitha ato kriteret e përcaktuara me udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, mirëpo ai e rikujton se fatkeqësisht në vitin 2016, Bashkimi Evropian pat vendosur një kusht, i cili kusht nuk ishte vendosur për asnjë vend apo popull të vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Dhe ai kusht mendoj se ishte kontraktor për vetë faktin që vetë BE-ja nuk ka qenë në gjendje të marrë një vendim politik, sepse në fund Kosova është duke pritur vetëm një vendim, që është vendim politik që t’i liberalizohen vizat, sepse organet teknokratike të BE-së, sigurisht në këtë rast Komisioni Evropian dhe trupat parlamentare brenda Parlamentit Evropian, ato kanë referuar, përkatësisht kanë rekomanduar liberalizimin e vizave”, u shpreh Mazrreku.

Kushti i demarkimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, në mënyrë që të bëhet liberalizimi i vizave, ishte kontradiktor për dy arsye.

“Dhe kur është vendos kushti për demarkimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, kontradiktor e bënin këtë kusht dy faktorë, faktori i parë që Bashkimi Evropian nuk kishte vendosur kushte të tilla për asnjë vend të Ballkanit Perëndimor, që kishin përfituar nga procesi i liberalizimit dhe për më tepër që kishin përfituar në procesin e asocimiit në Bashkimin Evropian. Dimensioni i dytë që e bënë edhe më tepër kontradiktor vendosjen e këtij kushti, ka qenë edhe është në fakt, që Kosova nuk e ka të demarkuar kufirin me Serbinë. Vija kufitare me Serbinë është shumë më e gjatë, sesa vija kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Prandaj, vendosja e një kushti të tillë duke e ditur dhe duke e njohur polarizimin e brendshëm ekstrem të asaj situate, që ka kaluar Kosova në vitin 2016, ka qenë prelud për BE-në, që ai t’i krijojë prelud vetes në mënyrë që të mos nxjerr një vendim adekuat”, deklaron Mazrreku.

Deficit demokratik brenda vetë Bashkimit Evropian

Sipas tij, vendosja e kushtit të ri për liberalizim të vizave nuk ka të bëjë me procesin e përmbushjes së kritereve, por ka të bëjë me deficitin demokratik brenda vetë Bashkimit Evropian.

“Edhe pse Kosova e plotësoi këtë kusht të Bashkimit Evropian, edhe pse Komisioni Evropian në raportin e vlerësimit të kushteve, në vitin 2018 ka vlerësuar që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, bile bile kushtet më tepër sesa vendet e Ballkanit Perëndimor dhe shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimore kanë pasur midis 60 a 65 kritereve të përmbushjes, Kosova domethënë ka pasur kritere më tepër se Komisioni Evropian rekomandoi për liberalizimin e vizave. Këshilli Evropian, i cili tani për tani është duke e shqyrtuar procesin e marrjes së këtij vendimi, ishte kundër në fakt, ta fus në agjendë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Vendosja e kushtit të ri, nga disa shtete anëtare të BE-së, nuk ka të bëjë asgjë me procesin e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, por ka të bëjë me deficitin demokratik brenda vetë Bashkimit Evropian, për të nxjerr një vendim që iu garanton lëvizjen e lirë qytetarëve të Kosovës, për më tepër të themi se ajo vlera fundamentale mbi të cilën është ndërtuar BE-ja është ndër vlera kryesore, domethënë lëvizja e lirë. Tani BE-ja, pa të drejtë, në mënyrë diskriminuese përdor pikërisht atë të cilën konsiderohet si vlerë themelore, liria e lëvizjes së njerëzve, e pamundëson për qytetarët e Kosovës”, theksoi Mazrreku.

Kushti i vendosur për Kosovën, ka të bëjë me një sistem digjital, i cili synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

ETIAS është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.

Sipas Mazrrekut, nëse flitet për datën 9 apo 10 nëntor, është e paracaktume, sepse vendosja e këtij kushti e paracakton epilogun.

Domethënë, sipas Mazrrekut, Kosova nuk ka gjasa ta prokurojë një sistem të tillë, ta vendos dhe ta demonstrojë atë.

“Vendosja e një kushti të tillë, që Kosova të jetë pjesë e një sistemi elektronik, një sistem i cili në fakt nuk është ende funksional brenda vetë zonës Shengen të BE-së dhe që shumë shtete anëtare edhe e kundërshtojnë, në fakt ky sistem është një sistem i bazuar mbi pak a shumë nëse ky kusht bëhet, për qytetarët e Kosovës është një riaplikim për viza, sepse procedura e këtij sistemi është që një herë duhet të aplikohet në formë elektronike, duhet t’i japin të dhënat e veta dhe pastaj duhet të presin t’i konfirmohet mundësia e lëvizjes së atij qytetari në zonën Shengen, që në fakt është një ri-aplikim për vizë. Ky sistem ende nuk është duke u aplikuar në vetë vendet anëtare të zonës Shengen, prandaj është e padrejtë të vendoset një kusht për Kosovën. Nëse veç flasim për datën 9 nëntor dhe themi se Kosova ka arritur apo nuk ka arritur ta vendos këtë kusht, kjo është e para caktuar, vendosja e këtij kushti e paracakton epilogun e datës 9 nëntor, fillimin e dhjetorit, përkatësisht presidencës së Çekisë në fund të këtij viti, se nuk ka gjasa që Kosova ta prokuroj një sistem të tillë, ta vendos dhe ta demonstrojë atë sistem”, përfundon Mazrreku.

Varet edhe nga vendosmëria e kundërshtimit të propozimit francez

Franca nuk është e vetmja që e mbështetë idenë për ta lidhur ETIAS-in me lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës. Belgjika dhe Spanja e mbështesin po ashtu, ndërsa Suedia, Holanda dhe Italia janë duke e konsideruar atë. Gjermania, megjithatë, është fuqishëm kundër propozimit.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, shprehet se pas kritikave që ka hasur propozimi i Francës, ajo është shprehur se është propozim, jo bojkotim dhe kësisoj nënkupton që Parisi nuk do të vendosë veto kundër.

Image
Enver Bytyçi

“Në takimin e 13 tetorit Këshilli i Evropës mori në shqyrtim edhe çështjen e liberalizimit të vizave me Kosovën. Në atë takim Franca dhe ndonjë vend tjetër anëtar i BE-së propozuan që kjo të lidhet me aplikimin e sistemit të kontrollit të kufijve të BE-së, sipas modelit amerikan. Ndërkohë që ky sistem është parashikuar të vendoset në janar 2023. Që do të thotë se propozimi në fjalë ta shtyjë liberalizimin e vizave të zonës Shengen me Kosovën edhe një vit më vonë. Ky propozim ka has në kritika të ashpra. Për këtë arsye Franca ka thënë se ky ishte thjesht një propozim, por jo edhe një bojkot për liberalizimin e vizave, çka nënkupton se Parisi nuk do të vendosë veto kundër. Natyrisht që kjo varet se sa me vendosmëri do ta kundërshtojnë propozimin francez vendet e tjera, ose shumica e vendeve të BE-së, përfshirë gjithashtu Gjermaninë. Por duhet besuar se nuk është as në interesin e politikës franceze krijimi i barrierave dhe kushtëzimi i mëtejshëm i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, pohon Bytyçi.

Ai nuk beson që Franca do ta bëjë arrogantin kundër vlerave të lirisë.

“Nëse e gjykojmë nga deklarimi francez këtë çështje, atëherë do të duhet të besojmë se qeveria dhe institucionet e vendit do të bëjnë çka është e mundur që Franca të mos e bllokojë projektin. Fatmirësisht Komisioni Europian dhe vetë Këshilli i Europës janë deklaruar se Kosova tashmë i ka zbatuar të gjitha kriteret dhe kushtet e vëna për këtë qëllim. Dhe nuk kanë qenë pak, por plot 95 të tilla. Si për asnjë vend tjetër me të cilin Brukseli ka vendosur për liberalizimin e vizave. Duke u nisur nga koncepti i vlerave demokratike, liberalizimi i vizave lidhet me lëvizjen e lirë të qytetarëve. Lëvizja e lirë e qytetarëve është nevojë dhe e drejtë bazë. Kësisoj në këtë aspekt Franca nuk besoj se do të rriskojë të bëjë arrogantin kundër vlerave të lirisë”, thekson Bytyçi.

Mosliberalizimi, do të ishte favor për skenare lufte

Mos liberalizimi i vizave të Kosovës, sipas Bytyçit, do të shkojë në dobi të agresionit rus në Ukrainë.

“Ndërsa nisur nga rrethanat e sotme gjeopolitike dhe kriza e lufta në Ukrainë, si rezultat i agresionit rus të Vladimir Putin, atëherë duhet besuar se Bashkimi Europian nuk ka asnjë shans të bllokojë një akt të tillë për Kosovën. Nëse ndodh kjo, atëherë thjesht shtohen kokëdhimbjet dhe vështirësitë e përballimit të situatës së krijuar. Mos-liberalizimi i vizave me Kosovën shkon në dobi të agresionit rus në Ukrainë, sepse shërben si injeksion për këtë agresion. Frustron qytetarët. I bën ata nervozë dhe krijon mundësinë e veprimeve të pamata, të cilat çojnë në destabilizimin e rajonit. Kur një enë zien në temperatura të larta, ajo ose pëlcet, ose e hedh në ajër kapakun e saj. Kësisoj janë edhe shoqëritë. Prandaj Franca e Emmanuel Macron duhet t'i përmbahet masës në qëndrimet e saj ndaj Kosovës. Vërtetë në Paris e në Francë ka shumë simpatizantë të Serbisë për shkak të lidhjeve tradicionale, por gjithçka e për çdo gjë ka një masë. Nëse prishet masa, prishet edhe cilësia. Nëse prishet cilësia atëherë prishet ekuilibri. Kur prishen ekuilibrat, atëherë vjen konflikti dhe ndoshta edhe lufta. Sepse krizat duhen zgjidhur në një farë mënyre. Këto janë ligje, të cilat na i kanë mësuar filozofët evropianë, ndër ta edhe ata francezë”, deklaroi ai.

Bytyçi kërkon që autoritetet e Kosovës të udhëtojnë drejt Parisit dhe të bëjnë gjithçka që të mos humbas Kosova që brenda këtij viti t’i liberalizohen vizat.

“Në këto kushte autoritetet e Kosovës duhet të veprojnë sa më parë, të hyjnë në kontakt me Parisin dhe ndonjë vend tjetër për të neutralizuar çdo mundësi imponimi të vetos. Ndoshta dy autoritetet kryesore, Presidentja ose Kryeministri do të duhet të udhëtojnë drejt Parisit. Duhet bërë gjithçka që kjo mundësi të mos humbasë, që Kosovës brenda këtij viti t'i liberalizohen vizat. Unë e di se Macron do të donte që vizat të kushtëzohen me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Megjithatë liberalizimi i vizave mund të shihet edhe si inkurajim për atë marrëveshje, çka do të thotë se vendimi duhet marrë më 9 nëntor ose e shumta në fillim të dhjetorit”, përfundon Bytyçi.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, të përbërë prej 26 shtetesh evropiane.

Vendet e tjera të rajonit ka më shumë se një dekadë që gëzojnë udhëtimin pa viza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat