“BE gati sa nuk po çmendet nga ky vendim!”/ Vjen paralajmërimi për qeverinë Kurti: Mos u tërhiq!

Politika

“BE gati sa nuk po çmendet nga ky vendim!”/ Vjen paralajmërimi për qeverinë Kurti: Mos u tërhiq!

A.Morina Nga A.Morina Më 22 tetor 2022 Në ora: 20:06
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq - Foto ilustrim "Bota sot"

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka konfirmuar se BE kërkon nga autoritetet e Qeverisë së Kosovës, që për 10 muaj të shtyjnë afatin për regjistrimin e automjeteve me targa serbe.

Ndonëse e cilëson se vendimi i Kosovës për riregjistrimin e targave është legjitim, sipas Stanos, është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani, të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët atje, dhe në përputhje me praktikat evropiane.

“Konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore për ri-regjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime. Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj”, ka pohuar Stano në një përgjigje me shkrim.

Këtë kërkesë të BE-së, e ka kritikuar ashpër profesori nga Amerika, Binak Maxharraj.

Ai për “Bota sot” tha se kjo është një kërkesë hipokrite dhe se qeveria Kurti nuk duhet ta pranojë në asnjë mënyrë.

Image
Profesori nga Amerika, Binak Maxharraj.

“Kanë mbetur edhe pak ditë deri me 31 tetor kur skadon afati për ndrrimin e tabelave të komunitetit serb. Po bëhet një presion i pa parë ndaj qeverisë Kurti II për mundësinë e shtyrjes se afatit për ndrrimin e tabelave edhe për 10 muaj. Po bënë presion si Amerika dhe Bashkësia Evropiane, që kjo të ndodhë. Është në dorën e kryeministrit që kjo të ndodhë apo jo. Por, është interesant që për 12 vite dialog me marrëvshje të cilat Serbia as 70% nuk i ka realizuar, por bashkesia ndërkombëtare asnjëherë nuk i bëri presion shtetit serb, vetëm heshti. Këtu, më poshtë po shprehi vetëm opinionin tim, duke theksuar në veçanti se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i ndërprej këto manipulime me Kosovën, në vend se ate ta përkrahin fuqishëm vendosjen e sovranitetit në tërë teritorin e vet.

Në këtë drejtim zëdhënesi i BE për politikë te jashtme Peter Stano ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës qe te prolongohet (shtyhet) për 10 muaj afati për ndrrimin e tabelave. Një kërkesë e tillë është hipokrizi dhe se Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranoj assesi, sepse siç thotë një thënie e popullit “hekuri duhet rrahur sa është i nxehtë, se pastaj duhet kohë për ta nxeh përsëri””, deklaroi profesori.

Sipas tij, kjo kërkesë iu përshtatet vetëm Beogradit dhe ndërmjetësuesve pro-serb të cilët vijnë nga shtete që nuk e kanë njohur Kosovën.

Ai e la fajtor BE-në për gjendjen në të cilën është për momentin dialogu Kosovë-Serbi.

“Nuk është punë e ndershme e as me vend një kërkesë e tillë nga ana e BE-së, kur dihet fakti se vetë BE është fajtore për gjendjen e tillë në dialogun midis Kosovës e Serbisë, i cili po zgjatë që 12 vite pa ndonjë sukses.

Nuk duhet të pranohet prolongimi për 10 muaj kur dihet se në dialogun Kosovë-Serbi, vetë është Serbia e cila i bishtnoj dialogut duke e prolonguar disa herë, kurse BE e ledhatonte. Nuk duhet të pranohet edhe nga fakti se BE në heshtje e lejoi Federica Mogherinin një pro serbo-ruse që të vë në rend dite edhe mundësinë e ndarjes së Kosovës.

Nuk duhet të pranohet sepse dialogu kështu siç është i kontribuon ndërmjetësuesit kryesisht pro serb dhe të emëruar nga vendet që se njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran dhe që lejuan që disa marrëvshje të nënshkruhen në dëm të Kosovës, siç është Asociacioni një etnik serb”, theksoi Maxharraj.

Më tutje, profesori nga Amerika përmendi pengesat që shteti serb ua ka vendosur shqiptarëve dhe mënyrën se si BE ka heshtur dhe nuk ka reaguar.

“Nuk duhet të prolongohet apo shtyerja e ndrrimit të tabelave që është e ligjshme për të cilën janë marrë vesh palët qysh më 2016 për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Që nga atëherë, është vetë Serbia, ajo e cila i ka vë Kosovës pengesë në qarkullimin e lirë të qytetarëve të Kosovës duke ua ndërruar dokumentet me rastin e hyrjes së tyre në Serbi. Për këtë, BE nuk ka reaguar fare e lë më të ndërmarrë diçka që kjo të mos ndodhë. E tani kur Kosova me qeverisjen e re po vendosë reciprocitetin e ligjshëm, BE gati sa nuk po çmendet”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, profesori konsideroi se nëse shtyhet për 10 muaj ky afat, nuk do të ndryshojë asgjë, marrë parasysh personat që janë në pushtet në Beograd.

Ai u tregua i ashpër me BE-në, duke potencuar se ajo asnjëherë nuk e ngriti zërin, nuk tentoi ta ndaloi Serbinë që të përzihet në punët e brendshme të Kosovës

“Në fund, Qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë që afati për ndrrimin e tabelave të shtyhet edhe për 10 muaj. Duhet ditur se edhe atëherë pas 10 muajsh do ta kemi të njëjtën situatë siç është tani, nuk do të ndryshojë asgjë përderisa në pushtet në Beograd janë neofashistët, neoçetnikët, krimnelët dhe bashkëpunëtoret e santrapit, kasapit Sllobodan Millosheviq.

Por, BE sikur ka harruar se qytetarët serbë të Kosovës nuk pyetën fare për punët e tyre, ata edhe mbase do ta pranonin sovranitetin e Kosovës, po të mos lejohet që Beogradi me krye çetnikun Vuçiq në mënyrë arbitrare të përzihet në punët e brendshme të Kosovës duke manipuluar me serbët e saj për qëllimet e Serbisë. Dhe për këto gjëra, BE asnjëherë nuk e ngriti zërin, nuk tentoi ta ndal Serbinë që të përzihet në punët e brendshme të Kosovës, të mos manipuloj me serbët qytetarë të Kosovës, të cilët i konsideron si qytetarë të vetë e jo të Kosovës, që dalin në pah aspiratat e saj për territore, korrigjim të kufijve, etj.

Duhet t’i referohemi thënies së popullit tonë se ”punën e sotme mos e le për nesër, se të nesërmes nuk i dihet nafaka””, përmbylli Binak Maxharraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat