Propozimet e Daniel Serwer, shpresa e shqiptarëve të Luginës – nëse ndodh kjo gjë, Vuçiq do ta ketë shumë të vështirë punën!

Politika

Propozimet e Daniel Serwer, shpresa e shqiptarëve të Luginës – nëse ndodh kjo gjë, Vuçiq do ta ketë shumë të vështirë punën!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 22 tetor 2022 Në ora: 21:59
Daniel Serwer

Shqiptarët në Kosovën Lindore po përballen vazhdimisht me padrejtësi dhe mungesë të të drejtave nga ana e Beogradit. 

Së fundi,  profesori i “John Hopkins University” dhe njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, ka pasur një takim me përfaqësues të Luginës së Preshevës. 

Serwer ka thënë se, biseda me përfaqësuesit e Luginës, e ka bërë atë të mendojë përsëri për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Ai ka shkruar se reciprociteti duhet të jetë rregulla mbi të cilën ndërmerren veprime sa i përket dialogut. Kur e ka thënë këtë, Serwer ka përmendur faktin se në Kuvendin e Kosovës ka ulëse të rezervuara për serbët. 

 Sipas analistit amerikan, bazuar në këtë fakt, Serbia duhet të jetë e përgatitur që të ofrojë numër proporcional të ulëseve të rezervuara për shqiptarët në parlamentin e Serbisë. 

 “Reciprociteti është një parim themelor diplomatik. Vizitorët e mi më thanë se njerëzit në Departamentin e Shtetit preferojnë termin “simetri”. E pranoj se nuk e kuptoj ndryshimin. Çështja është se çfarëdo që të kërkoni nga dikush tjetër, duhet të jeni të gatshëm të jepni diçka të barabartë në këmbim, nëse ekziston një ekuivalent. Pra, nëse ka dhjetë vende të rezervuara për serbët në parlamentin e Kosovës (ka), Beogradi duhet të jetë i përgatitur të ofrojë një numër proporcional të vendeve të rezervuara për shqiptarët në parlamentin serb (ku sot nuk ka asnjë(”, ka shkruar Serwer. 

Ai ka thënë se reciprociteti duhet të implementohet edhe kur vjen puna tek Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Serwer ka thënë se Asociacioni s’duhet të ketë më shumë autoritet ekzekutiv sesa ka një shoqatë e komuniteteve shqiptare në Serbi. 

“Ky parim duhet të zbatohet edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që Beogradi dëshiron të formohet brenda Kosovës. Ajo nuk duhet të ketë më shumë autoritet ekzekutiv sesa një shoqatë e krahasueshme e komuniteteve shqiptare brenda Serbisë”, ka shtuar Serwer. 

Arifi: Këto tema e propozime i kemi ngritur e diskutuar bashkë me prof. Serwer dhe me z. Escobar 

Image
Nagip Arifi

Nagip Arifin, kryetar i komunës së Bujanocit në një prononcim për “Bota sot” konfirmoi se këto propozime janë diskutuar  gjatë takimit me Serwer dhe Escobar.  

Ai u shpreh optimist në përpjekjet e tyre dhe përkrahjen amerikane. 

 “Atëherë, ajo që mund të them është se këto tema e propozime i kemi ngritur e diskutuar bashkë me prof. Serwer dhe me z. Escobar po ashtu. Ne besojmë në përpjekjet tona dhe përkrahjen e parezervë amerikane që po e sforcojmë çdo ditë. 

 Mulliqi: Këto teza po plasohen për herë të parë në opinion dhe mendoj se duhet marrë seriozisht edhe nga politikat zyrtare të BE-së dhe të ShBA-së 

Image
Skëndër Mulliqi

Ndërsa, analisti politik, Skëndër Mulliqi, në një bashkëbisedim me “Bota sot” e vlerësoi lartë profesorin Daniel Serwer dhe qëndrimet e tij ndaj dialogut Kosovë-Serbi. 

“Në kohën e fundit pas invazionit të Rusisë në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po bëjnë përpjekje në Prishtinë dhe Beograd për të ardhur deri te marrëveshja finale. Për këtë arsye në Prishtinë dhe më pas në Beograd qëndruan radhazi i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i ngarkuari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Konstribut për të gjetur solucione të ndryshme është duke dhënë edhe profesori i ”John Hopkins Unversity” dhe njohësi i shquar i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer. Ky ka dhënë shpesh mendime shumë pozitive për Kosovën, rreth zhvillimit të dialogut”, deklaroi ai. 

Krahas kësaj, Mulliqi vlerësoi se këto propozime të Serwerit janë shumë të qëlluara dhe të pranueshme. 

 Ai shtoi se nëse Serbia ka vendosur masat e reciprotetit, pse të mos vlejë e njëjta edhe për Kosovën, kur jemi shtet!? 

“Dihet shumëçka që është thënë nga ky analist, por ajo që ka bërë shumë përshtypje është ato që ai ka thënë gjatë takimit që ka pasur javën e kaluar më përfaqësues të Kosovës Lindore. Duke foluar rreth dialogut, Serwer ka dhënë disa propozime të cilat më duket së janë shumë të qëlluara dhe të pranueshme politikisht. Edhe më parë kur Kosova vuri masat e reciprocitetit si baraspeshë ndaj reciprocitetit me Serbinë, Serwer kishte qenë dakord. Ai ka shkruar se reciprociteti duhet bërë rregull mbi të cilën duhet bazuar edhe vazhdimi i dialogut. Me planin e Marti Ahtisarit, qëndrojnë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës për minoritetin serb. Mendoj, se kjo duhet të jetë masë kaluese dhe se vendeve të rezervuar iu ka skaduar afati. Por, Serwer sigurisht se ka menduar që edhe në Serbi duhet të vendoset kriteri i njëjtë, që shqiptarët t’i kenë vendet e rezervura me termin simetrik, deri atëherë kur të hiqen këto vende të rezervuara. Nëse, Serbia ka vendos masat e reciprocitetit, pse mos të vlejë e njëjta edhe për Kosovën, kur jemi shtet? Kur minoritetit serb iu kanë rezervuar vendet në parlament, pse mos t’i kenë këto vende të rezervuara edhe shqiptarët në Kuvendin e Serbisë? Serbia, jo që nuk i zbaton këto kritere për të cilat ka folur Serwer, por ajo gjithnjë e më shumë po i diskriminon shqiptarët në Luginë”, theksoi analisti.  

Sipas tij, reciprociteti duhet të aplikohet edhe kur bëhet fjalë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke mos pasur kompetenca ekzekutive, që edhe kjo është shumë e drejtë dhe parimore. 

“Dihet se ata nuk i kanë as të drejtat elementare njerëzore e kulturore, e mos të flasim për të drejtat politike. E kanë një deputet të vetëm në parlament, e jo kot Daniel Serwer para delegacionit të Luginës tha se duhet t’i kenë edhe shqiptarët 10 vende të rezervuara, po aq sa kanë serbët në Kosovë. Ai ka thënë se reciprociteti duhet të aplikohet edhe kur bëhet fjalë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke mos pasur kompetenca ekzekutive, që edhe kjo është shumë e drejtë dhe parimore. Ky parim duhet të zbatohet duke formuar Asociacion të komunave shqiptare edhe brenda Serbisë, që të dyja në formë të shoqatave. Profesori Serwer ka bërë fjalë se reciprociteti duhet të implentohet edhe kur bëhet fjalë për forcat ushtarake në kufirin në mes Kosovës dhe Serbisë. Serwer propozon që edhe Serbia duhet të kufizohet nga dislokimi i ushtrisë nga komunat me shumicë shqiptare”, shpjegoi Mulliqi.  

Në fund, analisti kërkoi nga BE dhe SHBA të merren parasysh propozimet e Serwerit dhe të bëhet një trysni politike ndaj Serbisë. 

Ndonëse, sipas tij, Vuçiqi vështirë që mund t’i paramendojë dhe pranojë këto kushte. 

“Këto teza po plasohen për herë të parë në opinion dhe mendoj se duhet marrë seriozisht edhe nga politikat zyrtare të BE-së dhe të SHBA-ve. Mjaftë gjatë u punua më dy arshine. Serbia diktoi gjithçka në dialog, kurse pala shqiptare mbeti e abroguar nga këto të drejta. Gjithçka deri në kohën e fundit shkoi në favor të Serbisë të pa reformuar, duke diktuar madje edhe kushtet e dialogimit. Pushteti i ri në Kosovë ka një qasje parimore të dialogut të barabartë, si dy shtete sovrane. Serbia po kërkon luftë të re, dhe pushtime te reja, e trimëruar nga agresioni rus në Ukrainë. Prandaj, këto që i tha dhe i kërkoi që të zbatohen në praktikë Serwer, shovinisti Vuçiq, zor që mund t’i paramendojë. BE-ja dhe Amerika ka ardhur koha t’i bëjnë trysni të fortë politike dhe të masave ekonomike Serbisë, e cila po ulet në dy karrige, në atë të Perëndimit, dhe në karrigen e Rusisë. Të themi në fund së megjithatë po fillon një epokë e re për shqiptarët e Luginës, pas takimeve që i kishin këta në Amerikë më zyrtarë të lartë të shtetit. Nuk ka mundësi që një komunitet i homogjenizuar siç janë shqiptarët në Kosovën Lindore, të përjashtohen krejtësisht dhe pafundësisht nga sistemi, dhe nga të drejtat e tyre legjitime”, përmbylli Skënder Mulliqi për “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat