Kush janë të arrestuarit në rastin Brezovica, sa janë të lidhur me politikën, cila është pasuria e tyre?

Politika

Kush janë të arrestuarit në rastin Brezovica, sa janë të lidhur me politikën, cila është pasuria e tyre?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 23 tetor 2022 Në ora: 14:14
Rasti Brezovica

Pak ditë më parë në një aksion të njohur si Brezovica, janë arrestuar disa zyrtarë dhe iu janë konfiskuar vila luksoze në Brezovicë.

Personat e arrestuar deri më tani janë Berat Lahu, Gani Berisha, Sami Sinani, Labinot Vitia, Gëzim Sinani, Shukri Shabani dhe Salih Sinani.

Mirëpo, në aksionin për villat në Brezovicë janë përfshirë edhe dy vëllezërit biznesmenë të ish-presidentit Hashim Thaçi. Dy vëllezërit e ish-kryeministrit e ish-presidentit Hashim Thaçi merren kohë të gjatë me biznes. Nazmiu është i përfshirë në biznesin fitimprurës të guroreve. Drejton biznesin “Geo Mineral”, që ka një gurëthyes të madh në fshatin Aztrazub të Malishevës. Ndërkaq Blerimi merret me biznesin e ndërtimeve. Drejton biznesin “Ilira Builiding”, që ka në pronësi komplekse banesore me çmime tejet të larta në treg, thuhet në media.

Lidhur me këta persona të arrestuar, gazeta ‘Bota sot’ ka hulumtuar rreth tyre, rreth veprimtarive të tyre të mëparshme, pasurisë së tyre si dhe rreth akuzave më të cilat këta persona rëndohen.

Cila është pasuria e Berat Lahut, ish-asamblist i Vetëvendosjes, i arrestuar në rastin Brezovica?

Image
Berat Lahu

Berat Lahu, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, është ndër të arrestuarit në këtë aksion. Mirëpo, menjëherë pas aksionit të Policisë së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka suspenduar asamblistin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Berat Lahun.

Vetëvendosja e ka suspenduar atë nga pozita aktuale, por edhe nga partia, pasi i njëjti dyshohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

“Pretendimet lidhen me angazhimin e tij të mëhershëm në sektorin privat, dhe nuk kanë lidhje as me angazhimin e tij aktual as me ndonjë përgjegjësi publike në kuptimin e postit publik. Deri në zbardhjen përfundimtare të këtyre pretendimeve, dhe verdiktit në procesin gjyqësor që do të kryhet, anëtarit Berat Lahu i suspendohet anëtarësia në subjektin tonë, vendim ky i marrë nga organet tona të brendshme përgjegjëse”, thuhet në një përgjigje të Lëvizjes Vetëvendosje për media.

Mirëpo, duke qenë si deputet në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Lahu ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ai ka deklaruar se posedon një shtëpi në vlerën 150 mijë euro dhe tokë në vlerën 106 mijë euro. Ai ka deklaruar po ashtu se vozit një veturë në vlerën 8 mijë euro. Si para të gatshme ka deklaruar se posedon 500 euro, ndërsa borxhe për trajtim mjekësor mbi 12 mijë euro. Lahu ka deklaruar pagën e tij në Komunën e Prishtinës 1,200 euro dhe atë të bashkëshortes që punon në QKUK mbi 8 mijë euro në vit.

Kush është Gani Berisha i rastit Brezovica, cila është pasuria e tij?

Image
Gani Berisha

I arrestuari tjetër në këtë aksion është edhe Gani Berisha U.D. i Udhëheqësit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore. I dyshuari Gani Berisha, si person zyrtar dyshohet për veprën penale në bashkëkryerje “Marrja e ryshfetit”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2019 në Prishtinë si persona zyrtar dhe atë i pandehuri Gani Berisha – drejtor i departamentit të pellgjeve ujore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kurse i pandehuri Arben Çitaku – Sekretar i përgjithshëm i kësaj ministre, në mënyre të drejtpërdrejtë kanë marrë para me qëllim që të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që përmes një zyrtari të kësaj ministrie i pandehuri Gani ka marrë 10.000 (dhjetë mijë) euro, prej të cilave 7.000 (shtatë mijë) euro për të pandehurin Arben Çitaku, për të mundësuar marrjen e pëlqimit ujor për ndërtimin e një ure mbi lumin “Murzhica”, i cili do të shërbente për objektet e ndërmarrjes “Stella Consulting” dhe objektin hotelier “Rimida”, e të cilin pëlqim e kishte përgatitur i pandehuri Gani Berisha dhe ia kishte dorëzuar për nënshkrim të pandehurit Arben Çitaku, i cili pëlqim ishte lëshuar në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës” – thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Duke qenë në këtë pozitë, Berisha ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ai ka deklaruar se posedon truall në vlerën 10 mijë euro, tokë bujqësore në vlerën 180 mijë euro, shtëpi 40 mijë euro dhe banesë në vlerë 51 mijë euro. Berisha deklaron se posedon një veturë Audi Q5 në vlerën 13 mijë euro dhe një tjetër në emër të bashkëshortes në vlerën mbi 5 mijë euro. Ai deklaron se është aksionar në një biznes privat me 60% të aksioneve me vlerë 6 mijë euro. Para të gatshme ka deklaruar mbi 20 mijë euro, ndërsa si borxhe rreth 50 mijë euro. Paga e tij vjetore e deklaruar kalon vlerën mbi 7 mijë euro, ndërsa mbi 4 mijë euro janë të hyrat e bashkëshortes.

Kush janë dy vëllezërit nga Prishtina të përfshirë në aksionin Brezovica?

Image
Dy vëllezërit nga Prishtina Gëzim dhe Salih Sinani në prillin e vitit 2020 ata ishin parë në një foto në fshatin Bajgorë të Mitrovicës, bashkë më vëllanë e ish – presidentit Hashim Thaçi, Nazmi Thaçin, Shefin e Njësive Speciale të Policisë, Amir Gërguri, dhe Burim Buleshkaj, atë kohë Drejtori i Burgut të Dyzit

Në këtë aksion janë përfshirë edhe dy vëllezër nga Prishtina Gëzim dhe Salih Sinani, të cilët po dyshohen për veprën penale të fajdesë. Gëzim Sinani dyshohet për veprat penale “Dhënia e ryshfetit në ndihmë”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, e gjithashtu edhe bashkë më vëllain e tij Salihun dyshohen edhe për veprën penale të fajdeve.

“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2019 në Brezovicë Komuna Shtërpcë, ka ndihmuar personin tjetër në kryerjen e veprës penale “Dhënia e ryshfetit”, në atë mënyrë që ia ka dhënë 20,000 (njëzet mijë euro) ndërmjetësuesit, tani dëshmitar bashkëpunues, me qëllim që t’ia japë të pandehurit Bratislav Nikoliq, që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, për të siguruar një leje ndërtimore për një objekt hotelier në vikend zonën e Brezovicës, pronë e të pandehurit Xhevdet Shala, kurse i ka premtuar se do t`i japë edhe 50,000 (pesëdhjetë mijë euro) të tjera pasi të sigurohet leja ndërtimore”- thuhet në kërkesën e Prokurorisë për veprën e parë dhe të dytë.

Gëzim dhe Salih Sinani po ashtu dyshohen për veprën penale të “Fajdesë”. “Ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i muajit maj të vitit 2020, në Prishtinë, Podujevë, Ferizaj dhe vendet tjera të Kosovës, në bashkëkryerje, në vazhdim kanë kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimeve për personin tjetër të dëmtuarin Xhevdet Shala, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare, për shkak të pandemisë nga Covid-19, në atë mënyrë që i dëmtuari i cili ushtronte veprimtarinë afariste në gastronomi, e cila ishte goditur më së shumti nga pandemia, fillimisht ka marrë një sasi betoni nga ndërmarrja “Ima sh.p.k” pronë e të pandehurit Gëzim Sinani, për një projekt ndërtimor, mirëpo edhe ky biznes ishte goditur nga pandemia, kështu që i pandehuri Gëzim i ofron për t`i shitur armaturë, e cila vlerë vetëm gjatë vitit 2020 arrin shumën 500,000 (pesëqind mijë) euro, me një kamatë prej 2,500 (dymijë e pesëqind) euro në muaj, për një kamion, mirëpo i dëmtuari në pamundësi që ta paguajë kamatën detyrohet të marrë para me fajde nga i pandehuri Salih Sinani, në shumë prej 20,000 (njëzet mijë) euro, për të cilën duhej të paguajë vetëm kamatë, 2,000, (dymijë) euro në javë, e pastaj Gëzimi i ofron edhe 50,000 (pesëdhjetë mijë) euro për t`i paguar borxhet për të cilën shumë i dëmtuari paguan 10,000 (dhjetë mijë) euro për dy javë”- theksohet në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga kallxo.

Akuzohen për falsifikim të dokumenteve

Ndërkaq dy të dyshuarit, Shukri Shabani dhe Sami Sinani, dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit” duke punuar si persona zyrtarë-anëtarë të Komisionit për vlerësimin e kushteve për dhënien e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore.

“Ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2014 deri në vitin 2019, si persona zyrtarë-anëtarë të Komisionit për vlerësimin e kushteve për dhënien e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim të përfitimit pasuror për personat tjerë, në atë mënyrë që me rastin e vlerësimit të kërkesave për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore, për objektet ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”- vikend-zona e Brezovicës, Komuna Shtërpcë”- thuhet në dosjen e Prokurorisë që rëndon ndaj tyre. Tutje në dosje theksohet e të dyshuarit duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës, kanë dhënë vlerësime pozitive për objektet hoteliere “Stella Consulting” me pronar Gentjan Sula, “Kaona Hotel” me pronare Sanije Geci, dhe “Rimida” me pronar Rijad Hasani, si komplekset e vikend-shtëpizave të “Stella Consulting” me pronar Gentjan Sula, dhe kompleksin e vikend-shtëpizave të Lagjes “D” me pronar Rijad Hasanin, edhe pse e kanë ditur që objektet nuk i plotësonin kushtet ligjore për lëshimin e pëlqimit mjedisor dhe pëlqimit ujor, që është kusht për marrjen e leje-ndërtimeve, kurse objektet ishin ndërtuar pa pëlqim mjedisor dhe pa pëlqim ujor, duke degraduar natyrën dhe mjedisin në Parkun Kombëtar Sharri”- thuhet në kërkesën e Prokurorisë së Ferizajt për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarve. Shukri Shabani dhe Sami Sinani po ashtu dyshohen edhe për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare”.

Për ndërtimin e 5 vikend shtëpizave, i dha 40 mijë euro kryetarit të Shtërpcës

Image
Bratislav Nikoliq

Tridhjetë ditë paraburgim ka kërkuar Prokuroria e Ferizajt për Labinot Vitinë, i arrestuar në rastin e njohur si ‘Brezovica’.

I dyshuari Labinot Vitia dyshohet për dy vepra penale, për veprën penale “Dhënia e ryshfetit” dyshohet se i ka dhënë 40,000€ (katërdhjetë mijë euro) të pandehurit Bratislav Nikoliq që t`ia mundësojë ndërtimin e 5 vikend-shtëpizave në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë. “Ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2014-2019 në Shtërpcë, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që i ka dhënë 40,000€ (katërdhjetë mijë euro) të pandehurit Bratislav Nikoliq që t`ia mundësojë ndërtimin e 5 vikend-shtëpizave në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Ndërtimin dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri”- thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Përveç veprës penale “Dhënia e ryshfetit”, Vitia dyshohet edhe për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”. “Ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2014-2019 në Shtërpcë, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij, në atë mënyrë që i ka dhënë 40,000€ (katërdhjetë mijë euro) të pandehurit Bratislav Nikoliq që të ndikojë në të pandehurin Dimitrije Raiçiqeviq për lëshimin e lejeve ndërtimore për 5 vikend-shtëpiza në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë” – thuhet në kërkesën e Prokurorisë e cila Vitinë e ngarkon edhe për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Lidhur me këtë ҫështje se sa të lidhur munden me qenë këta persona me politikën, ka folur njohësi i ҫështjeve politike, Faton Mehmeti.Ai thotë se njerëz të lidhur direkt apo indirekt me politikën janë kryesisht pronarët e vilave kudo nëpër Kosovë.

Image
Faton Mehmeti

 

“Njerëz të fuqishëm të lidhur direkt apo indirekt me politikën janë pronar të vilave në Brezovicë dhe kudo në vendet turistike në Kosovë. Politikanë, oligarkë, banditë dhe kriminelë janë pjesë e vilave. Dua të besoj se këto vila edhe do të konfiskohen, jo vetëm sekuestrim”, thotë ai.

Sipas tij, me aksione të tilla, të goditet krimi në kokë, vetëm kështu mund të frenohet e keqja.

“Mafia e ndërtimit kudo në Kosovë ka shkatërruar hapësirën publike. Brezovica është vetëm maja e ajsbergut në gjithë këtë krim të gjatë dhe të thellë”, thekson ai.

Aksioni “Brezovica 6” u zhvillua në fund të muajit shtator, i cili rezultoi me 7 persona të arrestuar, në mesin e tyre tre zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat